Adriatik Alimadhi: “Po, PD-ja ka kandidatë sigurimsa dhe komunistë”

507
Sigal

Flet kryetari i partisë Balli Kombëtar

Zoti  Alimadhi,  kritikat e tuaja të  vazhdueshme, ndaj PD-së, janë pakënaqësi që ju nuk u trajtuat njësoj me të tjerët?

– Unë kam thënë dhe do vazhdoj të them  të vërtetën mbi  veprimin e padrejtë që bëri PD dhe  Berisha ndaj Balli Kombëtar.  Kush kërkoi liri, demokraci, vëllazërimin dhe bashkimin e shqiptarëve? Kush i doli kriminelëve komunistë përpara dhe morën plumbin prej tyre? Pra vetëm BK-ja. Për këto e për vazhdimësinë e mbështetjes së çështjes kombëtare mendoj se PD duhet të vepronte më me drejtësi. Mua nuk më duhet asgjë se si i ndërton raportet PD dhe Berisha me aleatët e tjerë. BK-ja nuk e ka kushtëzuar asnjëherë në këto 8 vite, vetëm se ka hequr nga vetja, prandaj themi se në këto 8 vite Berisha tregoi besnikërinë ndaj PD, bashkoi të larguarit e PS-së dhe mori ata që kanë treguar në këto vite interesa personale dhe la jashtë BK-në. Kjo padrejtësi do të mbetet në histori, si padrejtësia e PD ndaj BK-së.  Me këtë veprim PD tregoi se nuk e do BK-në.

– Berisha, mbi cilat kritere futi në listat e PD-së kryetarë të partive aleate, duke përjashtuar BK-në, një aleat besnik i PD-së dhe përfaqësues i së djathtës?

– Negociatorët e PD-së kishin si kriter numrin mbi 10.000 vota, por ajo që dua të them është se ne kërkuam përgjigje zyrtare për kërkesën që bëri kryesia e BK-së që të trajtoheshin në mënyrë të barabartë të gjitha subjektet, pastaj mos harroni, se PD futi në lista edhe individë, që nuk mendoj se do kishin më shumë peshë se sa BK-ja, prandaj kam thënë se ky veprim është i padrejtë ndaj BK-së. Është shumë e vërtetë që i kemi qëndruar shumë besnikë PD-së. Mendoj që ashtu siç e emërtoi Berisha, e djathta e Bashkuar pa Ballin Kombëtar nuk ka kuptim.

– Mos vallë shqetësimi juaj i mospërfshirjes në listat e PD-së tregon që BK-ja nuk ka elektorat që të mbështetet për përfaqësim në Kuvend?

– Bëtë shumë mirë që ma bëtë këtë pyetje, por këta individë që futi PD kanë më shumë elektorat se sa BK-ja?  Ballit Kombëtar i është vjedhur historikisht vota dhe për këtë kemi prova të dokumentuara.

– Ju akuzuat  se ka kandidatë për deputetë në listat e PD-së që janë çapaçulë, komunistë e sigurimsa. I qëndroni akoma kësaj kritike dhe cilët janë?

– Po është e sigurt që i kam thënë dhe u qëndroj,  që në listat e PD-së ka sigurimsa dhe komunistë, përderisa u largua BK-ja, ai Parlament pa Ballin Kombëtar do të duket si kosherja pa bletët. Mendoj se është bërë e qëllimshme kjo padrejtësi politike e PD-së ndaj BK-së.

– Cila alternativë është më e rëndësishme? Që zgjedhjet të zhvillohen me standarde, apo cili koalicion partiak do të fitojë?

– Alternativa më e rëndësishme është mbështetja ndaj çështjes kombëtare shqiptare, sot dhe ne vazhdimësi. Është epoka e Shqipërisë dhe shqiptarëve, asaj i ka ardhur koha, prandaj slogani jonë është para shqiptarëve. Koha na dha të drejtë, sepse çfarë ka thënë Balli Kombëtar 74 vjet më parë, po realizohet sot në politikën shqiptare.

– Ju e gjykoni se me aksionet politike, PD-PS kontribuojnë që zgjedhjet në Shqipëri të zhvillohen të drejta e të lira?

– Secila përpiqet për të fituar, kam mendimin se  shoqëria shqiptare nuk është civilizuar akoma, që vota e shqiptarëve të lihet të shkoj në destinacion. Zgjedhje të lira nuk jam i bindshëm se do të zhvillohen  plotësisht.

– Cili është parashikimi juaj për zgjedhjet e 23 Qershorit?

– Ftoj shqiptarët t’i japin mbështetje vazhdimësisë. Shqipëria ka nevojë më shume se kurrë që të  fitojë Aleanca Punësim Mirëqenie dhe Integrim,  sepse aty është BK-ja, prandaj gjej mundësinë,  t’i ftoj të gjithë shqiptarët të votojnë Nr.57  Balli Kombëtar PBK-në. Të votojnë partinë e identitetit kombëtar. Nuk i kemi gënjyer asnjëherë.  Ju kemi thënë gjithmonë të vërtetën dhe të vërtetën.