Administrata si “Sulltanat”, 50 mijë zyrtarë kanë lidhje nepotike, 1800 “freshistë” me kontratë 6 mujore

705
Përparim HALILI
Nga kryeministria e deri tek pastrueset e bashkive, 90% e punësimeve nuk janë bërë me konkurs sipas ligjit, zyrat janë mbushur me bashkëshortë, fëmijë, dhëndurë, krushqi, blerës vendesh pune, dashnore dhe “trima” shtetarësh
Zonja ministre Harito, që çdo fundjavë e kalon tek familja e saj në Paris, po të kujtojmë një fakt: Afro 70% e potencialeve profesionale që konkurrojnë për vendet e punës të shpallur të lirë në administratën publike shqiptare, “çuditërisht” nuk i fitojnë konkurruesit kualitativ, por edhe kur i fitojnë nuk punësohen, por lihen në pritje pa fund! Zonja ministre, janë 4310 konkurrues profesionistë, të cilët në 3 vitet e fundit kanë fituar konkurset me mbi 70 pikë dhe nuk po futen në punë, as në ato 20% vende bosh që thoni ju…
Në 224 mijë kërkesa pune të bëra në zyrat e punës, nuk rezulton të jetë asnjë emër familjar kryeministri, deputeti, ministri, zv/ministri, kryepolici, kryetari partie, ambasadori, drejtori, prefekti, kryetari bashkie, të cilët edhe pse nuk figurojnë si aplikues punë-kërkues në Zyrat e Punës, familjarët e shtetarëve dhe politikanëve, rezultojnë të punësuar në zyrat e shtetit
Çdo ministër e drejtor, kur ndryshon institucionin ose funksionin zyrtar, merr me vete në zyra edhe “ushtrinë” e të besuarve të tij, të cilët kalojnë nga një bordero në tjetrën, pa asnjë konkurs, por thjeshtë si zëvendësim “bandash” administrative, që bashkë-vjedhin, falsifikojnë, bëjnë presion mbi punonjësit që të heshtin, përdoren si sekserë që të mbyllen dosjet
Seanca e djeshme parlamentare, kishte si pjesë edhe diskutimin e ministres Milena Harito, “shefes së kuadrit” të administratës shtetërore, fjala e së cilës ishte sa bajate aq edhe qesharake jo si “leksik”, por si përmbajtje tallëse me të drejtën e tyre ligjore, njerëzore, profesionale, jetike të shumë personave që nuk pranohen në punë në zyrat e shtetit. Ishte një demagogji e cila nuk mund të pranohet as si fjalim mitingjesh elektorale e jo më si sqarim publik në parlament, mbasi dihet se si bëhen emërimet dhe punësimet në Shqipëri, duke zëvendësuar Nenin 24/1 të vitit 1992, me DAP-in e “Rilindjes”… 
Kujtesë konkrete ministres Milena Harito 
Dje, dëgjuam ministren Milena Harito, që nisi të përgjërohej në foltoren e parlamentit tamam si “Dervish Hatixheja”, duke u përbetuar se punësimet ishin bërë sipas ligjit e meritokracisë dhe lutej para shqiptarëve, që, të plotësoheshin vendet bosh në administratën publike. Mjafton ky deklarim, për të kuptuar se ministrja Harito u tall deri në neveri, me ata qindra e mijëra persona të arsimuar realisht, të aftë, të ndershëm, të përkushtuar që kërkojnë të punësohen në administratën shtetërore sipas Ligjit Nr. 152, datë 30. 05. 2013 “Për Nëpunësin Civil”, ndryshuar me Ligjin Nr. 178/2014, datë 18.12.2014. Por, që për shkak të modelit “rilindës” të administratës nepotike, financiare e politike që ka instaluar dhe predikon në mënyrë denigruese Milena dhe shefat e saj, ata nuk arrijnë të punësohen dot as kur janë me grada e tituj shkencorë! Pse? Sepse nuk janë burrat dhe gratë, vajzat dhe djemtë, motrat dhe vëllezërit, nipërit dhe mbesat, kunatat dhe kunetërit, xhaxhallarët dhe hallat, dajot dhe tezet, krushkat dhe krushqit, shokët, ortakët dhe soj e sorrollop të Haritos e Peleshit, të kryeministrit Rama, të ministrave, deputetëve e politikanëve majtas dhe djathtas e grave të tyre, të biznesmenëve të lidhur me ta! Ministrja Harito e katapultuar për asnjë meritë nga emigrante si ministre, del e deklaron se “20% e vendeve të punës në administratën publike janë të lira, por sipas saj, nuk ka profesionistë, nuk ka konkurrues të aftë”! Ka zonja ministre dhe madje shumë intelektualë profesionistë që sorollaten, denigrohen, mashtrohen e që përgjërohen pas zyrave tuaja “shpella hajdutësh”, duke u lutur për një vend pune për shkak të varfërisë. Por, prej teje dhe prej horrave që kanë uzurpuar zyrat e shtetit, ata bllokohen prej korrupsionit dhe nepotizmit në punësime. Zonja ministre Harito, që çdo fundjavë e kalon tek familja e saj në Paris, po të kujtojmë një fakt: Afro 70% e potencialeve profesionale që konkurrojnë për vendet e punës, të shpallur të lirë në administratën publike shqiptare, “çuditërisht” nuk i fitojnë konkurruesit kualitativ e pa suport politik. Edhe kur i fitojnë, ata nuk punësohen, por lihen në pritje pa fund! Zonja ministre! Ju kujtojmë, se janë 4310 konkurrues profesionistë, të cilët në 3 vitet e fundit kanë fituar konkurset me mbi 70 pikë dhe nuk po futen në punë, as në ato 20% vende bosh që thatë ju. Pse? Sepse janë mbushur e po mbushen përditë, me individë “bisht qeni” dhe “dru me pre” që punësohen me urdhra, me preferenca familjare, politike e shoqërore, por edhe me “tender” pagesash në miliona lekë. Punësohen me dosje që plotësohen me letra konkurrimi fals, me diploma false e dosje krimi penal, me diploma fiktive, me diploma që nuk kanë lidhje me vendin e punës për të cilin konkurrohet. Por që shpallen “fitues” vendesh pune, sepse tek Albana e DAP-it ka shkuar lista e paracaktuar nga ty, nga drejtuesit e institucioneve, shpesh edhe me urdhër nga kryeministri, ministrat, deputetët, politikanët e lartë qendror e lokalë, drejtuesit e bashkive, të prefekturave e qarqeve, nga drejtorët në pazare me njeri-tjetrin, si shkëmbime “qokash” punësimi për familjarë e blerës vendesh pune! Ndaj dhe familjarët e ministrave, deputetëve, drejtorëve, prefektëve, kryebashkiakëve, ambasadorëve deri edhe drejtorëve të komunaleve, punojnë nëpër institucionet e njëri-tjetrit! Na thuaj nëse mundesh, se ku punojnë bashkëshortët, kunatat, fëmijët, prindërit, gjyshet e gjyshërit, dhëndurët dhe krushqit tuaj! Edhe një fakt: Ju zonja ministre, në administratën e ministrisë që drejtoni, 97% të vartësve i keni punësuar me preferenca personale, me urdhra nga ata më lartë, me shoqëri ministrash e deputetësh, shoqesh e shokësh, krushqi e “motive” të tjera, madje edhe duke sjell emigrantë pjatalarës, lulishtarë e roje parkingu nga emigracioni, të cilët i ke pajisur me Statusin “Nëpunës Civil i Administratës Publike”, fakte konkrete që do t’i publikojmë në vijim! Për më trup e skandal, në 30% të rasteve rezulton se emërimet në administratën publike, urdhërohen edhe nga shoferët dhe “trimat” e ministrave, deputetëve, kryetarëve të partive drejtorëve qendror e lokalë! Mjafton të përmendim një fakt: Çdo ministër e drejtor, kur ndryshon institucionin ose funksionin zyrtar, merr me vete në zyra edhe “ushtrinë” e të besuarve të tij, të cilët kalojnë nga një bordero në tjetrën, pa asnjë konkurs, por thjeshtë si zëvendësim “bandash” administrative, që bashkë-vjedhin, falsifikojnë, bëjnë presion mbi punonjësit që të heshtin, përdoren si sekserë që të mbyllen dosjet! Edhe një fakt: Në 85% të institucioneve dhe pushtetit lokal, komisionet e tenderëve përbëhen nga familjarë, shokë e krushqi të drejtuesve ose janë të afërm e të besuar të drejtuesve, të emëruar nëpër institucionet e njërit-tjetrit, për të mos krijuar gjoja nepotizëm në institucione, por që përbëjnë nepotizëm në qeveri. Nëse mundeni, publikoni vetëm një emër ministri, deputeti, drejtori qendror, kryetari bashkie, prefekti, kryetari këshilli qarku, ambasadori e politikani të lartë, familjari i të cilit është i papunë apo që rezulton të jetë punësuar me konkurs nëpërmjet DAP-it tënd zonja ministre, ose që nuk është shpallur fitues në konkurs, ose që pret radhën e punësimit pas shpalljes fitues, apo që rezulton se është punësuar duke aplikuar në Zyrën e Punës! 
Në 244 mijë kërkesa në Zyrat e Punës, nuk ka asnjë emër familjari shtetari, por të gjithë janë në punë!
Sipas modelit diskriminues, shqiptarët që nuk bëjnë pjesë në “klikën” e shtetërore e politike (ose “delet” siç i quan politika) duhet të rropaten, të tallen, vërdallisen e mashtrohen për të kërkuar punë (bukë), duke bërë “temena” në Zyrat e Punës. Ndërsa sipas modelit përkëdhelës e privilegjues, familjarët dhe anëtarët e “klikës” shtetërore e politike, nuk duhet të ulin “hundën” e të shkojnë në Zyrat e Punës, por kanë të drejtën t’i zgjedhin me preferencë vendet e punës, duke caktuar se në cilat zyra shteti e poste dëshirojnë të emërohen, madje edhe t’ua çojnë në vendimet e emërimeve në shtëpi! Në 224 mijë kërkesa pune të bëra në zyrat e punës, nuk rezulton të jetë asnjë aplikues familjar kryeministri, deputeti, ministri, zv/ministri, kryepolici, kryetari partie, ambasadori, drejtori, prefekti, gjenerali ushtrie, kryetari bashkie. Edhe pse nuk figurojnë si aplikues në Zyrat e Punës, familjarët e shtetarëve dhe politikanëve, rezultojnë të punësuar në zyrat e shtetit! Madje, janë të punësuar në funksione të larta drejtuese dhe në pozicione të zgjedhura shtetërore, ku bëhet edhe kapardisje edhe pasuri, ku krijohen edhe klane të reja shoqërore. P.sh, në të gjitha ministritë, në kryeministri, presidencë, parlament, dogana, tatime, porte detare, aeroporte, ushtri, arsim, polici, zyra shtetërore mjedisi, higjiene, bujqësie, transporti, energjie, shëndetësie, universitete shtetërore, drejtësi, ambasada, naftë, ujësjellës, shërbimet e emergjencës civile, në rezerva shteti e kudo, deri në shoferë e dezhurn institucionesh, janë të punësuar krejt familjarët dhe të afërm të atyre që komandojnë politikën dhe shtetin. Asnjë prej familjarëve të “pronarëve” të shtetit e politikës, nuk ka aplikuar për punë në Zyrat e Punës, por të gjithë janë të punësuar në zyrat e larta të shtetit dhe në administratën publike të çdo niveli, madje 45% e tyre janë drejtues të lartë. 
Nga 83 mijë nëpunës e drejtues administrate, 50 mijë kanë lidhje familjare, krushqie, fisnore, krahinore
Edhe pse quhet administratë shtetërore, në realitet institucionet janë kthyer në familje, fshat, lagje, fis, kuqshi e klane, të mbledhur e të pozicionuar me poste dhe detyra në zyrat e shtetit, ku vetë propozojnë, vetë vendosin, vetë vulosin, vetë firmosin, vetë zbatojnë vendimet, vetë kontrollojnë zbatimin e vendimeve e të ligjeve. Nga 83 mijë nëpunës e drejtues administrate, 50 mijë kanë lidhje familjare, krushqie, fisnore, krahinore. Psh., në kryeministri, ministrinë e Shëndetësisë, Kulturës, Inovacionit, Punës, Ekonomisë, Mbrojtjes, Policisë etj, rezultojnë 40-45% e punësimeve me lidhje familjare, nepotike, krahinore, shoqërore. Në administratat publike të pushtetit ekzekutiv e pushtetit lokal në Vlorë, Korçë, Elbasan, Fier, Shkodër, Dibër, Lezhë, Durrës, Gjirokastër etj., punësimet në porte, arsim, Universitete, shëndetësi, mjedis, dogana, ujësjellës, tatime, kopshte, çerdhe, spitale, dogana, polici, ushtri e kudo, mbi 50% rezultojnë të jenë familjarë bashkëshortë, fëmijë, vëllezër, motra, nipër, mbesa, baxhanakë, shokë, kunetër, ortakë biznesesh e individë të çdo lloj “kallëpi” nepotik e grup interesash të drejtuesve të lartë të partisë në zonë, të deputetëve, ministrave e drejtuesve qendror politikë të partisë në pushtet e në opozitë. Po kështu, afro 80% e drejtorëve lokalë, rezultojnë se janë familjarë, miq e shokë të kryeministrit, zv/kryeministrit, deputetëve, ministrave, drejtuesve politikë e shtetërorë lokalë dhe qendror. Askush prej tyre, nuk e ka emrin të regjistruar si punë-kërkues në Zyrat e Punës të rretheve e qarqeve përkatëse, por të gjithë janë të punësuar në zyra e poste drejtuese. Ata që janë lënë pa punë, ose që kanë qenë pa punë, vazhdojnë të durojnë deri në denigrim modelin “Harito” të aplikimit në konkurse të DAP-it të ministres e në zyra pune, duke u vërdallisur e torturuar pafund e pa asnjë mëshirë, në kërkim të një pune për t’u ushqyer…!
Administrata ka 14 mijë nëpunës me diploma fiktive, 56 mijë jashtë profesioneve, 880 drejtues me diploma false
Ajo që del nga informacionet e ministrive dhe të institucioneve publike, strukturë varësie ose shërbimi direkt e indirekt të ministrive, ka lidhje me një fakt që është tjetërsuar edhe në batuta humori të përdoruara prej kryeministrit Rama, si stigmatizim i “ushtrisë” së juristëve që kanë mbushur çdo “cep” të Shqipërisë, “prodhuar” prej universiteteve publike e private, të mbyllur e të mbetur hapur. E kemi fjalën, për nëpunësit e administratës, për drejtuesit e deri për pastrueset dhe dezhurnët, shoferët dhe elektricistët, sekretarët dhe badigardët e ministrave e të drejtorëve, të cilët janë me diplomë universitare juridiku! Por jo vetëm kaq. Rezulton, se zyrat dhe korridoret, madje edhe magazinat e kryeministrisë, të ministrive e të institucioneve publike, janë të mbushur me drejtues, zyrtarë e punonjës me diploma fiktive, të marra e të blera me lekë dhe me klering në ish-(h)universitetet qebaptore! Falsiteti arrin deri në këtë alarm, sa nga 83 mijë nëpunës të administratës publike, 14 mijë janë zyrtarë e drejtues të lartë dhe të mesëm, të punësuar dhe emëruar me diploma fiktive “kartonë me ngjyra”, të lëshuara prej këtyre (h)universiteteve. Ndërsa 56 mijë e nëpunësve të administratës dhe drejtuesve të saj, janë emëruar në poste e vende pune jashtë profesioneve që kanë në diploma! Nuk është ekzagjerim kjo themi, mbasi këtë e konfirmojnë informacionet e zyrave të burimeve njerëzore, që kanë raportuar tek kryeministri. Por burimet nga SHISH, bëjnë me dije, se ka depozituar tek kryeministri Rama, një listë me emra shtetarësh dhe drejtorësh qendror e lokalë me diploma false. Këta analfabet me diploma, me “Master” universitar e akademik deri ndërkombëtar, me tituj e grada shkencore, rezulton se janë emëruar në funksione drejtuese zyrtare, madje edhe në sektorë të rëndësishëm që kanë lidhje me ekonominë, financat, doganat, anti-krimin e sigurinë kombëtare. Janë 880 emra shtetarësh e drejtorësh të lartë e rajonalë, të cilët janë me diploma universitare false, të lëshuara prej (h)universiteteve publike e private brenda dhe jashtë Shqipërisë. 
Në 2 muajt e fundit, janë punësuar 1800 “freshistë” me kontrata 6 mujore
Nëse flasim për punësimin sipas ligjit Ligjit Nr. 152, datë 30. 05. 2013 “Për Nëpunësin Civil”, ndryshuar me Ligjin Nr. 178/2014, datë 18.12.2014, duhet të kujtojmë edhe një fluks punësimesh të bërë në 2 muajt e shkurt-mars 2017, duke përdorur marifetin e punësimeve në administratë me kontrata provizore 6 mujore. Sipas informacioneve që kanë ardhur në redaksinë e “Telegraf”, thuhet se këto punësime nuk janë bërë për shkak se i nevojiten “punëve të shumta” që ka administrata dhe as “forcimit cilësor” të saj, por janë bërë si shpërblim për militantët dhe anëtarët e “Rilindjes” dhe të krerëve të partiçkave që lëpihen pas “rilindjes” në këtë prag zgjedhjesh parlamentare. fakti është ky: Me disa VKM të posaçme, kryeministri Rama ka ligjëruar punësime të tilla provizore, me kontrata me afat 6 mujor, të cilat janë zbatuar e po zbatohen me shpejtësi e me “lista të mbyllura”. Cilët po punësohen në këto vende të krijuara provizorisht dhe enkas elektoralisht, në administratën shtetërore? Sipas informacionit, rezulton se po punësohen vetëm anëtarë të FRESSH-it të “Rilindjes”. Vetëm në 2 muajt e fundit Shkurt-Mars 2017, rezulton se janë punësuar 1810 “freshistë” në të gjithë ministritë dhe drejtoritë qendrore e rajonale që drejton PS. Por pagat e tyre, janë miliarda lekë, të cilat paguhen prej taksave publike dhe prej borxheve që lypen e merren nëpër botë dhe që përsëri paguhen nga shqiptarët. këto punësime, për militantët e “Rilindjes”, po bëhen për t’i aktivizuar në “aksionin” e mbledhjes së votave të 18 qershorit. Për këtë skandal, ministrja Harito nuk foli në parlament. 
Në vijim do të lexoni
1. Cilat familje e fise, i kanë uzurpuar dhe po i komandojnë zyrat e shërbimet shtetërore
2. Ku punojnë gratë, burrat, fëmijët, kunetërit, dhëndurët dhe krushqit e ministrave, deputetëve, politikanëve, drejtorëve qendrorë e rajonalë, ambasadorëve dhe të zgjedhurve lokalë e rajonalë
3. Çfarë masakre shtetërore po vazhdon me taksat e shqiptarëve, prej punësimeve nepotike dhe largimeve klienteliste nga administrata dhe sa është kostoja e pagesave të 2-3 zyrtarëve, për 1 vend pune pas fitimit të gjyqeve prej të larguarve?
4. Sa nëpunës e drejtues shtetëror me dosje krimi, janë në zyrat e shtetit dhe me cilët shtetarë e politikanë kanë lidhje
Sigal