Administrata përfiton 11,3 % rritje të pagës

553
Sigal

Vendimi/ Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për rritjen e pagës minimale të administratës

Këshilli i Ministrave miratoi dje vendimin për përcaktimin e pagës minimale. Kryeministri Berisha njoftoi se javën e ardhshme, qeveria kalon vendimin për rritjen e pagave dhe pensioneve. “Sot marrim një vendim të rëndësishëm që ka të bëjë me përcaktimin e pagës minimale. Me këtë vendim, duke përfshirë edhe heqjen që i kemi bërë për nivelin nën 30 mijë lekë të tatimit mbi të ardhurat personale, paga minimale e punonjësve të administratës, të cilët janë një numër i vogël, gjithsej 1 përqind, rritet me 11.3 përqind” u shpreh Kryeministri aktual Sali Berisha në mbledhjen e Qeverisë. Për Berishën interesi nuk qëndron te punonjësit e administratës ku vetëm 1% e tyre përfitojnë.  “Interesi është i madh, sepse në përputhje me konventën 26 të ILO-s, Organizatës Botërore të Punës, kjo rrogë bëhet e detyrueshme për të gjithë punëdhënësit, shtet ose jo shtet, në Republikën e Shqipërisë. Pra, rroga minimale në çdo vend përbën një detyrim ligjor për të gjithë. Në këtë rast përfitues nuk janë 1 përqind e rrogëtarëve, por një përqindje shumë më e lartë, pasi përfshihet edhe sektori privat që është i detyruar ta ndjekë këtë” u shpreh Berisha. Sipas tij vendimi ka edhe një rëndësi tjetër, pasi në një mënyrë përmirësohet raporti i pagave brenda piramidës së administratës. Berisha theksoi edhe faktin se “javën tjetër vjen vendimi për rritjen e rrogave dhe pensioneve. Ky vendim është vendim i mandatit katërvjeçar që po mbaron dhe në asnjë mënyrë nuk mund të mbetet pa u mbajtur, siç është dhënë. Fjalë e dhënë, fjalë e mbajtur”.

V endimi
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 111, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1996,  “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”,  të ndryshuar, dhe të nenit 4, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat në caktimin e pagave dhe shpërblimeve”, me propozimin e ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave vendosi:
1.    Paga bazë minimale mujore për punonjësit, në shkallë vendi, që është e detyrueshme të zbatohet nga çdo person, juridik a fizik, vendas ose i huaj, të jetë 22 000 (njëzet e dy mijë) lekë.
2.    Paga bazë minimale mujore jepet për 174 (njëqind e shtatëdhjetë e katër) orë pune në muaj të kryera gjatë kohës normale të punës.
3.    Paga bazë minimale orare të jetë 127 (njëqind e njëzet e shtatë) lekë.
4.    Shtesat me karakter të përhershëm jepen mbi pagën bazë.