Administrata dhe gjykata, kurth ushatarakëve

    406
    Sigal

    Sigurimet Shoqërore kundër ushtarakëve. Vetëm anulimi i Aktit Normativ mbyll proceset e hapura gjyqësore

    Gjykata e Lartë rrezikon të bëhet pjesë e një loje politike duke marrë përsipër pezullimin e vendimeve të drejtësisë (gjykatës së Apelit) me kërkesa administrative. Këtë e konfirmojnë për “Telegraf” ushtarakë të cilët presin këto ditë që Gjykata e Lartë të shprehet për ta. Kanë vite që ushtarakët u janë drejtuar gjykatave, nga shkalla e parë deri në shkallët më të larta, në kërkim të të drejtave që u jep atyre statusi. Pas shumë përpjekjesh, një pjesë prej tyre e kanë fituar atë në të dy shkallët e gjyqësorit. Po edhe pse janë vendime të formës së prerë, sërish DRSSH-të nuk i kanë zbatuar. Zbatimi i këtyre vendimeve vazhdon të kryhet nëpërmjet zyrës së Përmbarimit. Zyrat e Përmbarimit në zbatim të vendimeve të formës së prerë të gjykatave u japin të drejtat financiare një pjesë të ushtarakëve. Dhe Drejtoritë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, duke qenë se nuk mundën të fitojnë betejën gjyqësore me ushtarakët, tani kanë çuar “Kërkesën për pezullim vendimesh gjyqësore” në Gjykatën e Lartë. Dhe ky hap i palogjikshëm bëhet pasi ky institucion humbi të gjitha paditë dhe apelimet qe ka bërë kundër të drejtave të ushtarakëve në shkallët e gjyqësorit. Ende në institucionet tona shtetërore nuk ekziston kultura se vendimet e gjykatave të formës së prerë nuk mund t’i zhbëjë askush, as vetë ajo gjykatë, se, sipas Kushtetutës, gjykatësi ka të drejtë të japë edhe vendime në kundërshtim me ligjin, kur e gjykon se ligji është i gabuar. Ka disa vite që Drejtoritë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore u drejtohen dhe ridrejtohen gjykatave. Më shqetësuesja është se këto gjyqe përsëriten, edhe pse e dinë se i kanë të humbura, ndërsa taksapaguesit shqiptarë paguajnë lekët për rihapjen e çështjeve gjyqësore.

    Historia e gjyqeve

    Me daljen e Aktit Normativ (maxhoranca e sotme ka premtuar shfuqizimin e këtij akti dhe ushtarakët janë në pritje të mbajtjes së këtij premtimi), DRSSH-të rihapën  proceset gjyqësore ndaj ushtarakëve që kishin fituar të drejtat e tyre, nëpërmjet gjykatave me Ligjin e vitit 1996. Të gjitha proceset gjyqësore ndaj këtyre ushtarakëve i humbën, pasi e drejta e fituar me një ligj të mëparshëm nuk mund të rrëzohet më një ligj pasardhës.

    Prapavija e veprimeve të DRSSH-ve

    Por, ne mes të ushtarakëve diskutohet se veprime dhe vendime të tilla të DRSSH-ve  kanë si qëllim kundërvënien e ushtarakëve ndaj Qeverisë “Rama”. Madje, nga burime të sigurta, brenda Gjykatës së Lartë shkohet më tej duke thënë se kemi të bëjmë me një skenar të personave të caktuar, ku të nxiten protestat e shtetasve që iu pezullohen vendimet gjyqësore të formës së prerë dhe diskreditim i reformës në drejtësi. Thuhet se Gjykata e Lartë po nxit në fshehtësi institucione shtetërore, që kanë humbur proceset gjyqësore në Apel  “të bëjnë kërkesa administrative në Gjykatën e Lartë për “pezullimin e zbatimit të vendimeve gjyqësore”. Prandaj, sipas burimeve të brendshme pritet që këtë javë e në vazhdim, Gjykata e Lartë të pezullojë zbatimin e shumë vendimeve të formës se prerë, të fituara nga shtetas të ndryshëm; civilë e ushtarakë në Apel”. Madje thuhet se Gjykata e Lartë parashikon t’i pezullojë vendimet fillimisht për shtetas të veçuar që të mos bien në sy dhe gradualisht do të shkohet tek “pezullimi i vendimeve gjyqësore me kërkesa administrative” për grupe më te mëdhenj fituesish në Apel. Ndërsa të interesuarit ose fituesit e vendimeve gjyqësore në Apel “nuk njoftohen fare” për përmbajtjen e “kërkesës për pezullim vendimi gjyqësor” në Gjykatën e Lartë, edhe pse ky është një detyrim ligjor. Këtë gjë e konfirmon për “Telegraf” kolonel Pëllumb Zaimi, i cili pret këto ditë që Gjykata e Lartë të shprehet për çështjen e tij.

    Qëllimet e kërkesave për pezullim vendimesh

     Të bëhet zhurmë te ndërkombëtarët se Reforma në Drejtësi e Ramës po pezullon vendimet e drejtësisë (gjykatës së Apelit) me kërkesa administrative.

    1. Shteti i së drejtës po minohet nga shteti administrativ. Edhe në raportin e Komisionerit të KiE-së, Nils Muižnieks të vitit 2013 theksohet se një nga problemet më serioze të drejtësisë ne vendin tonë është mosekzekutimi i vendimeve të formës së prerë të gjykatave të brendshme. Në raportin e Komisionerit të KiE-së thuhet se “sipas raportimeve, arsyeja themelore për mosekzekutimin e vendimeve të gjykatave të brendshme qëndron tek vonesat e tejzgjatura procedurale në procesin e ekzekutimit, që vijnë për shkak të dispozitave ligjore që u japin mundësi debitorëve të vonojnë ekzekutimin, nëpërmjet depozitimit të kundërshtimeve dhe apelimeve të ndryshme. Për më tepër, gjyqtarët shpesh i lejojnë këto objeksione dhe kërkesa për apel, edhe në rastet, kur ato janë për shkaqe të parëndësishme.
    2. Të gjejë justifikime për paaftësinë e juristëve dhe të administratës në DRSSH për rrëzimin e tyre ligjor në gjykata dhe të ndalojnë thellimin e “gropës së zezë” financiare që është krijuar nga paaftësia e tyre administrative dhe ligjore, nga korrupsioni etj., etj..
    3. Të nxisin pakënaqësinë e fituesve të gjyqeve dhe sidomos të ushtarakëve (rreth 2000 ushtarakë që i kanë fituar gjyqet me vendime të formës së prerë) ndaj qeverisë Rama.
    4. Të krijojnë premisat për një konflikt institucional nëpërmjet DRSSH-së dhe gjykatave të shkallës së parë, të dytë, të cilët nëpërmjet vendimeve të tyre të drejta i kanë “nxjerrë bojën” DRSSH-ve. Këto të fundit kërkon të lajnë hesapet me gjykatat, duke iu kundërvënë atyre në Gjykatën e lartë.
    5. Kërkesat për pezullim kanë karakter selektiv dhe kjo të krijon dyshimin se shumë nga këta persona kanë qenë tepër kritikë ndaj DRSSH-së dhe Gjykatës së Lartë. Kritikët më aktivë kanë qenë ushtarakët.
    6. Më vonë thuhet se kërkesat selektive do të pasohen nga “kërkesat për pezullim vendimesh gjyqësore duke përfshirë grup personash që kanë fituar gjyqet”. Kërkesat selektive janë sa për të matur pulsin.
    7. Në kërkesat për pezullim vendimesh gjyqësore nuk vihen aspak në dijeni, zyrtarisht siç është rregulli (të interesuarit). Mendohet se po luhet një skenar, me gjithë këtë fshehtësi.