Adem XHELADINI/ Mbi romanin “Përsëri përsëritet” të Qëndresë Halilit

    376
    Sigal

    Kur më ra në dorë romani “Përsëri përsëritet” i autores Qëndresë Halili e duke pasur në konsideratë dhe moshën e saj, sakaq më shkoi në mendje, se brenda këtyre muresh prej libri, ndodh të jenë fshehur ëndrra miturake. Posa shpalosa kapakun dhe fillova leximin e romanit “Përsëri përsëritet” të autores Qëndresë Halili, pashë se ndërtimi i tekstit kishte rrëfim, kishte joshje, kishte adrenalinë! Dhe kur po shfletoja një nga një fletët, aq më shumë po bindesha se aty ka shumë më shumë, ka diçka të mistershme, që gjer më tani nuk është thënë, që gjer më tani, nuk është shprehur kaq preras, siç parapëlqejmë shpesh ta quajmë me “sëpatë të madhe”… Kjo më tepër ka të bëjë me një romani filozofik, se brendia dhe thurja e tekstit ka nëntekstin, i cili shpesh i flet lexuesit. Dhe, rrëfimi në vetën e parë të duket se të vjedh nga bota e së qenurit në të realshmen, dhe bartjen për tek fantazia dhe tek e pamundura… Romani nis me një çast të zakonshëm jete, ku ngjarja ndodh në lëvizje, domethënë në një autobus, i cili nuk ka destinacion të paracaktuar, po megjithatë udhëtimi ngjan drejt Qytetit të Bardhë. Mbase dhe vetë rrëfimtarja, në këtë rast e ngërthyer përmes personazhit të Laurës është nisur në drejtim të këtij qyteti, ku ndesh në të përsëritshmen. Personazhet që përshkohen përgjatë këtij rrugëtimi janë qenie të zakonshme prej njerëzish, të njohur e të panjohur, e që në sytë e Laurës, nuk shpëtojnë dot pa i detajizuar. Ajo gjithçka shënon në fletoren e saj të vjetëruar, thuajse ka marrë detyrën e kronikanes, apo një udhëpërshkrueseje, apo mbajtëse protokollesh. Dhe, po kështu, tre personalitete po bartin barrën e lëvizjes së ngjarjeve në këtë vetërrëfim, për katrahurën prej jete, ku megjithatë gjërat ngjajnë të përsëritshme, dhe sërish po kapin fillin nga e para. Takimi me Fitimin, i cili bart kujtesën nga e kaluara në këtë rrugëtim për tek e ardhmja përplot të papritura, e bën Laurën nga pak dhe pesimiste në jetë. Shfaqja e personazhit të Vullnetit, po sjell një dozë freskie për ta ndërtuar shpresën, po edhe kjo situatë po bie e dështuar pikërisht në çastin kur pritej më së shumti. Dhe në këtë hallaka më prej ngjarjesh, në këtë kulm të dëshpërimit, shfaqet i paftuar Besimi, i cili pahetueshëm e ka ndjekur atë dhe i del përpara në çastin kur Laura, ka humbur shpresat. Dashuria e tij e çiltër, maturia e skajshme, s’ka se si të mos bëjë për vete shpirtin e vrarë të Laurës, dhe nga kjo njohje, personazhi rrëfimtar ka rezultatin, i cili përmbyllet me mbarsje dhe që ka të bëjë me të natyrshmen, domethënë reproduksionin e qenies njerëzore. Megjithatë Besimi dhe Bardha, janë pikat e shpresës, se megjithatë edhe përkundër rënieve, zhgënjimeve, gëzimeve, hidhërimeve, që i ofron nocioni jetë, ia vlen të jetohet, dhe sërish të përsëriten gjërat, e sërish të ngjitemi nga e para, se fundja filli i jetës është i destinuar për të përsëritshmen. Besimi dhe Bardha, janë personazhet që ngjallën shpresën për jetën dhe arsyen përse duhet vazhduar të jetohet. Epilogu i romanit megjithatë është një ogur i bardhë dhe na shfaqet si një ftesë për të kapur megjithatë shtegun për të jetuar dhe për “ ta fituar vetminë” , e cila shpesh na ndodh. Kur ta marrim e ta kundrojmë romanin “Përsëri përsëritet” të autores Qëndresë Halili, na del sheshazi, se atë s’mund ta lexojmë me një dorë, pa nuhatur edhe detajet… Në spektrin e pasurisë leksikore, autorja përpos mendimeve filozofike, të thëna qartazi, po sjell edhe një model të ri të të shprehurit, a rrëfimit artistik, siç do ta quante shumëkush, ku prurjet leksikore dhe mbarështrimet e mendimeve po sjellin vlera të reja në letërsinë shqipe në veçanti dhe letërsinë në përgjithësi.