Abuzuan me prokurimet, në pranga tre ish zyrtarë të Ministrisë së Brendshme

432
Sigal

Falsifikuan dokumentet për tendera fiktivë e rritën koston e kamerave me 76 milion lekë

Arrestohen me urdhër të Prokurorisë së Tiranës tre ish-zyrtarë të Drejtorisë së Prokurimeve Publike në Policinë e Shtetit, nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës” dhe “falsifikim të dokumenteve’. Bëhet fjalë për falsifikimin e projektit për vendosjen e kamerave të Tiranës, ku sipas hetimeve të realizuara nga prokuroria është konstatuar se tre ish-zyrtarët kanë rritur koston në vlerën e rreth 76 milion lekëve të reja.

Gjithashtu dyshohet se ish-zyrtarë kanë kryer procedura fiktive për tenderin, i cili është hapur pasi është bërë instalimi i kamerave. Të ndaluarit janë, K. Kukaj, ish-shef i Sektorit të Prokurimeve, A. Hysko, ish-specialist i Sektorit të Prokurimeve dhe B. Martini, ish-juriste e Sektorit të Prokurimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Nga hetimi i Prokurorisë, në bazë të materialit të referuar dhe me bashkëpunimin e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, rezulton se K. Kukaj ka konsumuar elementët e veprave penale në prokurimin publik për vendosjen e kamerave të Tiranës. Pas kryerjes së hetimeve është konstatuar se projekti i kamerave të Tiranës, zhvilluar në dhjetor të vitit 2010, është falsifikuar edhe në përmbajtjen e tij edhe në kosto, duke e rritur këtë te fundit me 75. 8 milionë lekë të reja mbi koston fillestare. Kjo pasi anëtarët e Komisionit të Negocimit të realizimit të procedurës për “Instalim i sallës operative dhe sistemit të kamerave të qytetit të Tiranës”, me  fondin prej 165.000.000 lekësh, të vëna në dispozicion të Policisë së Shtetit nga buxheti i shtetit”, kanë kryer procedura fiktive. Nga kryerja e  hetimeve mësohet se pasi janë kryer instalimet e nevojshme, anëtarët e komisionit kanë hapur procedurat e prokurimit publik. Çka nënkupton se procedura e prokurimit publik në këtë rast është tërësisht fiktive, pasi tenderi është realizuar pasi kishte përfunduar marrja e shërbimit. Prokuroria e Tiranës bën me dije se anëtarët e këtij komisioni në mos përmbushje të rregullt të detyrës, në kundërshtim me dispozitat ligjore që rregullojnë marrëdhëniet e vendosura për sigurimin e veprimtarisë se rregullt të aparatit shtetëror të mbrojtura posaçërisht nga legjislacioni penal, nga veprimet ose mosveprimet kriminale, me veprimet e tyre kanë sjelle pasoja të rënda në veprimtarinë e rregullt të strukturës ku ata kanë kryer funksionet e tyre në Policinë e Shtetit. Gjithashtu i kanë sjellë të tretëve përfitime materiale dhe jo materiale të padrejta, duke dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit, duke konsumuar me dashje elementët e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”.

Dorentina HOXHAJ