Abuzimet e ujësjellësit, qytetarët: Nuk ka matës, vendosen fatura të larta afrofe

    474
    Sigal

    Qytetarët ankohen se paguajnë lekë për fatura uji të pakonsumuara prej tyre

     Problemet dhe abuzimet me ujin e pijshëm nuk kanë marrë zgjidhje, përveçse shtohen çdo ditë. Problemi bëhet edhe më i rëndë kur në shtëpitë e qytetarëve mungojnë matësit e ujit dhe ata janë të detyruar që të paguajnë faturat afrofe që u vendos ujësjellësi. Sipas konsumatorëve mosfunksionimi i sahateve e legjitimon vjedhjen e qytetarëve. Kjo është edhe një arsye që kompania nuk vendos sahate të rinj në disa zona. Kjo problematikë nuk është vetëm në kryeqytet, këtë problem kanë edhe zonat e Fierit, ku janë të përfshirë edhe disa  fshatra si: Sheq, Topojë, Apolloni. Me dhjetëra janë ankesat e konsumatorëve që nuk kanë matës për të përcaktuar sasinë e ujit dhe shpenzimet. Sipas ankesave të qytetarëve që vijnë në Shoqatën e Konsumatorit Shqiptar ka vite të tëra që kërkohet nga ujësjellësi  që të pajisen me matës dhe kjo nuk është bërë. Në Fier ka mbi 7-8 vjet pritje dhe as një reagim nga kompanitë.

    Probleme me orarin

    Vijnë në rritje ankesat e qytetarëve për ujin e pijshëm të rrjetit jo vetëm për sasinë, por edhe për cilësinë e tij. Të shumtë janë konsumatorët që nuk e përdorin as për larje ujin që vjen në çezmat e shtëpive të tyre, sepse është me erë të keqe. Sipas Shoqatës së Konsumatorit Shqiptar janë rreth 1215  ankesa për 6 muaj që kanë ardhur pranë kësaj shoqate. Dhe me gjithë përpjekjet informuese që janë bërë në drejtim të UKT dhe të sektorëve të pushtetit lokal nuk është marrë asnjë masë për përmirësimin e situatës. Qytetarët e kryeqytetit shprehen të irrituar me shërbimet që ofron ujësjellësi. Në prononcime për “Telegraf” ata janë shprehur: “Kemi shumë probleme me ujin, ka raste nuk na vjen fare në shtëpi uji. Plus që paguajmë fatura shumë të larta afrofre në të shumtën e rasteve në një kohë kur nuk na vjen uji”. Ndërsa paguajnë faturat e ujit qytetarët thonë se: “Nuk durojmë më në një situate, po paguajmë fatura pafund të ujit dhe si përfundim ujë nuk kemi. Ne blejmë ujë më autobote dhe me bidonë, pasi situata është tepër e vështirë”.

    Uji i pakonsumueshëm:

    Problematika e ujit të pijshëm nuk ndalet vetëm në mungesën e ujit dhe në rrjedhje të tij në pika të ndryshme. Por ajo zgjerohet më tej kur në ato raste që vjen uji ai është me erë dhe me ngjyrë në çezmat e qytetarëve. Disa nga pikat që kanë probleme me ujin që vjen me erë janë si më poshtë. Bulevardi Zogu i Parë, banorët e pallatit 51/1 ku janë 11 familje që ankohen për ujin e rrjetit në njësinë numër 9 se uji është me erë dhe i turbullt. Tek ish Dispanceria e vjetër uji është me erë dhe i turbullt.Poashtu e njëjta gjë ndodh edhe në Paskuqan dhe Bathore, ku qytetarët janë me ditë pa ujë. Situatë e vështirë është edhe në Balldre të Lezhës, ku banorët kanë 2 muaj pa ujë e pa drita. Në Durrës (Këneta- Shkozeti) kanë 3 javë pa ujë.  Në Kinostudio pranë Kodrës së Kuqe prej një muaji janë me  5-10 min ujë në ditë. Në rrugën Sadik Petrela qytetarët kanë 2 muaj pa. Në këtë zonë nuk ka as furnizim me bote.

    Dëmtime tubacioni dhe rrjedhje e ujit të rrjetit

    Mungesa e ujit në çezmat e qytetarëve  shkaktohet edhe nga dëmtimet e shumta që kanë tubacionet dhe që nuk ujësjellësi nuk merr masat për ti rregulluar. Nuk janë të pakta rastet në kryeqytet që ka dëmtime të tubacioneve që shkaktojnë më pas edhe rrjedhje të ujit. Shoqata e Konsumatorit Shqiptar në vëzhgimin e saj ka vërejtur se probleme të tilla ka në:

    1.Në Njësinë numër 10, ku sa herë që vjen uji në orarin e caktuar tregtarët mbushin ujë me bidonë  dhe e përdorin për të larë duart dhe freskuar territorin e tyre.

    2.E njëjta situatë ndodh edhe në Rrugën e Kavajës, prapa Fakultetit të Arkitekturës.

    3.Në rrugën “Myslym Shyri” janë dy tubacione që rrjedhin pranë pallateve të reja që janë në përfundim, pranë klinikës së syve.

    4.Rrjedhje të tubacionit ka edhe përballë “Hotel Europës” po në rrugën “Myslym Shyri”.

    5.Në rrugën “21 Dhjetori” ka rrjedhje dhe uji del në sipërfaqe pranë ISSH-së.

    6.E njëjta situatë është edhe në Laprakë, afër hetuesisë.

    Zona ku mungon uji

    1.Tek Vaskat pas “Misto Mames”  banorët ju janë drejtuar puseve të vjetra. Në Njësinë numër  6 Kombinat, janë rrugët “F. Bardhi”, “H. Stërmilli” me 30  min ujë në ditë. Rruga,  “Shaban Bardhoshi”, “Hamdi Cenoymeri”, Rruga e Qelqit ka shumë dëmtime të tubacioneve të ujit prej disa ditësh. Ankesa për mungesë uji ka edhe nga banorët e zonës së ish- Uzinës Traktori dhe nga banorët e ish- fabrikës së Antibiotikëve, ku ka mungesë dhe rrjedhje uji.