Abuzime skandaloze me çmimet e librave në shumë rrethe të vendit

    351
    Shpërndarja e teksteve shkollore është shoqëruar me problematika të ndryshme që në fillim të këtij procesi. Në shumë rrethe pati mungesa tekstesh, në Vlorë u bë bllokimi i një numri tekstesh, për shkak të mosshoqërimit me kupon tatimor. Në shumë qytete të tjera dhe në zona të thella, ende nuk është bërë shpërndarja e plotë e librave, edhe pse procesi mësimor ka një javë që ka filluar. Problematika e radhës në lidhje me procesin e shpërndarjes së teksteve shkollore nga menaxhuesit privatë, ka të bëjë me vjedhjen që ju bëhet qytetarëve, të cilët paguajnë më shumë para për një tekst shkollor, sesa është shënuar mbrapa librit. Shoqërimi me kupon tatimor, ka bërë që menaxherët privatë të teksteve shkollore të “rrjepin” qytetarët, duke i gënjyer këta të fundit, se çmimet e teksteve kanë ndryshuar me një urdhër nga lart, por se nga vjen ky urdhër asnjë nuk jep shpjegim. Apo shpjegimi tjetër që jepet nga këta shitës, është se: libri ishte botuar më parë, çmimi i librit është rritur, ndaj dhe çmimi i teksteve ka ndryshuar, duke u bërë kështu edhe më të shtrenjtë. Manipulime nëpërmjet kuponëve, por dhe mbivendosjes së një tjetër çmimi mbi atë ekzistent, ka bërë që shumë qytetarë, ta cilësojnë këtë një vjedhje të hapur, që po iu bëhet në mes të ditës. Dhe se, kontrollet në këtë pjesë kanë qenë të munguar. Një tjetër ankesë në lidhje me procesin e shitjes së librave, ka të bëjë me faktin se llojet e teksteve në kuponin tatimor nuk janë të shënuar, por tregtohen të gjitha tekstet me emrin “Libra”, duke mos cilësuar kështu emrin ekzakt të lëndës dhe çmimin përkatës. Ankesa në lidhje me këtë problem na vjen nga lagja “Kastrioti” në qytetin e Fierit, por nuk kanë munguar problematika të tilla dhe në shumë rrethe të tjera të vendit, të cilat sipas qytetarëve vijnë si pasojë e mungesës së kontrolleve nga ana e kontrolleve tatimore, por dhe nga vetë Ministra e Arsimit, institucion i cili edhe pse ka marrë shumë ankesa, përsëri nuk ka mundur të ngrejë një grup kontrolli për të shmangur këtë “vjedhje” të hapur që ju bëhet qytetarëve nga shitësit privat të teksteve shkollore.
    Sigal