Abdurahim Ashiku: Biografia dhe lufta e klasave

755
A nuk është kjo luftë biografike klasash ?
Të gjitha gazetat, të gjithë kanalet televizive, të majtë dhe të djathtë, të tokës e të qiellin, kryefaqeve me germa të zeza e me ngjyra, e kryelajmeve me bujë, kishin përsëri të parë dje dhe sot emrin e të ndjerit Hysni Milloshi; njeriut, shkrimtarit, poetit, dramaturgut, ish kryetar i Partisë Komuniste të Shqipërisë.

“Vrasja në lokal, në kërkim djali i Hysni Milloshit…”- maj 2016 “Vetë dorëzohet djali i Hysni Milloshit …” – shkurt 2017 . 
I dyshuari për vrasje, i vetë dorëzuari, nuk ka emër të vetin, nuk ka identitet të vetin, ka emrin dhe mbiemrin e babait(!) Në zakonin e shqiptarit, në kulturën popullore shqiptare, në kanunet që e kanë mbajtur gjallë ndër shekuj, vlera që na bëjnë krenarë, i vdekuri nuk trazohet. Lihet i qetë të prehet në amshim. Madje për të në valle burrash e në kuvende nuk flitet për keq, përkundrazi, kur bie fjala, flitet vetëm për merita. Prindi mban përgjegjësi për fëmijën sa është gjallë. Kur ikën nuk mban më përgjegjësi as për fëmijën, as për nipin e mbesën. Hysni Milloshi ka vlerat e veta njerëzore, të punës e të përkushtimit qytetar, ka edhe vlerat e tij politike të lidhura me të qenit kryetar i Partisë Komuniste në një periudhë të kalimit të vendit nga diktatura në demokraci. Për të flet dhe do të flasë historia, për aq vend sa zë dhe do të zërë. I biri nuk ka pse të përfolët për babanë, rutinë kjo e kohës së diktaturës. Ai mund të jetë shkencëtar për vlerat intelektuale të tij, mund të jetë edhe kriminel apo i dyshuar si kriminel në rastin në fjalë. Sikur lajmi dhe ndodhia e përcjellë të ishte “rast i vetëm” mbase do të kalohej” por citimet e prindërve, theksimet biografike për shkak të pasardhësve të tyre në hetime apo në vendime gjyqësore për krime të lehta apo rënda tashmë janë bërë një rutinë në lajme, një show 

mediatik bajat. Ata as më pak e as më shumë, janë “vëllezër binjakë” të linçimeve të gjyqeve, 

persekutimeve të kohës së diktaturës, kohë kur “djalë apo vajzë kulaku”, “nip apo mbesë ballisti”, të prisnin të ardhmen për vazhdimin e shkollës së lartë, vendin e punës, profesionin, të dyfishonin 

privimin e lirisë në gjykata. A nuk ishte dje kjo një luftë e pastër klasash? Kushdo që lexon në kryetituj gazetash “Djali i…” menjëherë i shkon mendja në “nenin biografik”, nen i pa shpallur por i pranishëm në dënim gjyqësor e moral. A nuk është sot kjo një luftë e pastër klasash? Lërini prindërit të prehen të qetë në botën tjetër. Mos ua trazoni kockat atje ku janë. Ata nuk duhet të përfolen e të merren nëpër këmbë për shkak të fëmijëve të tyre. 
Sigal