Abdulla Omuri: “Shtresat në nevojë janë harruar nga politika, ja plani për t’u përfaqësuar në Parlament”

    418
    Sigal

    INTERVISTA/Flet Kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Punës, Abdulla Omuri, për problemet e invalidëve

    Problemet e shtresave në nevojë që kanë të bëjnë me pensionet vazhdojnë që të mbeten të pazgjidhura. Ndër problemet kryesore për këto shtresa mbetet niveli i ulët i pensioneve dhe problemet që kanë të bëjnë me KEMP-et. Në lidhje me këto probleme dhe me mospërfshirjen në programet politike të problemeve të këtyre shtresave ka folur në një intervistë për “Telegraf”, Kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Punës Abdulla Omuri. Sipas zotit Omuri, asnjë nga partitë politike nuk i ka marrë në konsideratë nevojat e këtyre shtresave. Por sipas zotit Omuri, këto shtresa do të afrohen me një parti politike me qëllim që të kenë një përfaqësues në Parlament që të ngrejë zërin për këto kategori.

     -Zoti Omuri, a kanë marrë zgjidhje problemet që i kanë shqetësuar invalidët e punës që kanë të bëjnë me masën e vogël të pensioneve dhe a ka ndonjë dritë jeshile për zgjedhjen e tyre?

    -Unë ju falënderoj për intervistën dhe dua t’ju shpreh falënderimet e mija që i trajtoni problemet sociale të shtresave në nevojë. Problemi më i theksuar i shtresave në nevojë sot është problemi i varfërisë dhe kushtet e vështira social-ekonomike. Kur

    themi kushtet e vështira social-ekonomike kemi parasysh nivelin e ulët të pensioneve. Po ashtu këtu kemi parasysh edhe nivelin e lartë të papunësisë. Dihet që qeveria shqiptare radhitet ndër vendet që ka ratifikuar konventën e OKB-së për personat me aftësi të kufizuar. Po t’i referohesh nenit 27 të konventës për personat me aftësi të kufizuar do të shohim që punësimin e bën detyrim ligjor ose obligim të qeverive që merren me këtë shtresë.

     -Po në lidhje me rimbursimin e ilaçeve për këtë kategori çfarë po bëhet, a po zbatohet kjo pjesë e ligjit, e cila parashikon rimbursimin e ilaçeve?

    -Po, edhe çështja e rimbursimit të ilaçeve është një problem shqetësues më vetë, i cili nuk ka marrë ndonjëherë zgjidhje. Në ligj thuhet që invalidët e plotë i përfitojnë ilaçet falas dhe invalidët e pjesshëm i përfitojnë me gjysmë çmimi. Pra, mund të flas vetëm për invalidët e punës dhe unë mund të them që në 90% të rasteve nuk zbatohet kjo e drejtë ligjore për invalidët e punës. Ajo mund të zbatohet vetëm 8 % në rastin e vizitave që bëhen në spitalet publike apo qendrat shëndetësore publike. Pra, janë shumë kategori që u takon marrja e ilaçeve falas, por kjo nuk zbatohet. Një problem tjetër që hasin invalidët e punës ka të bëjë me shpërndarjen e pagesave për invalidët e punës.

     -Konkretisht, ku qëndron problemi me shpërndarjen e pagesave për invalidët që ju përmendët më lart?

    -Po, ne kemi pasur herë pas here në fund të vitit për marrjen e pagesave në fund të vitit. Dhe këto kanë ardhur për arsye se pushteti vendor administron fondet që vijnë nga Buxheti i Shtetit dhe që janë të destinuara për personat me aftësi të kufizuara. Kjo është një shkelje e hapur e legjislacionit, sepse nuk mund të administrohet një zë vendor që nuk është i destinuar për pushtetin vendor. Ndërsa në lidhje me shpërndarjen e pagesave tani po ecet normalisht, por problemi më i madh qëndron në fund të vitit. Dhe kjo për arsyen se në fund të vitit kujtojnë se po i disbursojnë këto persona. Tani për tani nuk kemi probleme, por niveli i të ardhurave lë shumë për të dëshiruar. Sepse është e përcaktuar në ligj që sa herë të rriten çmimet në treg, aq herë duhet të ketë indeksim të pagave, por kjo nuk bëhet dhe kjo është mungesa ligjore. Ne i kemi kërkuar, por asgjë nuk është bërë. Aktualisht nuk ka vullnet për ta zbatuar këtë.

     -Duke qenë se, jemi në një fushatë elektorale, si i shihni premtimet e partive për shtresat në nevojë. A janë në planet e tyre?

    -Askush nuk ka marrë përsipër akoma gjendjen e keqe të 60 mijë invalidëve të punës. Deri tani s’kemi parë asnjë premtim në programet elektorale për përmirësimin e kushteve të këtyre shtresave. Dhe ne normalisht që nuk do të rrimë duarkryq, ne në fund të muajit prill ne do të mbledhim Këshillin Kombëtar dhe do të marrim një parti politike që nuk i është dëgjuar zëri dhe ne jemi në gjendje që ta çojmë atë në Parlament me votat tona. Normalisht që, do të kemi një marrëveshje juridike që nuk mund të shkelet. Dhe përfaqësimi jonë në Parlament do të bëjë të mundur edhe fitimin e disa të drejtave. Dhe unë mund të them që ata që do të përkrahin shtresat në nevojë, do të kenë shanse që të fitojnë edhe pushtetin, në të kundërt nuk kanë për të fituar.

     -Çfarë po bëhet me procedurat për KEMP-in dhe a ka ndryshime?

    -Duhet të kemi parasysh që është folur për përgatitjen e ndryshimeve për kriteret mjekësore për përfitimin e KEMP-it. Kjo bëhet më shumë për personat që përfitojnë nga ligji 9355, që trajtohen nga shërbimi social shtetëror. Do të ishte shumë e favorshme që të shtohet edhe punonjësi social në KEMP dhe mendoj që do të përfshihet. Por është dhe një nismë tjetër që nëse personi që ka humbur një dorë apo një këmbë nuk përfiton pension të plotë, të bëhen disa kategorizime të tjera që janë të rëndësishme dhe të futen tek invalidët e pjesshëm. Unë uroj që këto propozime të mos ngelen në letër, të ketë një vullnet për t’u parë, profesionalisht unë jam i mendimit që duhen bërë, për t’u ardhur në nevojë këtyre shtresave.