Abdulla Omuri: Përllogaritja e pensionit, jo i drejtë për invalidët e punës

    712
    Sigal

    Flet Abdulla Omuri, kreu i Shoqatës së Invalidëve të Punës në Shqipëri, për vështirësitë që hasen

    Jeta për kategorinë e invalidëve të punës nuk është e lehtë, kjo pasi përveçse të diskriminuar në shumë raste, përballen dhe me një sërë problemesh të spektrit ekonomik e social. Në vendin tonë përllogariten rreth 50 mijë invalidë të punës, të cilët trajtohen me pension, sipas kategorive përkatëse. Ndonëse për ta është përcaktuar një pension nga shteti, në varësi të dëmtimeve që kanë pësuar në punë, ai ngelet i papërballueshëm pothuajse nga të gjithë dhe nuk plotëson nevojat e tyre jetësore. “Shoqata e invalidëve të Punës së Shqipërisë është miratuar më 06.12.1991. Ajo ka mbi 50 mijë anëtarë. Nga këto 37%  janë femra. Bëhet fjalë për një Shoqatë Kombëtare e shtrirë në të gjithë territorin, me 36 Degë të Shoqatës në të gjithë vendin. Mosha mesatare është 49.4 vjeçe, nga të cilët 63% janë kryefamiljarë, 10% janë femra kryefamiljare, 12% janë burra e grua invalide, 9% janë me pension të reduktuar dhe 6 % kanë dalë në pension pleqërie, ku fëmijët e tyre janë rritur. Përbërja familjare është 5.2 deri në 6.7 persona në familje.”-kështu shprehet për “Telegraf”, Abdulla Omuri, kreu i Shoqatës së Invalidëve të Punës në vendin tonë.  

    Kategorizimi i pensioneve të invalidëve të punës

    Pensionet e invalidëve janë të ndara në tre kategori, kjo sipas dëmtimeve që ata kanë pësuar në punë. Kështu, si më poshtë vijon;

    -invalidë të plotë mbi 33300  me një pension mesatar mujor 13607 lekë në muaj + 3300 lekë ndihmë paaftësie = 16 907 lekë në muaj;

    -invalidë të pjesshëm mbi 19700 me një pension mesatar mujor  7703 lekë në muaj + 2200 lekë ndihmë paaftësie  =  9503 lekë në muaj;

    -invalidë të ish-kooperativave bujqësore 3000 me një pension mesatar mujore 5860 lekë në muaj +  3300 lekë ndihmë paaftësie =  9160 lekë në muaj.

    Shpenzime mujore të detyrueshme që duhet të përballojë një familje e invalidit të punës;   

    *   Pagesa mujore  për energji elektrike  mesatarisht në muaj                      4670     lekë

    *   Pagesa mujore   për ujë                         =             =       =                                 890     lekë 

    *   Pagesa mujore e telefonit                       =             =       =                                730     lekë

    *   Pagesa mujore për bukë me një familje 5-6 persona                                  12600     lekë

    *   Pagesa mujore   për ushqime      =           =      =             =                            13300    lekë

    *   Pagesa për ilaçe  të detyrueshme  për invalidin   në muaj                            9840     lekë

                                   Shuma    mujore                                                           42030      lekë në muaj

    “Në këtë shifër shpenzimesh nuk janë përfshirë artikuj si : mish, fruta, detyrime të tjera familjare, libra për fëmijët në shkollë apo shpenzime të tjera operative që i nevojiten një familje për të jetuar. Çdo individ, institucion shtetëror apo shoqëror që dyshon në këto fakte, jemi të gatshëm të paraqesim si argumente faturat reale të shpenzimeve”,-vijon më tej z.Omuri.

     Kush quhet invalid pune në bazë të legjislacionit në fuqi?

    Invalidët e punës janë ajo pjesë e shoqërisë, të cilët janë aksidentuar në punë, janë me sëmundje profesionale, apo sëmundje të përgjithshme që kanë ardhur si rezultat i punës. “Nga pikëpamja ligjore, invalidët e punës janë ajo kategori personash që trajtohen me pension invaliditeti nga sistemi i sigurimeve shoqërore. Pra kjo kategori invalidësh ka qenë kontribuues në skemë dhe sot gjenden më të diskriminuarit  në të ardhurat e tyre”,-thekson zoti Abdulla Omuri, kreu i Shoqatës së Invalidëve të Punës në Shqipëri. Më tej z. Omuri bën jep disa argumente se pse kjo pjesë e shoqërisë gjendet në vështirësi të mëdha ekonomike-financiare. Sipas tij, përllogaritja e pensionit të invalidëve të punës, ndonëse mund të kenë plotësuar vitet e tyre të punës, ata nuk trajtohen po me të njëjtat kushte si pjesa tjetër e shoqërisë. “Me gjithë objektivin e Qeverisë në lidhje me ngritjen e pensioneve nga viti në vit dhe sidomos, nga viti 2006 dhe në vazhdim, pensionet e invaliditetit ngelen shumë prapa. Përjashtimi i parë për invalidët e punës ka ndodhur në vitin 2006, ku me VKM 461 dt.21.06.06, “Për kompensimin e të ardhurave mujore të pensionistëve”, të gjithë pensionistët më pension pleqërie përfituan nga 500 lekë në muaj, ndërsa invalidët e punës jo. Përjashtimi i dytë është bërë me ligjin 9588 dt.25.07.2006 “Për rillogaritjen e Pensioneve”. Në bazë të këtij ligji u rillogaritën të gjitha pensionet e pleqërisë të caktuara që nga viti 1994 dhe deri në vitin 2005. Pensionet e invalidëve të punës nuk u përfshinë në këtë rillogaritje”,-thotë Abdulla Omuri.

    Përse nuk zbatohet legjislacioni?

    Sipas kreut të Shoqatës së Invalidëve të Punës në Shqipëri ka disa arsye përse nuk zbatohet legjislacioni. Kështu, ai rendit disa nga shkaqet;

    – Nuk ka një angazhim objektiv, për të vlerësuar këtë shtresë në bazë të standardeve ndërkombëtare, apo të paktën për t’u afruar me vendet e tjera fqinje, ku përfitimet e invalidëve të punës të këtyre vendeve  janë 3 -fishe më të mëdha se tonat;

    – Hartohen projektligje, projektvendime apo dalin udhëzime të ndryshme dhe në asnjë rast nuk merret mendimi i grupit të interesit siç janë invalidët e punës. Koha ka vërtetuar se çdo akt ligjore apo nënligjor, i cili është miratuar pa mendimin e invalidëve të punës është zbatuar shumë pak, ose ka dështuar totalisht;

    -Janë prishur raportet e përfitimit, kontribuues jo kontribuues; që do të thotë se një invalid i lindur që nuk ka qenë kontribuues, përfiton të ardhura 3 herë më shumë se një invalid pune që ka qenë kontribuues në skemë. Në këtë rast kemi edhe shumë informalitet në lidhje me trajtimin e invalidëve të punës.

    – Ligjet kontestojnë njëri- tjetrin. Ligji bazë i cili përcakton të drejtat e invalidëve të punës, (Statusi i invalidëve të Punës, Kushtetuta e Shqipërisë, mënjanohen në mënyrë absurde me ligje të tjera, VKM, apo Vendime të Këshillave Bashkiake, të Komunave apo Qarqeve).

    Sipas kreut të Shoqatës së invalidëve të Punës, trajtimi i invalidëve ndryshon shumë në krahasim me ato të vendeve fqinje. Kështu në Mal të Zi, një invalidë punë i plotë përfiton pension invaliditeti mujore 322 euro. Ndërkohë ai përfiton shtesë si humbje paaftësie sipas kategorisë së humbjes paaftësisë nga  90 euro deri në 230 euro. Ndërsa në Maqedoni një invalidë punë i plotë përfiton pension invaliditeti 382 euro, ndërsa një invalidë i pjesshëm sa 50% e pensionit të plotë.