Abdulla Omuri: “Përfitimi i KEMP-it bëhet dhe nga njerëz të veshur me pushtet politik”

    591
    Sigal

    Intervistë/Flet Abdulla Omuri, kreu i Shoqatës së Invalidëve të Punës në Shqipëri

    Korrupsioni i sistemit shëndetësor në vendin tonë ka bërë folenë edhe në dhënien me pa të drejtë të invaliditetit, për arsye përfitimi, nga mjekë të KEMP-it. Çuditërisht, vitet e fundit është rritur shumë numri i invalidëve.  Në lidhje me këtë problematikë ka folur në një intervistë për “Telegraf”, Abdulla Omuri, kreu i Shoqatës së Invalidëve të Punës në Shqipëri, i cili nuk mohon mundësinë e dhënies së invaliditetit me pa të drejtë, se “këto ndodhin në Shqipëri”. Omuri mendon se “vetë përfitimi i KEMP-it bëhet dhe nga njerëz politikë, ose me ndikim politik”. Por ai mendon se ky informalitet e ka një zgjidhje: “Ne jemi të gatshëm që në bashkëpunim me të gjitha strukturat, të operojmë, të studiojmë dhe të verifikojmë një për një pensionet e invaliditetit”.

     Zoti Omuri, gazeta “Telegraf” ka ngritur shqetësimin e korrupsionit të mjekëve të KEMP-it, të cilët në këmbim të ryshfeteve, i japin invaliditetin personave të cilët nuk e meritojnë. A ka njerëz që e përfitojnë me të padrejtë invaliditetin, duke qenë se ju këto gjëra i prekni më nga afër?

    Së pari, unë do t’ju falënderoj për shkrimin,  të cilën unë e lexova sot me shumë kureshtje, në lidhje me statistikat. Por, për t’ju përgjigjur pyetjes suaj, duhet të keni parasysh që 80 % e shkrimit tuaj në gazetë qëndron në lidhje me marrjen e pensioneve, ndoshta të pamerituara. Nuk dua të them ndoshta të pamerituara, mund të them ndoshta për probleme teknike.

    Çdo të thotë probleme teknike?

    Do ketë probleme teknike, sepse nuk janë marrë masat, ose rekomandimet, ose nuk është plotësuar dokumentacioni i saktë që kërkon KEMP-i. Shpeshherë mund të ketë dhe probleme të tilla, që për mua janë të jashtëligjshme, por që në Shqipëri ndodhin.

    Cilat janë këto për shembull?

    Ata mund të jenë, duke përjashtuar mekanizmat e tjerë, sepse nuk kemi fakte të tilla, por ekziston edhe një fakt tjetër që vetë përfitimi i KEMP-it bëhet dhe nga njerëz politikë, ose me ndikim politik.

    A duhet reformë dhe a ka individë invalidë pune që e kanë përfituar këtë status pa e merituar?

    Këtë nuk mund ta them ekzaktësisht, ne kemi parashtruar dhe kemi paraqitur versionin tonë me krijimin e Qeverisë së re. Ne jemi të gatshëm që në bashkëpunim me të gjitha strukturat, të operojmë, të studiojmë dhe të verifikojmë një për një pensionet e invaliditetit.

    Që do të thotë?

    Të bëhet një kontroll, normalisht që askujt mos t’i mohohet e drejta e pensionit të invaliditetit, sepse ndonjëherë ne mendojmë që fitojmë, por bëjmë dhe një dëm të madh duke shkelur të drejtat e njeriut, në sajë të diagnozës që mund të ketë. Pra, nëse këtu nuk është zbatuar legjislacioni, nuk janë marrë në konsideratë rekomandimet dhe kërkesat që kërkon KEMP-i, atëherë duhet të merret parasysh që këtyre njerëzve do t’u ndërpritet. Por kjo nuk mund të bëhet me fushata, se t’i heqësh tjetrit copën e bukës, kur nuk është as në gjendje për të punuar, pra sëmundja lë shumë për të vepruar, këtu nga njëherë bëhen dhe gabime. Atëherë duhet të jemi shumë të matur dhe gjëja më e mirë se bashkëpunimi 3 palësh: institucione shoqërore, shoqëri civile dhe vetë individët të cilët pretendojnë invaliditet është gjëja më e mirë. Në vitin 1998, për herë të parë e ka bërë Hungaria këtë program dhe mund të themi se Hungaria ka sistemin e pensioneve sot për sot më të mirën në Europën Lindore. Pra, atje ka përfaqësues të grupeve të interesit dhe në Këshillin Administrativ të Sigurimeve Shoqërore, atje ku merren dhe zbatohen politikat, apo rekomandimet, jo siç ka qenë tek ne deri tani, ku 70% janë institucione shtetërore dhe janë lënë jashtë Shoqata e Pensionistëve dhe Shoqata e Invalidëve të Punës. Pra që këtu, në Këshillin Administrativ duhet vënë dorë dhe duhet kërkuar kokrra atje ku duhet. Pra, në Këshillin Administrativ të Institutit, ku merren rekomandimet, shikohet rregullorja e KEMP-it, mund të thërrasim dhe mjekët e kempit atje në intervistë për të raportuar, shikohen dhe jepen dhe emra konkretë. Mund të them që Shoqata e Invalidëve të Punës është një nga shoqatat më të organizuara në Shqipëri, bashkë me Shoqatën e të Verbërve që do të thotë, ne në çdo komunë kemi përfaqësuesin tonë. Ne e dimë se kur vdes personi, normalisht ne nuk e dëshirojmë kurrë që të vdesin njerëzit, por e dimë dhe kur është invalid për efekt të sistemit të Sigurimeve Shoqërore si invaliditet, apo të Ligjit 9355 si person me aftësi të kufizuar. Pra, gjithë Shoqata e Invalidëve të Punës me stafin e saj prej 127 vetash, në shkallë Republike, që kanë më se 23 vjet që janë specializuar dhe janë  në gjendje të dallojnë diagnozat edhe mekanizmat e tyre që janë deri në këto momente. Pra duhet të merret në konsideratë trepartitizmi që quhet; grup interesi, punëmarrës dhe punëdhënës. Është një element që eliminon korrupsionin, eliminon dhe gjëra të pamerituara, por i ndihmon edhe ata që vërtetë kanë nevojë. Pra, këtu është çelësi i suksesit, mbi të gjitha për t’iu përgjigjur pyetje suaj që a ka njerëz që e marrin pa e merituar invaliditetin. Po të bëhet një organizim i tillë nuk ka gjë që nuk mund të bëhet.

    Si e shpjegoni faktin, që edhe pse popullsia ulet, rriten invalidët e punës, kur dihet që tashmë që papunësia është shtuar?

    Invalidë pune quhen të gjithë ata persona që marrin pension invaliditeti nga shteti, nga ligji 7703 që kanë qenë në marrëdhënie pune dhe kanë kontribuar, ose sipas ligjit 9377 datë 20.05.2005 kanë pasur  një vjetërsi pune dhe si të tillë ata bëjnë efekt për invalidë të plotë, të trajtohen si invalidë pune. Ligji 9377, normalisht, është një ligj i standardeve se më parë edhe nëse kishte mbi 20 vjet punë dhe aksidentohej duke mos qenë i siguruar në atë moment, nuk merrte pension. Ky ishte një krim kundër njerëzimit dhe me mekanizmat tonë dhe me disa specialistë të mirëfilltë, u hartua ky ligj, ku si model u mor Çekia dhe ne e implementuam. Me këtë problem, dua të them që ne duhet të kemi parasysh që nuk jemi në atë standard që të themi që janë shtuar invalidët. Krahasuar me vendet e rajonit jemi shumë më pak. Psh., ne sot në Shqipëri kemi 61 mijë vetë invalidë pune, kurse Maqedonia, që ka popullsi më të vogël se ne, ka deri në 86 mijë invalidë pune. Me organizimin e Këshillit Administrativ që thashë më lart, duhet të përjashtojmë ato raste ku kemi njerëz të veshur me pushtet etj etj, të tëra ato janë kalimtare, në mos sot apo nesër ata do të ikin, por është shkelje e të drejtave të njeriut nëse ai ka punuar një jetë të tërë dhe ti nuk i gjendesh sot në invaliditet. Pra nuk mund të themi, se me të vërtetë sot nuk ka vende pune, por puna e rëndë që ka bërë më parë si psh ne të minierave, ndikon sot. Mosha duke u rritur, shëndeti duke të lënë, pra, dhe si koncept logjik, apo shkencor del që sëmundjet shtohen. Po ashtu janë sëmundjet profesionale që janë dhe më të rrezikshmet dhe ata njerëz nuk gëzojnë as pensionin, tani që është rritur dhe mosha e pensionit. Pra, kjo është diçka që vlen shumë për të parë. Unë e thashë dhe një herë, që nuk mund të themi që nuk janë shtuar, por as mund të themi që janë shtuar. Janë të dyja anët e medaljes.

    Manipulatorët e invaliditetit të përballen me drejtësinë

    Shkrimi problematik i datës 23 shtator 2013 i gazetës “Telegraf” për manipulatorët invalidë dhe “kontributit” të dhënë nga mjekët e KEMP-it në këtë drejtim, falë ryshfeteve, ka ngjallur shumë interes në mbarë shoqërinë shqiptare, në specialistë, por dhe në grupet e interesit.

    Kompania e sigurimeve hedh në gjyq kryetaren e KEMP-it

    KMCAP-ja Tiranë i ka dhënë invaliditetin një personi, i cili ndërkohë, sipas të dhënave, jo vetëm që nuk është invalid, por jeton dhe punon në Greqi, madje është kontribues atje në sigurime shoqërore. Komisioni që i ka dhënë invaliditetin, i ka kërkuar një shoqërie private sigurimesh në Shqipëri të paguajë deri në 200 mijë euro për këtë person. Kompania ka hedhur në gjyq një nga kryetaret e KMCAP-it, që sot është e veshur me pushtet në mjekësinë universitare. Gazeta “Telegraf” do të investigojë në Prokurori dhe pranë kompanisë së sigurimit për këtë çështje. Është e paimagjinueshme që një person është dhe drejtues i një shërbimi shëndetësor në qendrën spitalore “Nënë Tereza”, edhe drejtuese e mjekësisë universitare, edhe kryetare KMCAP-i, por edhe ka të drejtën që të vendosë barna mjekësore shumë të shtrenjta në spitalin që drejton për shkak të lidhjeve të krushqisë me drejtuesin më të lartë të ISKSH-së.

    Reagimi i specialistëve

    Specialistët përkatës thonë se anëtarët dhe kryetarët e KEMP-it duhet të ndërrohen çdo 5 vjet, sipas legjislacionit. Po si shpjegohet që Dr.Mentor Petrela apo Dr. Jera Kruja kanë qëndruar në pozicionin e kryetarit të KMCAP-ve (Komisionit Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë) për më shumë se 5 vjet (më shumë se 10-15 vjet)? Duhet të investigohen të gjitha firmat për çdo rast (dosje) dhe për shkeljet e konstatuara, autorëve t’u vihen prangat dhe të shkojnë në burg.

    Reagimi qytetar

    Të shumta kanë qenë reagimet në emisionin e mëngjesit të datës 23 shtator 2013, “Koha për tu zgjuar” në televizionin NEVVS 24, që drejtohet nga moderatori Bashkim Hoxha. Një teleshikues nga Peqini denoncoi një rast duke u shprehur se: “Shumë invalidë që përfitojnë pension invaliditeti nga KEMP Elbasan, e marrin padrejtësisht dhe me miqësi, sepse një pjesë e madhe e tyre janë biznesmenë dhe kanë aktivitete private (disa prej tyre drejtojnë automjet Taksi) dhe atyre që u takon me të drejtë, sipas gjendjes shëndetësore të rënduar, të dokumentuar nga epikriza e lëshuar nga Spitali i Elbasanit dhe fletëdrejtimi i marrë nga mjekët specialistë të pavioneve përkatëse, nuk e përfitojnë se nuk kanë të paguajnë. Në Elbasan nga 600 veta që përfitojnë pension invaliditeti, 500 prej tyre e përfitojnë me pa të drejtë.”

    Info

    -KLSH mbi bazën e materialeve të botuara në gazetën “Telegraf” të datës 23 shtator, të kontrollojë zbatimin e detyrave të lëna nga inspektorët e KLSH-së dhe masat administrative që kanë marrë drejtuesit e ISSH-së ndaj mjekëve të KMCAP-së që janë punonjës të Drejtorive Rajonale të Sigurimeve Shoqërore dhe mjekëve të institucioneve spitalore të cilët janë anëtarë të KMCAP-së në drejtoritë dhe degët e Sigurimeve Shoqërore.

    -Ministria e Shëndetësisë, nga ana e saj, duhet të kontrollojë të gjithë KMCAP-të e drejtorive rajonale dhe degëve në rrethe të Sigurimeve Shoqërore për të parë aftësitë dhe kompetencat profesionaleve të mjekëve që janë caktuar anëtarë të KMCAP-ve, të rivlerësojë kriteret e caktimit të anëtarëve dhe kryetarëve të KMCAP-ve dhe afatet e qëndrimit në detyrë si anëtarë të KMCAP-ve.