Abdulla Omuri: “Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale, po mban pezull pagesat për invalidët”

    344
    Sigal

    Flet për “Telegraf”, kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Punës, Abdulla Omuri, për kushtet e vështira ekonomike

    Invalidët edhe pse kanë më shumë se katër muaj pa marrë ndihmën e paaftësisë ekonomike, duket se edhe për festat e fundvitit kjo kategori nuk do ketë mundësi që ti gëzohet atyre pak parave që marrin. Arsyet e vonesave nuk janë kuptuar nga invalidët, por ajo që duket me është se këto persona nuk e marrin edhe për festat e fundvitit ndihmën e paaftësisë që u takon sipas ligjit. Edhe pse janë zhvilluar disa protesta në disa qytete edhe pse janë bërë kërkesa të shumta përsëri kjo çështje nuk ka marrë zgjidhje. Në lidhje me situatën aktuale të invalidëve ka folur për “Telegraf”, Kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Punës, Abdulla Omuri. Zoti Omuri thekson se, situata për këto kategori në këto ditë dimri është shumë e vështirë, pasi nuk kanë me se ta përballojnë jetën. “Është i patolerueshëm fakti që janë lënë tërë këto muaj pa marrë ndihmën e paaftësisë invalidët në tërë vendin. Kjo kategori nuk ka para për të ngrënë bukë, ndërkohë që të tjerët do të festojnë”, thekson zoti Omuri. Ai ka sqaruar se ka komuna që nuk e kanë marrë ndihmën e paaftësisë prej katër muajsh. Ndihma e paaftësisë bazohet në bazë të ligjit  9143, datë 16.10.2003, ku invalidët e plotë marrin 3300 lekë nga pushteti vendor dhe invalidët e pjesshëm marrin 2200 lekë. Këto janë të ardhura që shkojnë çdo vit nga buxheti i shtetit në Ministrinë e Punës dhe çështjeve  Sociale.

    Ministria e Punës është përgjegjëse për vonesat

    Sipas kryetarit të shoqatës së Invalidëve të Punës Abdulla Omuri, pengesa kryesore që nuk po u jepen pagesat invalidëve është Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale. “Kemi që nga viti 2009 që Ministria e Punës abuzon me këtë fonde. Në prag të festave ka ndodhur gati çdo vit që dy tre muaj e fundit nuk merren të ardhurat. Pra, në një periudhë ku të gjithë festojnë vetëm invalidët e punës nuk marrin ato pak para që u takojnë që nga 2009”, shprehet Omuri. Ai shton se ka komunikuar me Ministrinë e Punës, ose më saktë është munduar që të komunikoj nëpërmjet shkresave, por nuk ka marrë ndonjë përgjigje të saktë. Ai shton se: “Unë kam komunikuar me ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale dhe u kam thënë që kjo kategori nuk ka bukë për të ngrënë dhe në momentin që pjesa tjetër do festojë. Ka pasur  mjaft zona që nuk i kanë marrë lekët. Nëse do të isha unë ministër do të jepja dorëheqjen, pasi kjo është një paturpësi e madhe që të mos u japësh pjesën e parave që u takon këtyre personave me ligj”.  Një justifikim i papërgjegjshëm që është bërë nga Ministria e Punës ka qenë që janë futur shumë të rinj. Por kjo nuk është e vërtetë sipas zotit Omuri, pasi ai sqaron se ne kemi shifra që nuk janë shtuar aspak numri i invalidëve, aq më tepër pastaj që janë hequr edhe numri i personave që nuk jetojnë. “Kështu që nuk është justifikim ky, as që nuk janë planifikuar në buxhet nuk është e vërtetë. Nuk janë të vërteta që justifikimet e ministrit Ksera dhe mund të them me bindje që kjo qeveri do të ketë një kosto nga kjo kategori vetëm prej këtij ministri. Këtu është një mungesë përgjegjshmëri që ka ministri dhe Ministria e Punës. Unë nuk bëj me faj qeverinë, por unë bëj me faj ministrin që nuk i menaxhon si duhet fondet dhe po abuzon me ‘to”, shprehet zoti Omuri.

    Invalidët të harruar për festat e fundvitit

    Ashtu si çdo kategori tjetër edhe kategoria e invalidëve ka të drejtë që të festojë, shprehet zoti Omuri, i cili i bën thirrje institucioneve përkatëse për të marrë masa në këto ditë të fundit të vitit që të japin pagesat e invalidëve. Ai sqaron se, i vetmi institucion përkatës, i cili ka përgjegjësi për dhënien e këtyre pagesave është Ministria e Punëve dhe Çështjeve Sociale. “ Ne kemi marrë një shkresë, ku Ministria  e Financave, e kalon përgjegjësinë për këtë tek ministria e Punës. Kështu që ne nuk kemi asnjë problem me institucionet e tjera, por i kemi problemet me këtë ministri , sepse ajo po i zvarrit këta njerëz dhe po i lë pa festuar dhe pa gëzuar në këto ditë festash”, sqaron zoti Omuri. Ai ka shtuar se unë po akuzoj drejtpërdrejt ministrin Ksera dhe jam i gatshëm që të përballem me të në çdo moment. Ai ministër nuk ka zbatuar ligjin.

    Korçë, invalidët në protestë

     Protestojnë sërish invalidët, duke e cilësuar të pajustifikueshme vonesën e dhënies së pagesave të paaftësisë për punë ose siç quhen ndryshe të KEMP-it.  Dy ditë pas protestës së tyre të parë dhjetëra invalidë të qytetit të Korçës kanë protestuar sërish për mosmarrjen e pensioneve të invaliditetit. Sipas tyre, kjo është një padrejtësi e madhe për këtë kategori njerëzish, të cilët të vetmet të ardhura i kanë nga ky pension, ndërsa prej muajsh nuk arrijnë të marrin as medikamentet e domosdoshme për ta.