Abdulla Omuri: Diskriminohen shtresat në nevojë, ndërsa deputetët dhe administrata i marrin rrogat e tyre në kohën e duhur

    520
    Sigal

    Personat me aftësi të kufizuar, 6 muaj pa marrë pagesën e paaftësisë

    Kategoria e njerëzve me aftësi të kufizuar, 149,392 përfitues nuk kanë marrë prej muajsh pagesën e paaftësisë. Duke qenë se ata janë vlerësuar nga komisionet përkatëse (KMCAP) si të pa aftë për punë, kjo pagesë për ta është e vetmja e ardhur, që kanë për të jetuar. I pyetur nga gazeta “Telegraf” Abdulla Omuri, kreu i Shoqatës së Invalidëve të Punës në Shqipëri, shprehet se “Gjendja është mjaft e rëndë. Siç jeni në dijeni ne invalidët e punës kemi mbi 5-6 muaj pa marrë paratë. Ne duhet të paguajmë dritat dhe CEZ-i nuk thotë se:- Na i paguani dritat kur t’u japë Qeveria lekët-, por të pret dritat. Ndërmarrja e Ujësjellësit nuk thotë:- Paguaj ujin kur të japë Qeveria lekët-, por po nuk pagove, të pret ujin. E kështu me radhë të gjitha shërbimet. Sëmundjet tona nuk thonë që nuk dhembin, se nuk ju ka dhënë Qeveria paratë”. Z.Omuri tregon se para disa ditësh u bë e mundur dhënia e një pakice lekësh për disa kategori; si të verbrit dhe paraplegjikët, ndërsa për invalidët e punës u është thënë që do të jepen në fund të Nëntorit dhe fillimi i Dhjetorit. “Unë vazhdoj të besoj se këtë vit invalidët e punës nuk do të ngelen me sy përpjetë me rastin e festave të fundvitit, si vitin e kaluar. Asnjëherë nuk dëgjova të ankohet administrata shtetërore, apo Deputetët. Ata i marrin rrogat e tyre në kohën e duhur, vetëm për shtresat në nevojë ndodh ky diskriminim” shprehet z. Omuri. Ai tregon se për këtë situatë ka vënë në dijeni edhe Kryeministrin, Ministrin e financave dhe Ministrin e Punës. “Kemi ndjekur të gjitha rrugët institucionale, edhe pse fëmijët tanë kërkojnë bukë në shtëpi. Mendoj, se për të shlyer 2 muaj, të paktën duhen rreth 300 milion lekë të reja” shprehet z. Omuri. Ai vazhdon më tej duke thënë se “kategorisë së njerëzve me aftësi të kufizuar u është mohuar një e drejtë jetike për ta. Ata nuk kanë se ku të gjejnë të ardhura të tjera, ndaj është e turpshme t’u mohohet pagesa e ndihmës së paaftësisë, e cila në rrethe të caktuara ka 6 muaj që nuk jepet”.

    Pjesë nga e-maili, nisur Kryeministrit

    I nderuar Z. Kryeministër!

    Në radhë të parë ju uroj shëndet! Urime për detyrën tepër të vështirë, por jo të papërballueshme. Ju drejtohem në emër të mbi 61 000 invalidëve të punës, të cilët jetojnë në varfëri ekstreme. Kësaj varfërie i shtohet edhe problemi që kanë nga 5- 6 muaj pa marrë lekët. Në fillim të Nëntorit u dha një sasi lekësh për të verbrit dhe paraplegjikët dhe jo për invalidët e punës. Unë e kuptoj gjendjen tepër të rëndë financiare që lanë ata të parët, por duhet bërë diçka, se edhe neve jemi të detyruar të lëshojmë, ndonëse jetojmë siç u thashë në kushtet e varfërisë ekstreme.

    Jemi në pritje!

    Ndihma ekonomike me pagesat për PAK, Bisha: 3 muaj pa pagesa

    Personat me aftësi të kufizuar, si dhe ata që trajtohen me ndihmë ekonomike, prej disa muajsh nuk marrin pagesat e tyre. Drejtoresha e Shërbimit Social Shtetëror, Etleva Bisha bën të ditur se ky ngërç financiar është krijuar për shkak të keqpërdorimit të fondit nga qeveria e mëparshme. “Praktikisht në momentin që ne kemi marrë detyrën, 96% e fondit vjetor të ndihmës ekonomike dhe të pagesës së aftësisë së kufizuar ka qenë e përdorur nga paraardhësit tanë. Nga sa kemi identifikuar ne, kjo ka ardhur për shkak të rritjes abuzive të skemës së ndihmës ekonomike dhe të pagesës së aftësisë së kufizuar. Rritje abuzive, e cila ka ndodhur në periudhën e fushatës elektorale. Fondet e çelura në 31 tetor ju kanë dhënë mundësi njësive vendore që të marrin pagesën për një muaj. Kjo e dimë që nuk e zgjidh problemin, por jemi përpjekur që fondin ta rishpërndajmë në mënyrë që në radhë të parë të adresojmë nevojat e grupeve që janë më në nevojë. Kemi pasur një çelje fondi në lidhje me ndihmën ekonomike në datën 7 nëntor, dhe sërish u kemi kërkuar njësive të qeverisjes vendore që të trajtojnë me këtë fond familjet të cilat janë më në nevojë. Çelja e fundit e fondeve është bërë në 18 nëntor, për personat me aftësi të kufizuar duke ndjekur të njëjtat kritere”,- deklaroi Bisha. Zonja Bisha shpjegon se po bashkëpunohet me Ministrinë e Financave për gjetjen e fondeve, por ende nuk ka siguri se kjo kategori do të marrë pagesat brenda vitit. “Këtu tek ne rezulton që pagesat e prapambetura variojnë nga dy deri në tre muaj. Ende po punohet për të krijuar mundësitë që fondet të sigurohen dhe njerëzit ti marrin, grupet në nevojë, ti marrin pagesat brenda dhjetorit, por sërish mbeten në kuadrin e përpjekjeve. Në momentin që do të kemi fonde të tjera patjetër që do ti çelim”,- u shpreh Bisha. Duke filluar nga viti i ardhshëm, pritet të ndërmerret një reformë e re në skemën e ndihmës ekonomike dhe atë të trajtimit të personave me aftësi të kufizuar, me qëllim shmangien e abuzimeve.

    Fatura me kamatëvonesa për njerëzit me aftësi të kufizuar

    Ndërsa ka muaj që nuk jepet pagesa e paaftësisë, këtyre njerëzve në nevojë faturat e energjisë, ujit apo telefonit u kanë ardhur çdo muaj. Në kushtet e vështira ekonomike në familjet e njerëzve me aftësi të kufizuar, edhe për shkak të mosmarrjes së pagesës së paaftësisë, këto fatura kanë ngelur pa u paguar. Por problemi nuk mbaron këtu, sepse duke kaluar koha, mbi këto fatura rëndon edhe kamatëvonesa. Kjo është e padrejtë, pasi nuk mund t’u kërkohet këtyre njerëzve të paguajnë fatura me kamatëvonesa, ndërkohë që vetë shteti nuk është korrekt dhe nuk u7 jep mundësinë këtyre njerëzve për të bërë pagesat e faturave në kohë. I pyetur për këtë problem, abdulla omuri u shpreh se “llogjikisht dhe juridikisht unë s’kam si të paguj, kur nuk më japin pagesën e paaftësisë. Askush nuk më detyron dot, të paguaj faturën e jo më pastaj kur bëhet fjalë edhe për kamatvonesën”.

    Vlorë/ Skandal, Ndihma Ekonomike jepet me këste

    Ndihma ekonomike është kthyer në makth dhe nevojë emergjente për mijëra e mijëra banorë të qytetit të Vlorës të cilët nën minimumin jetik kanë muaj pa e marrë atë. Ky shqetësim ngrihet nga një qytetare vlonjate e cila kishte shkuar për të marrë ndihmën e ekonomike prej 6 500 lekësh, por atje i kishin dhënë vetëm 1500 lekë duke i thënë që për pjesën tjetër duhet të vinte një herë tjetër, sepse shteti aq kishte mundësi të jepte. “Është e turpshme që shteti të na japë ndihmën ekonomike me këste, sepse bukën, ushqimet, dritat, ujin dhe çdo gjë tjetër ne nuk i paguajmë dot me këste. Me aq pak sa trajtohemi ne nga shteti, por dhe këtë të na e japë pjesë-pjesë? Po çfarë të bëj unë më parë me këtë 1500 lekësh? Kjo është Rilindja që na kanë premtuar?”, shprehet qytetarja. Edhe pse shuma që ata përfitojnë është tepër e ulët, vlonjatët shprehen se as këto “kacidhe” nuk po i marrin dot njëherësh, por pjesë-pjesë.

    Sa është numri i përfituesve të PAK

    Përfituesve e pagesës PAK, 149.392 individë, prej të cilëve:

    Të verbër 11.843

    Paraplegjik dhe tetraplegjik  6.022

    PAK mendor e fizik  51.010

    Nr.  i kujdestarëve është  18.303

    Nr.  i invalidëve të punës   62.214

    E-maili dërguar Ministrit të Financave, z. Shkëlqim Cani

     

    Lënda: Kërkojmë ndihmën e paaftësisë për 61 mijë invalidë pune, që kanë 6 muaj pa e marrë  

    Drejtuar : Z. SHKËLQIM CANIT  (Ministër i Financave)

    I nderuar  Zoti Ministër!

    Po ju bëj me dije Z. Ministër dhe kërkoj për 61 mijë invalidët e punës të bëhet e pamundura për të marrë paratë që ju mungojnë prej 6 muajsh. E kuptojmë situatën në të cilën ndodhen financat e shtetit dhe pozicionin tuaj të vështirë, por, Z. Ministër, buka e fëmijëve tanë  është dhe duhet të jetë prioriteti juaj dhe Dikasterit tuaj. Duhet të kuptojmë, Z. Ministër, se krahas gjendjes së vështire ekonomike të kësaj kategorie është detyrim ligjor i Qeverisë apo Dikasterit tuaj dhe i Ministrisë së Mirëqenies Sociale.

    Po ju japim statistikat reale të invalidëve të punës sot aktualisht në vend:

      * Invalidë pune, aktualisht, në shkallë vendi janë mbi 61 000. Mosha mesatare 48.7 vjeç. Përbërja familjare 5 deri në 6 persona në familje. 68%  e këtyre invalidëve të punës janë kryefamiljarë, 8% janë burrë e grua invalidë, 10% janë burra të divorcuar nga familjet, vetëm për shkak të invaliditetit, 6% janë gra invalide të divorcuara nga burrat, vetëm për faktin se janë invalidë dhe vetëm 8% kanë fëmijët e rritur.

    • Invalidë të plotë; mbi 35400, me një pension mesatar mujor 14607 lekë në muaj + 3300 lekë ndihmë paaftësie = 17 907 lekë në muaj.

    • Invalidë të pjesshëm; mbi 22200, me një pension mesatar mujor  7703 lekë në muaj + 2200 lekë ndihmë paaftësie  =  9503 lekë në muaj.

    • Invalidë të ish-kooperativave bujqësore; 3400, me një pension mesatar mujor 5860 lekë në muaj +  3300 lekë ndihmë paaftësie =  9160 lekë në muaj.

    Shpenzime mujore të detyrueshme që duhet të përballojë një familje e invalidit të punës:   

      *   Pagesa mujore  për energji elektrike,  mesatarisht në muaj             4670     lekë

      *   Pagesa mujore  për ujë                         =             =       =                    890     lekë

      *   Pagesa mujore e telefonit                       =             =       =                  730    lekë

      *   Pagesa mujore për bukë me një familje 5-6 persona                      12600    lekë

      *   Pagesa mujore  për ushqime      =           =      =             =               13300    lekë

      *   Pagesa për ilaçe të detyrueshme për invalidin në muaj                     9840    lekë

                                   Shuma    mujore                                                        42030   lekë në muaj

    Z. Ministër, kjo është situata e invalidëve të punës të cilët kanë qenë kontribues në skemë dhe janë më të diskriminuarit nga trajtimi financiar në Rajon. Po ju dërgojmë edhe grafikun sipas rretheve që ia kemi dërguar edhe zv/ Ministres së Mirëqenies Sociale në lidhje me këtë problem.

    Jemi në pritje të përgjigjes nga ana juaj!

    Shoqata e Invalidëve të Punës së Shqipërisë

    Presidenti, Abdulla OMURI

       box

    Ndihma e paaftësisë për invalidët e punës që nuk është ndarë sipas rretheve

           Rrethet                        Bashkitë  në muaj         Komunat  në muaj

    1-         Tropoja                   3                                       3

    2-         Hasi                         2                                       3

    3-         Kukësi                    2                                       3

    4-         Puka                        2                                        2

    5-         M. Madhe                2                                       2

    6-         Shkodra                   2                                       3

    7-         Lezha                      2                                        3

    8-         Mirdita                    3                                        3

    9-         Kurbini                   3                                        3

    10-       Mati                       4                                         5

    11-       Bulqiza                   2                                        2

    12-       Peshkopia               2                                        3

    13-       Kruja                       2                                        3

    14-       Durrësi                    3                                       3

    15-       Kavaja                      3                                       3

    16-       Peqini                        3                                       3

    17-       Gramshi                     5                                       5

    18-       Elbasani                      3                                       3

    19-       Librazhdi                     2                                       4

    20-       Pogradeci                    3                                        5

    21-       Korça                         5                                       5

    22-       Devolli                        2                                        3

    23-       Kolonja                       3                                        3

    24-       Lushnja                        2                                       3

    25-       Berati                           2                                       3

    26-       Kuçova                       2                                       2

    27-       Skrapari                       3                                        3

    28-       Fieri                             2                                        3

    29-       Mallakastra                  3                                        3

    30-       Tepelena                      2                                        2

    31-       Gjirokastra                   3                                        3

    32-       Përmeti                         2                                      3

    33-       Saranda                         2                                      3

    34-       Delvina                          2                                      3

    35-       Vlora                              2                                      3

    36-       Tiranë                           2                                       3