Abdulla Omuri: Arsyet se përse po mashtrohen invalidët për pagesat e paaftësisë dhe deklaratat kontradiktore

    433
    Sigal

    INTERVISTA/Flet Kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Punës, Abdulla Omuri për pagesat

     Edhe pse ka filluar shpërndarja e pagesave të paaftësisë për invalidët, janë një pjesë e madhe e qyteteve që nuk i kanë marrë. Në lidhje me situatën e krijuar ka folur në një intervistë për “Telegraf”, Kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Punës, Abdulla Omuri. Zoti Omuri është shprehur se vetëm një pjesë e vogël i kanë marrë pagesa, ndërsa pjesa tjetër nuk i ka marrë. Sipas zotit Omuri, faji për këto vonesa është i Ministrisë së Punës dhe hedh poshtë deklaratat që janë bërë nga drejtues të kësaj ministrie që ka vetëm një muaj pa u marrë kjo pagesë.

     -Zoti Omuri, para  pak ditësh Ministria e Punëve dhe Çështjeve Sociale, bëri të ditur se do të bëhen pagesat e prapambetura për invalidët. Aktualisht cila është situata?

    -Unë kam kontakte të vazhdueshme me degët e mija të rretheve. Dhe për këtë po ju jap një panoramë të përgjithshme të situatës. Është bërë pagesa për Sarandën me përjashtim të dy komunave, Pogradeci i ka marrë dhe këtu po flas për të prapambeturat, pasi për janarin nuk bëhet fjalë fare. Ka disa rrethe që nuk kanë marrë as dhjetorin. Në momentet që po flasim janë pa marrë pagesat Korça plus komunat, bashkia e Maliqit së bashku me Devollin, Kurbini bashkë me komunat, Lezha i ka marrë pjesërisht, pasi disa komuna nuk i kanë marrë. Po ashtu nuk i ka marrë as Elbasani me komunat, Lushnja pjesërisht. Natyrisht, në Tiranë pritet t’i marrin disa komuna që janë të prapambetura, por nuk i kanë marrë. Në Shkodër ka disa komuna që janë të prapambetura, në Pukë nuk i kanë marrë, në Has janë disa komuna që nuk i kanë tërhequr dhe në Kukës tre komuna nuk i kanë marrë paratë. Kam pasur kontakte me Këshillin e Ministrave dhe është e qartë që krejt faji është i Ministrisë së Punës. Me titullarë të Ministrisë së Punës, që kanë bërë deklarata kontradiktore dhe jo transparente unë nuk kam mbajtur kontakte. Por di që deri më 25 janar do të merren të gjitha pagesat e prapambetura.

     -Nga informacionet që ju jepni rezulton që shpërndarja nuk është bërë e njëtrajtshme, përse ka ndodhur një gjë e tillë, cilat janë pengesat?

    -Natyrisht mua nuk më intereson që të gjej faktorë të tillë dhe të jap shkaqet se përse kanë ndodhur. Këtu ka një keqdashje, sepse është një detyrim ligjor dhe kushtetues për t’u zbatuar dhe nuk mund të thotë askush që është kjo arsye apo ajo arsye. Duke filluar që nga autoritet që kanë detyrën për të bërë detyrën duke filluar që nga Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale deri poshtë duhet të përgjigjen në kohë detyrimit ligjor dhe kushtetues. Mua nuk më intereson fare se si ndodhi, sepse për mua nuk janë të besueshme ato që thuhen. Sepse ne sot jemi në moshën e internetit siç thotë kryeministri dhe fondet lëvrohen nëpërmjet bankave dhe nuk ka është çështje parash. Por është mungesa e vullnetit që nuk realizohet kjo punë dhe kjo mungesë vullneti është për shtresa në nevojë që nuk kanë para të ngrënë bukë. Ju mund ta keni parë se si qanin njerëzit në Lushnje që tregonin se kishin ngrënë bukë e kripë ditën e festave dhe ky është një krim njerëzor.

     -Nga shoqata juaj dhe nga protestat e bëra ka rezultuar që janë afërsisht katër muaj pa marrë pagesat. Ndërsa nga Drejtoresha e Shërbimit Social në një intervistë për “Telegraf” është thënë që nuk është bërë pagesa vetëm për muajin dhjetor. Janë dy qëndrime kontradiktore, mund të na thoni diçka në lidhje me këto qëndrime?

    -Me gjithë respektin që kam për drejtoreshën mund të them që ose nuk ka informacion, ose ashtu i kanë dhënë informacionin e gabuar. Unë jam i gatshëm që të shkoj në bazë, pasi ka tre muaj dhe katër muaj. Jam i gatshëm që të shkoj për transparencë në çdo rreth. Edhe Ministri i Punës pati deklaruar në fillim që vetëm një muaj është papaguar, por pastaj ndryshoi qëndrim dhe tha që ka pasur disa neglizhenca. Transparenca që nga titullarët duhet të vazhdojë, ajo duhet të jetë e pranishme, sepse është njerëzore. Në shkresa është lëvruar fondi, por fakt është që nuk janë tërhequr nga të tërë. Mund të ketë shumë shkresa, por veprimi lë shumë për të dëshiruar.

     -Po ashtu vonesat janë justifikuar nga drejtoresha e Shërbimit Social me arsyen se janë rritur në mënyrë fiktive shifrat e personave që duan të përfitojnë pensione dhe verifikimi i tyre do edhe kohë. A është e vërtetë kjo?

    -Unë mund të flas vetëm për invalidët e punës që përfaqësoj unë, mund të them që nuk është aspak e vërtetë që janë rritur shifrat. Nëse do i hyjmë problemeve teknike, unë mund të them që janë 296 veta pasi janë ndarë nga jeta. Po ashtu janë hequr 4 mijë veta nga invalidë të plotë janë bërë të pjesshëm dhe këtu bëhen kursime nga 1000 mijë lekë për person. Dhe janë shtuar 1800 të pjesshëm dhe kjo kursen më shumë nga 4213. Ne kemi statistika të sakta se na vijnë listat të sakta nga rrethet. Të rinj janë shtuar 78 invalidë. Shifrat që japin qoftë nga Ministria e Punës dhe qoftë institucione të tjera, them që janë të pabaza dhe unë jam i gatshëm të jap statistika. Dhe po ju them edhe njëherë që flas vetëm për invalidët e punës.

    Korçë, protesta për mosmarrjen e pagesës së paaftësisë

    Prej dy ditësh personat me aftësi të kufizuara në qytetin e Korçës u janë rikthyer protestave, ngaqë nuk e kanë marrë ende pagesën e paaftësisë. Pas protestës në dyert e Këshillit Bashkiak, ku iu premtua nga Kryebashkiaku, Niko Peleshi, marrja e kempit, ata i janë drejtuar bankës për tërheqjen e pagesës, por edhe dje në mëngjes atyre u është thënë se paratë nuk kanë kaluar.  Në qytetin e Korçës ka rreth 3000 persona me aftësi të kufizuar që nuk e kanë marrë pagesën e paaftësisë. Për pjesën dërrmuese të kësaj kategorie, këto janë të ardhurat e vetme me të cilat blejnë ushqime dhe ilaçe.