Abdelaziz Benzakour: Ndihem edhe pak shqiptar, e dua shumë Shqipërinë

519
Sigal

Abdelaziz Benzakour- President i Nderit i Shoqatës të Ombudsmanëve të Mesdheut

Në festimin e 15 vjetorit të institucionit të Avokatit të Popullit, një ndër miqtë e shumtë të ftuar, ishte edhe Abdelaziz Benzakour, President i Nderit i Shoqatës të Ombudsmanëve të Mesdheut, i cili, në fjalën përshëndetëse, vlerësoi rolin dhe kontributin e Avokatit të Popullit, por edhe të titullarit Igli Totozani, sidomos në pjesëmarrjen aktive në forumet përkatëse ndërkombëtare, ku, madje, Avokati i Popullit është edhe presidenti i Shoqatës të Ombudsmanëve të Mesdheut. Gazeta “Telegraf” e ftoi zotin Abdelaziz Benzakour në intervistën ekskluzive, ku midis të tjerave, zoti Benzakour pohoi që ndihet edhe pak shqiptar dhe se “e dua shumë Shqipërinë”, pasi këtu në Shqipëri ka shumë miq.

-Zoti Benzakour, cila është përshtypja juaj për rolin që ka luajtur Avokati i Popullit në Shqipëri, por edhe në organizmat përkatëse ndërkombëtare që kryeson dhe në të tjera ku është anëtare e tyre?

– Ju falënderoj, që më bëtë nderin të më thërrisni dhe të më merrni intervistë. Do përpiqem t’ju jap një përgjigje në atë masë sa ç’di unë. Gjëja e parë që mund t’ju them është që e dua shumë Shqipërinë. Është e dyta herë që unë e vizitoj Shqipërinë. Hera e parë ishte në fundqershorin e 2014-s, me rastin e mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të Ombudsmanëve të Mesdheut, në të cilën, në këtë Asamble, miku im, Avokati i Popullit i Shqipërisë, Igli Totozani u zgjodh me unanimitet President i Ombudsmanëve të Mesdheut. Unë e uroj popullin shqiptar për faktin që ka një institucion kaq të rëndësishëm, si Avokatin e Popullit dhe pata rastin në këtë vizitë të fundit timen në vendin tuaj, që të konstatoja punën e tij, preokupimet e tij, qoftë brenda Shqipërisë, qoftë edhe në nivel ndërkombëtar. Me këtë rast që më jepni, dua të evokoj edhe një herë festën e rëndësishme, ku morëm pjesë, në 15 vjetorin e Avokatit të Popullit shqiptar, ku ishte i pranishëm edhe Presidenti i Republikës të Shqipërisë. Ky festim tregoi qartë rëndësinë që ka për Shqipërinë, për popullin shqiptar institucioni i Avokatit të Popullit. I uroj jetë të gjatë institucionit Avokati i Popullit shqiptar, që festoi 15 vjetorin, ku pata rastin të merrja pjesë e të thosha 3 fjalë përshëndetëse, por që nuk përbëjnë të gjitha ato që mendoj unë në lidhje me rëndësinë që ka institucioni i Avokatit të Popullit.

– Cili është vlerësimi juaj për kontributin që jep kryesimi i Ombudsmanëve të Mesdheut nga Avokati i Popullit shqiptar?

– Pata mundësinë, që si ish Presidenti i kësaj shoqate, të Ombudsmanëve të Mesdheut, pata rastin që të vlerësoja rolin që luante Avokati i Popullit shqiptar, që në atë kohë. Aktualisht Shqipëria, nëpërmjet personit të Avokatit të Popullit, Igli Totozani, drejton shoqatën e Ombudsmanëve të Mesdheut dhe besoj që, nëpërmjet njohurive të tij, asaj ç’ka di të bëjë, e jam i sigurt që zoti Totozani do të dijë të përdorë gjithë ato njohuritë që ka për të mbrojtur qytetarët, të administruarit nga problemet që mund të lindin nga përballjet me administratën publike.

Sipas jush, cilat janë mekanizmat dhe politikat që do t’i japin Avokatit të Popullit atë rol që duhet në shoqëri, për të kryer  misionin e tij?

– Nuk i njoh sa duhet mundësitë ligjore që i janë dhënë Avokatit të Popullit në Shqipëri. Por, besoj, se parimet që udhëheqin çdo Avokat të Popullit, çdo Ombudsman, në çfarëdo vendi që të jetë, ai duhet të jetë në krahun e qytetarëve, por kjo nuk do të thotë që, kur administrata gabon, Avokati i Popullit duhet t’i thotë administratës që ke gabuar. Kur gabon qytetari, Avokati i Popullit do t’i thotë qytetarit që ke gabuar.

– Cilat janë sfidat, me të cilat duhet të përballohet Avokati i Popullit, për të qenë mbrojtësi i të drejtave të qytetarëve?

– Duhet që ai të njohë saktësisht legjislacionin e vendit të tij. Duhet të studiojë imtësisht ankesat që i drejtohen, për të mundur të thotë atë që duhet, kujtdo qoftë. Duhen korrigjuar gabimet e administratës kur ajo i shkakton qytetarëve. Ai duhet t’u thotë qytetarit, nëse ai ka gabuar dhe përse ai ka gabuar. E njëjta gjë edhe për administratën publike. Dhe që duhet të shtyhet e të punojë gjithnjë për të mbrojtur të drejtat. Igli Totozani, si Avokati I Popullit, president i Ombudsmanëve të Mesdheut, para se ai të zgjidhej, të gjithë ne kemi bërë një deklaratë që çdo Ombudsman prej nesh, duhet të mbrojë jo vetëm çdo qytetar të vendit të tij, por edhe ata individë, të cilët nuk janë qytetarë të një vendi, por që ndodhen në atë vend, nga gabimet e administratës. Këtë angazhim ne e morëm vetë, të gjitha anëtarët e shoqatës të Mesdheut për të mbrojtur të drejtat e popullsive në të gjithë zonën e Mesdheut.

– Duke ju falënderuar për kohën që na dhatë për intervistën, të na përcillni përshtypjet tuaja gjatë kësaj vizite në Shqipëri, dhe çfarë doni t’u thoni miqve tuaj shqiptarë?

Dua t’u them miqve të mi shqiptarë,që duhet të mbështetin institucionin Avokati i Popullit në të gjitha nivelet që janë. Që nga qeveria, Parlamenti, shoqëria civile. Duhet të përdorin gjithë mjetet që kanë për ta mbështetur, sepse duke e mbështetur Avokatin e Popullit, në fakt, mbështetin vetveten. E drejta sot është universale dhe të drejtat e Njeriut janë universale. Dhe veprimi i medias, ndërmjetësimi institucional, është një çështje që u takon të gjithë njerëzve. Sot jam unë përgjegjës, por nesër mund të jeni ju. Çdo njeri duhet të ketë një rol për të luajtur, sot dhe nesër. Duhet të jetë një preokupim i të të gjithëve në mënyrë që ne të ecim përpara dhe të arrijmë ato vende, të cilat janë më të avancuara në fushën e demokracisë.

– Ju falënderoj dhe ju uroj të jeni mirë!

– Edhe unë ju falënderoj juve, personalisht juve, familjen tuaj, kolegët tuaj dhe gjithë popullin shqiptar. Populli shqiptar ne na ka bërë nderin, duke zgjedhur Avokat të Popullit Igli Totozanin, i cili është i sigurt që do ta luajë si duhet këtë rol fisnik që i takon.

Jakup B. GJOÇA