A vriten poetët?

    430
    Sigal

    Në 24- vjetorin e varjes  së “Martirit të Demokracisë”, Havzi Nela


    U vranë poetët. Përse u vranë? Mos vallë kishin kryer ndonjë krim? Jo. Ata shkruanin vetëm vargje. Shkruanin për lirinë, për atdheun, për dashurinë. A mund të vritet poeti pse shkruan vargje? Një gjë e tillë ndodhte në shtetin që pretendonte se luftonte për  lumturinë e qytetarëve të vet, në shtetin që thoshte se luftonte për të drejtat e njeriut, në shtetin ku po krijohej “njeriu i ri” i socializmit që do të bëhej varrmihësi i këtij kombi. Megjithatë ata mbijetuan. Mbijetuan me vargjet e tyre. Mbijetuan me idealet e tyre. Ata kishin një pasion, një dëshirë të madhe për të shkruar. Donin të shkruanin atë që mendonin, atë që ëndërronin. Por jetonin në një kohë ku sistemi totalitar mbyste mendimin e lirë që në lindjen e tij. Për t’ia arritur kësaj ai kishte shpikur një formulë po kaq totalitare të letërsisë dhe artit për t’ia kundërvënë mendimit të lirë, formulën e të ashtuquajturit “realizëm socialist”, një formulë absurde që ndrydhi talentet e mëdha dhe u hapi rrugën veprave standarde pa asnjë vlerë. Por nuk ia arriti qëllimit. Në morinë e madhe të atyre që talentin e vunë në shërbim të diktaturës, kishte edhe të tjerë që, megjithë masat shtrënguese, gjenin mënyrën për t’u shprehur. Talentet e mëdha i rezistuan çuditërisht shtrëngimeve absurde në format nga më të ndryshmet. Ata më stoikët pranuan më mirë plumbat në gjokset e tyre se sa përdhunimin e lirisë. Ata nuk bënë kurrë art të imponuar, duke marrë mbi vete edhe pasojat. Arti i tyre kishte brenda vetes të koncentruar një kod të brendshëm të demokracisë, lirisë dhe bukurisë njerëzore. Brenda këtyre veprave, nëpërmjet alegorizimeve apo formave të tjera artistike indirekte, jepeshin mesazhe të qarta të domosdoshmërisë së mendimit të lirë. Dora e poetit i hidhte këto në letër. Autori i lexonte dhe i rilexonte me vete, pa guxuar t’ia tregonte njeriu. Ndonjëherë arrinte me shumë mundime t’i botonte. Në to shkruhej për dhimbjen, për mallin, për shpresën, për gjithçka. Në këto shkrime sundonte besimi për të ardhmen edhe atëherë kur shumëkush e kishte humbur atë. Në pjesën më të madhe këto shkrime mbetën të panjohura për adhuruesit e letërsisë së vërtetë. Ato u shndërruan në “Kangë të pakëndueme”, me të cilat kënaqej vetëm autori i tyre dhe që prisnin një ditë “Me shpërthy dhe me u këndu pa frikë e pa zori”. Para syve më dalin vargjet e shquara të poetit të madh rus Mikhail Lermontov: U vra poeti! – rob i nderit –/ Ndër shpifje e thashetheme u shtri,/ Me etje hakmarrjeje prej vrerit,/     U mposht krenar me plumb në gji./ Në shpirt poetit s’iu durua,/ Dhunimin e turpshëm kur e pa,/ Përkundër fyerjes u çua, I vetëm si më parë…dhe ra! Kështu ranë dhe poetët tanë. Ranë për të mos u harruar kurrë, për t’u lartësuar si një memorial madhështor në piedestalin e martirëve të këtij kombi.

    Reshat KRIPA