A rrezikon sot ringjallja e nazi-fashizmit?!

673
Nga Gjon BRUÇI 

“Barku që e polli, ende s’është shterpëzuar”
Bertold Breht 
Më 23 Janar 2006, në prag të mbledhjes së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e cila do të miratonte Rezolutën për dënimin e “krimeve” të komunizmit, ish Kryetari i Partisë Komuniste të Shqipërisë, Hysni Milloshi, botoi broshurën me titull: “fashizmi troket në dyert e Evropës”, në fund të së cilës ai do të shkruante: “Projekt-rezoluta antikomuniste e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës do të mbetet në kronikën e zezë të librit të zi të kapitalizmit një aventurë e radhës që, gjithsesi na kujton se fashizmi po troket në dyert e Evropës, e se thirrja për vigjilencë e antifashistit çek Julius Fuçik mbetet aktuale!”
Pas 11 vitesh nga ky konstatim, fashizmi tashmë i ka kapërcyer “dyert” e Evropës. Ai ndodhet brenda Parlamenteve të dy shteteve më të fuqishme e më “demokratike” të Bashkimit Evropian, Francës e Gjermanisë. Në të parin me partinë e Maria Lë Pen, dhe në të dytin me AfD (Alternativa për Gjermaninë), ku në zgjedhjet e datës 24 shtator 2017 u fut në Bundestagun gjerman si parti e tretë parlamentare. Fakti që edhe pas 72 vitesh nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, farat e zeza të bacileve nazifashiste lulëzojnë sot në disa nga shtetet evropiane, si në Francë, në Gjermani, në Greqi etj. tregojnë se rreziku i tij, jo vetëm nuk është zhdukur, por po afrohet e gjallërohet çdo ditë. Nazi-fashizmi, nuk është një fenomen natyror e as hyjnor, të cilës nuk i shmangemi dot. Ai nuk është as një fenomen shoqëror, që ekziston e vepron objektivisht në historinë e popujve. Nazi-fashizmi është pjellë e sistemit kapitalist në fazën më të vështirë të tij me emrin “Krizë”. Edhe fëmijët e shkollave e dinë tashmë se fashizmi në Spanjë, në Itali e në Gjermani, lindi si rezultat i krizës social-ekonomike që kishte mbërthyer Evropën në vitet tridhjetë. Në ato vite, sistemi politik dhe ekonomik evropian, ishte vënë në pikëpyetje. Sikur të mos mjaftonte kriza e thellë ekonomike e atyre viteve, sëmundje ciklike kjo e këtij sistemi, përballë kapitalistëve evropianë dhe botërorë ishte vënë Fitorja e Revolucionit Socialist të Tetorit në Rusi, që kishte sjellë në pushtet klasën punëtore. Punëtorët rus, në aleancë me fshatarësinë dhe nën udhëheqjen e PK Bolshevike të Lenin – Stalinit, jo vetëm morën pushtetin, por edhe e mbrojtën atë kundër intervencionit të 14 shteteve kapitaliste që kërkonin të zhduknin Republikën e Sovjetëve që në lindje. Për më tepër, Republika e Sovjetëve, nën udhëheqjen e Stalinit, në vitet tridhjetë, arriti të ndërtonte bazat e socializmit, paradhomës së madhe të komunizmit. Sistemi borgjez përdor njëmijë e një mënyra për të ruajtur pushtetin dhe shtetin e tij. Një nga këto mënyra është dhe futja në lojë e puçeve dhe juntave ushtarake, dhe kur ato nuk ia arrijnë qëllimit, sjellin në skenë fashizmin që e mbajnë “të konservuar” në “laboratorin” e tyre politik. Vini re: Jehona e Revolucionit të Tetorit dhe rezultatet e tij, detyruan kapitalistët evropianë të nxirrnin në skenë Frankon në Spanjë, si provën e parë të nazi-fashizmit. Kur kriza u thellua, ata futën në lojë treshen naziste-fashiste-militariste (Boshtin Berlin – Romë – Tokio), dhe, jo rastësisht e ndërsyen kundër Bashkimit Sovjetik të Stalinit. Dhe, nëse imperialistët euroatlantikë hynë në “lojën” e Luftës së Dytë Botërore andej nga fundi i 43-shit, këtë e bënë sepse e kuptuan që përfundimi i kësaj lufte, ku morën pjesë pothuaj gjithë popujt, jo vetëm nuk do t’u sillte dobi, por përkundrazi mund t’u shembte gjithë ngrehinën e tyre disa shekullore. Nazi-fashizmin apo elementë të tij borgjezia në pushtet përdor edhe për të ruajtur influencat politike e ekonomike ndër shtetet e vendet vasale. A nuk ishte puçi ushtarak i kolonelëve në vitin 1967 në Greqi një veprim për të ruajtur dominimin amerikan në rajon? Kolonelët e atij puçi, pasi “restauruan” interesat amerikane në Greqi, në vitin 1974, ia “lëshuan” vendin “demokracisë”. Duke qëndruar në Greqi, le të hidhemi në ditët e sotme. A nuk është Greqia prej disa vitesh në një krizë të thellë politike dhe ekonomike? Dhe që kjo krizë të mos na pjellë ndonjë lëvizje jashtë “vathit” euroatlantik, pompohet “Agimi i Artë”, i cili megjithëse ka program të pastër fashist, kapardiset në parlamentin “demokratik”, si një siguresë për familjen e madhe kapitaliste të Bashkimit Evropian. Perspektivën e bacileve nazifashiste ne e pamë qartë këtu e njëmbëdhjetë vjet më parë, kur parlamenti evropian miratonte Rezolutën për dënimin e “krimeve” të komunizmit. Skema e propagandës dhe e luftës kundër komunizmit, që po përdor sot Bashkimi Evropian me institucionet e tij, është tëpkë me skemën hitleriane kundër komunistëve të Ernest Telmanit. Liderët kapitalistë të BE sot i kanë futur nazifashistët në parlamente, nesër nëse ua kërkon situata dhe interesi me siguri do t’i organizojnë në kuadrate të hirta për të përsëritur kasaphanën e Luftës së dytë Botërore. Po në vendin tonë, si qëndron situata? Shqipëria është një vend i vogël dhe si e tillë, edhe nëse vjen në pushtet junta fashiste, për Evropën është një e “keqe” e vogël e cila mund të kontrollohet e të mbahet në karantinë. Por nëse është një e keqe e vogël për Evropën dhe Botën, është një mjerim i madh për popullin shqiptar. Juntat e hapura fashiste mund të mos praktikohen në Shqipëri, por fashistizimi i jetës politike dhe ekonomike ka filluar tashmë. Dhe kjo është e mjaftueshme për të minuar një vend e një popull në interesat e tyre jetike. Klasa politike aktuale shqiptare, një klasë e degjeneruar plotësisht dhe gjer në thonj, jo vetëm është vënë kundër interesave jetike të popullit, por ka marrë plotësisht dhe pamjen e sjelljet naziskine. Sa më shumë thellohet kriza social ekonomike e vendit, aq më shumë politikanët në qeverisje, apo në pritje për t’u risjellë në pushtet, vihen në rolin e neonazistëve. Brenda në parlamentin aktual shqiptar tashmë janë të gjithë personazhet e dramës “Arturo Ui” të Bertold Brehtit: Edhe arturoui-të me emrat Berishë, Bashë, Alibeaj etj. të kupolës pëdëiste, edhe pleqtë e sojit Doksboru (Hindenburg) të kupolës socialiste që përbëjnë degët e së njëjtës pemë të sistemit aktual. Nëse sot në parlamentin tonë me emrin demokratik, lehin me të madhe Berishët, Bashët, Alibeajt etj, edhe pasi kanë vërtetuar me akte kriminale veprimtarinë e tyre fashiste, kjo është “meritë” e kupolës së Partisë Socialiste, e cila përveçse ngjyrës së flamurit, nuk ka asnjë ndryshim me të parët. Kupola e PS-së tashmë e ka ngjeshur aq shumë garuzhdën në çorbën e korrupsionit dhe të veprimtarisë antipopullore e antishqiptare, sa është bërë njësh me Asturi-Ui-Berishën e shokët e tij. Është kjo arsyeja që të dy palët, ndërsa ditën “endin” pëlhurën e Vettingut, gjatë natës, ashtu si Penelopa, e shthurin atë. Sigurisht Arturo Ui-të shqiptarë janë tepër të vegjël për të rrezikuar me nazi-fashizmin e tyre rajonin dhe Evropën, por siç thamë në krye, janë të mjaftueshëm për të mjeruar vendin dhe popullin tonë. Dhe ky mjerim është prezent duke ecur “kreshendo” që nga viti 1990 e në vijim. Nëse nga Lindja e Mesme, turmat e refugjatëve i largohen vendlindjes së tyre për t’i shpëtuar ISIS-it dhe luftës, mijërat e shqiptarëve vijojnë të marrin rrugët e Evropës e të Botës jo vetëm për kushte ekonomike, por edhe për t’ju larguar jetës së fashistizuar tashmë në vendin e tyre. Situata sot në Shqipëri është shumë e ngjashme me atë të Gjermanisë apo të Italisë në vitet tridhjetë. Krizë totale në të gjitha fushat social ekonomike. Drogë, korrupsion e prostitucion. Krime ordinere e të organizuara nga bandat me pjesëmarrjen e segmenteve të shtetit e të politikës. Shkelje e të drejtave elementare të qytetarit. Censurë e autocensurë në mjetet e informimit e të komunikimit. Abuzime permanente me votën e zgjedhësve. Mosndëshkim të krimeve që në 27 vjet demokraci, kanë krijuar një piramidë me të madhe se ajo e Keopsit, etj. , etj. Të gjitha këto së bashku kanë siguruar bazamentin e nevojshëm për ringjalljen dhe aktivizimin e bacileve të nazi-fashizmit në vendin tonë. Thirrjet më të fundit të naziskinëve pëdeistë, për ndalimin e simboleve të komunizmit, portreteve të Enver Hoxhës, manifestimeve të komunistëve e madje nxjerrjen e tyre jashtë ligjit, janë kopje e thirrjeve të Hitlerit në vitin 1933. Këto thirrje janë pasqyrë e krizës së Partisë Demokratike, e cila normalisht do të duhej nxjerrë jashtë ligjit që në ditët e para të veprimtarisë së saj, më së paku në vitin 1997, kur për “meritë” të saj u shkallmua shteti, ekonomia dhe shoqëria shqiptare. Por fakti se kundër këtyre thirrjeve ta hapura fashiste që, nxit katrahurën në gjirin e popullit tonë, nuk po ndjehet shteti si garantues i Kushtetutës, tregon qartë se shteti ka rënë, është bërë pjesë e këtij fashistizimi ose më së paku bandat neonaziste e kriminale ia kanë hipur në zverk, duke e paralizuar në misionin e tij në mbrojtje të demokracisë. Nga ana tjetër, heshtja e ndërkombëtarëve, veçanërisht e atyre evropianë që na kanë dhe në monitorim, ngjall pikëpyetje të arsyeshme, se dikush kërkon ta kthejë Shqipërinë në një “Iliricum” (si ai që dëshironin romakët e vitit 176 para Krishtit), të përshtatshme ndoshta për plehrat evropiane, e pse jo edhe për prova raketash si ato të Koresë së Veriut. Shqiptarët e dinë tashme historinë e popullit gjerman të viteve tridhjetë, kur neglizhuan thirrjen e komunistit Ernest Telman dhe i shkuan Hitlerit prapa si delet, duke përfunduar në “thertore”. Partia Komuniste e Shqipërisë, ndonëse punon e lufton si të ishte në ilegalitet, mundohet çdo ditë të sjellë në kujtesën e popullit historinë e shkuar, prej së cilës duhet të nxjerrim mësime. Ajo u bën thirrje forcave progresiste, intelektualëve, punëtorëve, fshatarëve rinisë dhe gjithë shqiptarëve të ndershëm për vigjilencë dhe për veprime praktike kundër bacileve të nazi-fashizmit, të cilat nëse lihen të lulëzojnë, do të na mjerojnë gjer në shkatërrim të plotë.
Sigal