A ka rrjedhje informacioni ngjarja e Remasit?

545
Sigal

Nga Kozma GJINI

RENEA, për të garantuar Rendin Publik apo për të terrorizuar qytetarët

Një vit më parë, në qytetin e Lushnjës ndodhi ngjarja e rëndë me pasojë humbje jete, anatemuar sërish sot në të gjitha mediat. Ndodhi sapo perëndoi dielli, në kohën kur qytetarët bënin xhiron e mbrëmjes, në kohën kur lokaleve rriten klientët. Në sy të njerëzve dhe të policisë, qitësi, u largua në “drejtim të paditur”. A thua se polici, që ishte aty atë çast, nuk ka pasur as gojë, as vesh, as sy, as celularë me vete. A thua se policët e pikave kyçe kanë qenë në gjumë. Pas një vit kërkimesh e hetimesh të specializuara dhe provash të besueshme, organet kompetente, një ditë me diell, dolën në konkluzionin se personat në kërkim strehoheshin në fshatin Remas dhe, duke u ngushtuar rrethi, me gjasë, strehoheshin në shtëpinë e Haxhi Likës. Forcat e RENEA ndërhynë dhe mirë, që nuk i morën jetën të zotit të shtëpisë me një plumb kokës, se personat në kërkim s’ishin aty. Kjo më kujton ngjarjen e Xhevdet Mustafës, që e rrethuan shtëpinë me tanke, po të paktën atje dihej se brenda ishte krimineli. Familjarët thonë se nuk kanë pasur askënd të strehuar, madje marrin përgjegjësinë se po të kishin të tillë, “do të quhemi bashkëpunëtorë me krimin”. Bukur. Si duket, kemi të bëjmë me një ngatërresë të tipit “romapërtoma”. Për një të sëmurë, kur mjekësia del në konkluzionin se pacienti duhet operuar, kërkon të afërmit apo vetë personin që të vërë firmën para se të nisë punën thika (përgjegjësi e madhe me rrezik jete). Shkurt, merr përsipër edhe mundësinë e vdekjes. Dhe policia kështu operon. Duhet që të ketë prova bindëse, të sigurta, të situra imtësisht e të kopsitura dokumentarisht, pastaj të ndërhyjë. A i ka pasur këto prova policia jonë? Kush është ai që e beson të kundërtën? Kush e beson që organet e sigurisë publike të kenë shkuar me hamendjen: “Mbase i kapim”? Ne policinë e kemi të depolitizuar e të rinovuar! Atëherë, pse dështoi aksioni blic i RENEA-s?

Me siguri që ka pasur rrjedhje të informacionit nga vetë uniformat blu.

Kjo është “Thembra e Akilit” të spektaklit të uniformave blu. Kushdo ka të drejtë të aludojë se mes uniformave blu ka dalë sekreti, dikush ka dekonspiruar. Duke bërë këtë akt tradhtie për shokët, këtë pabesi e ngulje thike pas shpine, polici është përfshirë në ryshfet dhe i ka shitur shokët dhe shtetin për pesë lekë. Në këtë mënyrë policët po vrasin njëri-tjetri, madje po bëjnë vetëvrasje (autogol). Lind pyetja:

– Pse pikërisht u vu në shënjestër shtëpia e Likës dhe jo një tjetër?

– Më në fund, tërë kjo zhurmë, tërë ky aksion i bujshëm policor për kapjen e të kërkuarit, pse dështoi në Lushnjë?

RENEA ndërhyn atëherë, kur ka një garanci provash 100% për atë çka synon. Madje, të drejtojë në fokus vetëm personin, pa cenuar asnjë jetë tjetër.

-Ku është shkalla e besimit të popullit për policinë?

Kjo tregon se akoma radhët e uniformave blu nuk janë në lartësinë që kërkon shteti i së drejtës. Përpara këtyre pabesive, të ngrënies në besë, veprimit pas shpine, qytetari ka të drejtë të shprehet se ka frikë të informojë, pasi nuk ruhet sekreti. Kjo është e pafalshme, madje e dënueshme.

Të spastrohet Policia e Shtetit nga konspiratorët

Jetojmë në Shqipërinë e re të pasigurisë. Dhe pa dyshim, pas Remasit, një zot e di se kush e ka radhën e plumbit. Pastaj… nga i thati, do të digjet edhe i njomi. Polic të tillë apo punonjës të sigurisë, që në njërën anë marrin rrogën nga taksapaguesit dhe dekonspirojnë qëllimin, nuk kanë vend në organet e shtetit. Kjo nxjerr përpara detyrën për përzgjedhjen, trajnimin e kualifikimin profesional të tyre. Duhen njerëz të zot, por edhe të pjekur në këto organe delikate, sa edhe të brishta. Dhe të tillë djem, populli ka me shumicë.