9 nga Kalatë kryesore të Shqipërisë ndriçohen nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit me rastin e 100 -vjetorit të Pavarësisë së vendit

    441
    Sigal

     FSHZH realizoi ndriçimin e mureve rrethuese të 9 kalave kryesore të Shqipërisë me rastin e 100 -vjetorit të Pavarësisë së vendit. Kalatë e përfshira në këtë projekt janë: Kalaja e Krujës, Elbasanit, Beratit, Lezhës, Kaninës, Gjirokastrës, Shkodrës, Prezës dhe Petrelës.

    Nëpërmjet këtij investimi, FSHZH kontribuoi në afirmimin e vlerave historike dhe kulturore të vendit si edhe në rritjen e të ardhurave të njësive vendore të përfshira në të, nëpërmjet promovimit dhe rritjes së aksesit në objektet e trashëgimisë kulturore.

    Gjithashtu, synoi që, t’i japë rëndësinë e duhur këtyre elementëve të trashëgimisë kulturore duke afirmuar vlerat historike dhe kulturore të Shqipërisë, në funksion të një fryme pozitive kombëtare dhe komunitare. Në realizimin e këtij projekti, FSHZH bashkëpunoi ngushtë me Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si edhe me njësitë e qeverisjes vendore që kanë në territorin e tyre këto kala.

    Punimet në këto kala janë realizuar dhe me bashkëpunimin e institutit të monumenteve të kulturës për të garantuar ruajtjen e vlerave te objektit të trashëgimisë kulturore.

    Drejtori Ekzekutiv i Fondit Shqiptar të Zhvillimit z. Benet Beci, shprehet se:

    “Në këtë 100 -vjetor, Fondi Shqiptar i Zhvillimit me të ardhurat e veta, kontribuoi për të nxjerrë në pah disa nga objektet më të rëndësishme të historisë së popullit tonë. Ne vlerësojmë se trashëgimia historike dhe kulturore nuk përbëhet vetëm nga objekte dhe struktura, por mbi të gjitha nga lidhjet shpirtërore që na mbajnë bashkë dhe përcaktojnë identitetin tonë. Aktualisht ka përfunduar ndriçimi i te gjitha kalave të përfshira ne projekt. Të gjitha këto kala të ndriçuara, ishin pjesë e dekorit festiv të 100 Vjetorit të Pavarësisë.

    Fondi Shqiptar i Zhvillimit vitet e fundit ka shtuar investimet e tij në mbështetje të promovimit dhe rritjes së aksesit në objektet e trashëgimisë kulturore dhe historike me synim fuqizimin e ekonomisë turistike në vend në nivel lokal dhe kombëtar duke mundësuar arritjen e një numri të madh objektesh të trashëgimisë kulturore dhe asaj historike. Të tilla janë investimet e kryera në rrugët për në Kalanë e Prezës, Kalanë e Skënderbeut (Kepi i Rodonit), Kalanë e Drishtit, Kalanë e Petrelës, Kalanë e Kaninës, qytetin antik të Antigonesë, Finiqit, Bylisit etj..

    Kalatë shqiptare mposhtin errësirën 500-vjeçare

    Engjell MUSAI

    FSHZH falë vizionit europian të drejtuesit të këtij institucioni Benet Beci më rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë kombëtare i ka bërë vendit dhuratën më të bukur në këto 100 vjet. Me sa duket  FSHZH mendoi që objekti i festimeve të mos jenë vetëm Tirana dhe Vlora por në ‘të të përfshihen edhe nëntë kalatë kryesore të vendit, simboli i rezistencës kombëtare. Nëpërmjet një projekti të thjeshtë, por të ideuar me mjaft mjeshtëri nga specialistët e FSHZH, kalatë shekullore u pastruan nga pluhuri që i kishte mbuluar dhe se, netët e këtyre ditëve, por edhe ato që do të vijnë  tani e tutje do t’i gjejnë kalatë, simbolin e heroizmit shqiptar, të ndriçuara nga vezullimi i dritave.  Ndriçimi i këtyre kalave do t’u tregojë brezave shqiptarë dhe të gjithë qytetarëve të botës që do të vizitojnë vendin tonë  se, vendi i shqiponjave me heroin  tonë  kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu organizuan  për 25 vjet me radhë qëndresën ndaj perandorisë turke, duke shërbyer si porta mbrojtëse për qytetërimin perëndimor  dhe krishterimin në tërësi.  Europa duhet t’i jetë mirënjohëse kombit shqiptar, pasi falë rezistencës së Skënderbeut  shpëtoi edhe shkurorëzimi fetar  i perëndimit. Nga ana tjetër, kalatë  e mrekullueshme dhe plotë vitalitet dhe shëmbëllim  tregojnë se ky komb dhe ky vend i ka rezistuar  fuqisë më të madhe perandorake, sado që kjo e fundit u mundua me forcë, diktat dhe ofiqe për të shpërberë besimin fetar  të shqiptarëve, i cili në atë kohë ishte me shumicë absolute Kristiane. Në këto kushte, ringjallja e kalave dhe nxjerrja e tyre në dritë pas një errësire 500-vjeçare tregon se pranimi në familjen europiano- perëndimore është një detyrim moral dhe shpirtëror i kësaj të fundit, për vendin e Kastriotëve  që mbrojtën perëndimin nga  sulltanët e Turqisë. Në  këtë 100- vjetor të Pavarësisë kombëtare në ndryshim nga disa “pseudopolitikanë”  që  nga njëra anë hapnin ekspozita nëpër korridoret e Europës dhe nga ana tjetër e lanë Shqipërinë jashtë saj, mund të themi pa frikë se Benet Beci dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit  me vizionin e tyre i bashkuan  kalatë shqiptare me Europën, duke shërbyer si fanarë  ndriçues në rrugën tonë drejt Bashkimit Europian. Por ndriçimi i tyre do t’i shërbejë  komunitetit, vizitorëve vendas dhe të huaj për të gjallëruar jetën artistike e kulturore, tregtinë e punimeve artistike si edhe traditën e   kuzhinës shqiptare.