8 Marsi, një rrëfim i Kodhelit si grua dhe dëshira për një grua në krye të Ushtrisë

    408
    Sigal

    Kodheli është e para ministre e Mbrojtjes grua dhe duket se këtë fakt ajo nuk e anashkalon, përkundrazi ka vendosur ta përdorë në mbështetje të grave. Kodheli ka bërë të ditur dëshirën e saj për të parë në krye të Ushtrisë Shqiptare një gjenerale grua në krye të Forcave të Armatosura.  “Keni komplimentet e mia për gjithçka që keni arritur dhe ju garantoj se nuk do largohem pa propozuar një Gjenerale grua”, -tha dje Kodheli gjatë një takimi me gratë e ushtrisë. Ndërkohë, ajo për herë të parë ndoshta publikisht ka bërë një rrëfim personal për të qenit grua në familje, në shoqëri dhe politikë.

    “Unë  kam pasur fatin të rritem në një familje tërësisht të emancipuar, ku ne femrat ishim tërësisht të qarta për barazinë edhe rolin që kishim në familje dhe në shoqëri, e cili në fakt ishte ai rol që duhet të ketë gruaja, nëna, motra shqiptare dhe mbi të gjitha familjet. Por për asnjë moment, për fatin tim të mirë, nuk jam ndjerë inferiore edhe kur dola në shoqëri, edhe  kur njoha shokun tim të jetës, edhe kur u bëra nënë, edhe kur fillova një karrierë që jo domosdoshmërisht është karriera më e thjeshtë, madje, as profesioni më i thjeshtë, ai profesion që unë bëj sot. Por kur kam parë përqark, kam ndjerë diskriminimin që i  bëhet gruas shqiptare. Ne në fakt jemi një shoqëri që flasim për parime, flasim për vlera, madje flasim edhe në emër të tyre, por nga e thëna në të bërë, na ndan më shumë se çka proverbi popullor na  mëson. Kur m’u propozua fillimisht nga Kryeministri Rama, të bëhem ministre e Mbrojtjes, një nga gjërat që më shkoi ndër mend nga të parat ishte padyshim, përtej respektit, besimi që kishte treguar ndaj personit tim dhe barazia gjinore. Unë që nga shtatori i vitit të kaluar, kurse ju që prej shumë kohësh më parë, punojmë në fakt në një ambient, le ta themi, thellësisht mashkullor. Por përtej faktit se ku është një profesion “i shpikur për burra” dhe ku diskriminimi ndihet, kjo në asnjë moment të punës time, nuk e ka ndaluar entuziazmin tim për të besuar tek barazia gjinore edhe në  një fushë siç është ajo e mbrojtjes”.

    Kodheli kërkon që dhe Ushtria Shqiptare të ketë fytyrën e gruas dhe ka përgëzuar gratë e vajzat që janë veshur ushtarake dhe pse ato përbëjnë një përqindje të ulët. Ndërkohë duke iu referuar faktit se në NATO është krijuar ‘klubi i grave” me 5 ministre gra të mbrojtjes, theksoi se “unë besoj se shekulli në të cilin jetojmë, do të jetë shekulli i grave”.