730 biznese humbin kontratat me vlerë 26 milionë euro xhiro në stinë

858
Sigal

Prodhimi i stinës në 15 mijë ha u “mbyt”, groposen ne llum 190 milionë euro investim në 900 biznese fushe, fidanishte e blegtorale. 25% pagesë penaliteti për kontratrat e anuluara

Përmbytja e ndodhur në rrethet Vlorë, Fier, Gjirokastër, Berat, Tepelenë nuk është aq e lehtë dhe e vogël sa duket në kronika. As e kollajtë për t’u kaluar, sa “recitohet” në fjalimet e qeverisë. As afatshkurtër, sa kohëzgjatja ushqyese e një magazine ushqimesh me “krye-magazinier” Luan Bregasin dhe “drejtor rezervash” Erjon Veliajn. Një gjë duhet kuptuar: Shtëpitë e mbuluara me ujë deri në 1 metër do të thahen, suvatohen e lyhen përsëri. Mobiliet do blihen përsëri. Ajo që është “shkulur me rrënjë” në rastin konkret është mbytja ekonomike e zonës, është mbytja e biznesit. Edhe pse shteti, po tenton të qetësojë situatën dhe të “mbulojë” të vërtetën e rëndë me batanije e ambalazhe “lajle-lule” të orizit, makaronave, sallameve e letrave higjenike, realiteti që po del nga nën uji pas përmbytjeve është tepër i rëndë për biznesin. Nga bisedat e zhvilluara këto ditë me përfaqësues të biznesit të zonave Fier, Vlorë e Berat, mësuam për një “goditje” traumatike që ka pësuar biznesi në zonat e përmbytura e për rrjedhojë, gjithë zinxhiri i bizneseve treg vendas-import-eksport, që lidhej me biznesin e zonave të përmbytura Çfarë ka ndodhur?

Humbja, 190 milionë euro investim e 900 bizneseve të zonës

Punët e biznesit në zonën Vlorë-Fier-Berat, Gjirokastër, ishin futur në “brazdë” si prodhim, fitim e si bazë ligjore. Fermerët, të cilët prej 15-20 vjetësh kishin braktisur tokat e tyre e punonin si skllevër në tokat e vendeve fqinje, ishin kthyer në tokat e tyre dhe kishin investuar fitimet e krijuara në emigracion. Bashkë me fitimet, fermerët shqiptarë, të shtuar edhe si “krahë pune” me fëmijët dhe familjarët e tyre, bashkë me fitimet sollën prej vendeve ku emigruan dhe përvojën, llojet e biznesit fitimprurës, kualifikimin, lidhjet e biznesit me vendet e tjera dhe nisën punën në tokat e tyre, kjo falë edhe infrastrukturës rrugore, telefonike, teknologjike e nevojës për punë. Konkretisht, në zonat e përmbytura Fier, Vlorë, Berat, Ballsh, Gjirokastër, Tepelenë vetëm në 5 vitet e fundit, janë hapur afro 900 biznese nga individë e grupe emigrantësh, me bazë familjare e ortakëri  shoqërore. Këto 900 biznese, janë ngritur të gjitha në zonat rurale, që nga fermat blegtorale të lopëve, derrave, shpendëve e deri tek kopetë e bagëtive të imëta të kullotave natyrale. Që nga prodhimi i bazës ushqimore e deri tek prodhimi luleshtrydheve. Që nga prodhimi i qumështit e deri tek përpunimi i tij. Pa llogaritur afro 3000 biznese familjare pularie për vezë, fidanësh për pemëtore, fidanësh e lule për dekore, fidanësh për pyllëzime, prodhim zogjsh, prodhime agro-biznesi etj. Sipas informacioneve të marra në drejtorët e bujqësisë dhe në dhomat e tregtisë e të biznesit të këtyre rretheve, vlera e investuar prej 900 bizneseve të njohura të zonës së përmbytur, shkon afërsisht në 190 milionë dollarë. Këto vlera investimi, që tashmë janë të përmbytura, në këto 3-5 vite që kanë nisur aktivitet nuk kanë mundur të ricikilojnë dot as 3% të investimit, mbasi janë investime afatmesëm e afatgjatë. Po përmendin vetëm një fakt: Në zonën e aksit rrugor Fier-Tepelenë, janë “mbytur” 47 hektarë plantacion i mbledh me luleshtrydhe, me investim vetëm në sera portative stinore në vlerën 9.3 milionë euro. Me investim stinor 1.1 milionë euro vetëm në fidanishte. Me investim 1 milionë euro vetëm në sistemin e mekanizuar e vetë rrjedhës vaditës. Me humbje 15 milionë euro në vit, nga “mbytja” e prodhimit prej përmbytjes. Me humbje 300 milionë lekë në vit, nga qiraja e tokave. Me humbje 970 mijë euro nga rikthimi i tokës në eficensë prodhimi në kushtet normale “agro” dhe me 1.7 miliardë lekë për rikthimin e tokës në bazë biznesi të mekanizuar me rrjet elektrik, mekanik, me sistem vaditje, kanalizime, baza përpunimi, seleksionimi, paketimi, sera etj.

730 bizneseve “u digjen” kontratat me 26 milionë euro xhiro në stinë, 25% pagesë detyrimi për prishje kontrate

Kjo përmbytje, realisht e ligjërisht duhet trajtuar si “mbytje lejuar me mosveprim” të qëllimshëm prej 4 ministrave, të shërbimit shtetëror të emergjencave civile, të 4 prefektëve e krerëve të qarqeve Fier, Berat, Vlorë, Gjirokastër dhe të krerëve të komunave e kryepleqve të zonave, mbasi ishte paralajmëruar nga kryeministri Rama dhe ishin lënë detyra për ta qysh 45 ditë përpara se të niste “dallga” e parë e Vjosës mbi Vlorë e Fier, e Drinos mbi Gjirokastër, e Gjanicës mbi Fier, e Osumit mbi Berat (që në 12 dhjetor 2015). Kjo i përket drejtësisë. Ajo që na përket neve është të bëjmë publike gjithë hapësirën e dëmit të krijuar. Ndërsa thamë, “se në 4 ditë përmbytje, “ka marrë lumi” 190 milionë euro investime të afro 900 bizneseve të zonës, ka një aspekt tjetër më tronditës të këtyre bizneseve. Mirë që u iku pasuria e tyre fizike (investimi), por pasojat kanë dalë pas mbytjes së bizneseve. Një përfaqësi e bizneseve Vlorë-Fier-Berat-Gjirokastër që janë përmbytur, kanë vendosur të organizohen në shoqatë “anti-qeveri”, duke parë “Lojën Veliaj-Panariti” që ka nisur me (mos)dëmshpërblimin e deklaruar 100%,, duke hedhur në qarkullim projekte teorike me “3 faza afat-mesme e afat-gjata dëmshpërblimi”, por që konkretisht, nuk duhet se sa do zgjatin në kohë. Kjo përfaqësi biznesi, na bëri me dije, se pas mbytjes së investimeve miliona euro, po përballen me një tjetër goditje të rëndë. Këto ditë, pas njohjes me gjendjen e pakthyeshme të prodhimit, 730 bizneseve të zonës iu janë ankuar kontratat e shitjes me tregun vendas, me importin dhe eksportin. Këto biznese, kryesisht të kontratuar në prodhime fushe, kanë pasur detyrim që pas disa ditësh të dorëzonin prodhimet e stinës por edhe ato në sektorin e prodhimit blegtorale shpendë, vezë, qingja, por prodhimet u janë mbytur. Tregut pritës brenda vendit, ose në eksport, i duhet të gjej burime furnizimi dhe kështu ka “trokitur në adresa të reja” prodhuesish e furnizuesish. Për këtë shkak, ata kanë anuluar kontratat me prodhuesit e përmbytur. Ky anulim e ka futurën stinore 26 milionë euro humbje për bizneset e përmbytura. Por siç na thonë bizneset, ka edhe një faturë tjetër që e njeh penaliteti i kontratës së anuluar, ose ndërprerë për shkak të njërës palë. Në rastin konkret, pala shkaktare janë bizneset e përmbytura, mbasi nuk u përgjigjen dot detyrimeve kontratuale. Sipas kontratave ligjore, fatura e penalitetit është 25% pagesë shkaktim dëmi në aktivitetin tregtar. Humbja nuk ishin vetëm parcelat, pularitë, fermat e lopëve, deleve, dhive, stanet e bagëtive, fushat e mbjella dhe fidanishtet e mbytura, por shumë më tepër.

Buxheti emergjencave për vitin 2015, sa 20% e shpenzimeve të dasmës së Veliajt

Duhet pranuar fakti, që në magazinat e emergjencës nuk ka pasur as 1 mi, mbasi shteti nuk ka pasur futur në to, asnjë kokërr orizi e fasuleje. Tashëm e dimë të gjithë që ish-pushtetit Berisha i la depot e emergjencave në shtator 2013, me 3 palë çizme, me 15 kg oriz, me asnjë kokërr fasule dhe me 570 dollarë gjendje financiare. Po tani? Sipas informacioneve, u desh përmbytja e Vlorës e Fierit, që të shihej se sa fuqi kishin rezervat emergjente të shtetit, pas afro 2 vitesh pushtet “Rilindja”. Pa asnjë diskutim depot janë bosh, madje disa magazina rezervash në Librazhd (ngaqë janë bosh), nën përkujdesjen e dajës së deputetit Taulant Balla po kthehen në kapanone biznesi fasonësh italianë, me aktivitet rrobaqepësi, të cilat janë dhënë me qira 75 lekë të reja metër/katrorë. Nëse biznesi shqiptar, këtë herë edhe duke deklaruara me listë emrat, masën dhe vlerën e mallit të falur, nuk do të kishte hapur magazinat, do kishim një katastrofë humanitare, pasi shteti nuk mund të mbante dot me bukë e batanije as ushtarët e angazhuar në aksion. Sipas bilancit të thesarit të shtetit, qesja e shërbimit të emergjencës civile për vitin 2015 është vetëm 10 milionë lekë të reja, ndërkohë që për vitin 2014, kanë qenë vetëm 6.6 milionë lekë të reja. A mund të përballohej kjo përmbytje e madhe me 100 milionë lekë, kur vetëm ministri Beqaj, i ka çuar kyremninistrit Rama në tavolinë një faturë 580 mijë euro “shpenzime mjekësore emergjence” vetëm për 4 ditët e para të emergjencës, ndërkohë që ministrja Kodheli deklaron se ka harxhuar 15 mijë letra karburant me makinat e ushtrisë e kur ministri Velia deklaron se ka harxhuar 100 mijë euro orë punë me aktivistët?!! Ndërsa shteti i ka caktuar shërbimit të emergjencës për vitin 2015 një buxhet vetëm 10 milionë lekë të reja, ose sa 20% e shpenzimeve të dasmës së Erjon Veliajt.

“Baballarët e Zotit” që vunë “kujën” në Paris, nuk dhanë “një copë bukë” për shpipëtarët e mbytur në Fier e Vlorë

“Baballarët e Zotit” në Shqipëri, në këtë përmbytje na faktuan se qenkan vërtet “dorështrënguar”. Jo që shtrëngojnë duart me njeri tjetrin në shenjë uniteti besimesh fetare, por si “Shtëpi të Zotit”, që nuk hodhën asnjë “kafshatë” bukë për njerëzit e goditur nga fatkeqësia natyrore e përmbytjeve në Vlorë, Fier, Berat, Gjirokastër. “Baballarët e Zotit”, i hipën avionit e shkuan në Paris, për të treguar solidaritet në luftën kundër terrorizmit. Por nuk kanë mbathur “çimzet” e të shkojnë në zonat e përmbytur, për të “bekuar” punë e mote më të mira. Ata që shkuan “natën” e vunë “kujën” në Paris, nuk po shkojnë ende të “luten për mirësi” atje ku njerëzit po përballen me vuajtjen e madhe. Ende pas një jave fatkeqësi popullore, nuk kemi dëgjuar e nuk kemi parë të jetë bërë asnjë akt human prej “shtëpive të Zotit” në Shqipëri. Kryekatoliku po merret me (mos)emërimin e Visar Zhitit si ambasador në Vatikan. Kremyslimani po merret me gjetjen e firmës së “besuar” që do bëjë ndërtimin e xhamisë në Tiranë. Kryebektashiu po merret me sigurimin e grurit për  ashuren dhe hallvën e radhës. Ndoshta nuk e dinë që ka pasur përmbytje, se rinë mbyllur brenda. Ose, ndoshta e dinë, por duan të shkosh e t’u bësh temena duke u “puthur dorën”. Ose ndoshta, nuk janë hedhur në veprim, ngaqë janë mësuar që veprojnë kur i thërrasin nga lartë për të dalë në tribuna “me ata lartë”.

   Përparim HALILI