72- vjetori i PKSH, i gjen komunistët shqiptarë të përçarë

    417
    Sigal

     8 Nentor Kreu i PPSH-së Xhafa: Sot, aktivitet në Muzeun Kombëtar. Bashkimi do jetë i shpejtë, synojmë pushtetin

    Dita e sotme, 8 nëntor 2013, që përkon me 72- vjetorin e themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare, ashtu si në çdo përvjetor të më shumë se dy dekadave të fundit, i gjen komunistët shqiptarë të përçarë e me një anëtarësi të deklaruar, tepër minimale. Aktualisht, në Shqipëri, të deklaruara e miratuara zyrtarisht, janë regjistruar e ushtrojnë aktivitetin e tyre 4 parti komuniste që pretendojnë se janë pasues të Partisë Komuniste me lider shpirtëror Enver Hoxhën. Edhe pse kanë të njëjtin pretendim kanë ndryshime thelbësore në rolin e qëndrimin e Nexhmije Hoxhës, bashkëshortes së Hoxhës dhe Ramiz Alizë, një nga njerëzit më besnikë të Enverit dhe personi që drejtoi Shqipërinë pas vdekjes së Enverit, deri në ndryshimet politike pas vitit 1990. Një nga Partitë Komuniste të sotme ka idhull Enverin, por është kundër Nexhmijes, duke e cilësuar atë deri ‘tradhtare’ që ‘bashkëpunoi me Ramiz Alinë pas vdekjes së Enverit në dëm të figurës së tij dhe socializmit në Shqipëri’. Një grupim tjetër mbron të kundërtën. Pikërisht, këto qëndrime kontradiktore, përfshi dhe akuzën e përbashkët të katër pasuesve të PKSH- së ‘na përçau borgjezia, që në Shqipëri përfaqësohet nga PS e PD’ kanë bërë që për më shumë se dy dekada, komunistët shqiptarë të mos e gjejnë gjuhën e përbashkët dhe të mbeten të përçarë. Po çfarë ndodhi sipas dokumenteve të kohës plot 72 vjet më parë, ditën e themelimit të PKSH, pikë në të cilën bashkohen katër grupimet e sotme komuniste në Shqipëri…

    …72 vjet më parë, më 8 nëntor 1941, komunistët shqiptarë me Enver Hoxhën në krye, themeluan Partinë Komuniste të Shqipërisë, e cila, në Kongresin e Parë të saj (nëntor 1948) u quajt Partia e Punës e Shqipërisë. Mbledhja e Grupeve Komuniste për themelimin e Partisë Komuniste u mbajt në ilegalitet të thellë. Punimet e saj filluan paraditen e 8 Nëntorit. Me rregull e me disiplinë të rreptë, përfaqësuesit e tre grupeve kryesore komuniste, i Korçës, i Shkodrës dhe i të Rinjve, u mblodhën në këtë ditë vjeshte në shtëpinë e vogël tiranase, po me histori të madhe, për të marrë pjesë në Mbledhjen Themeluese të Partisë Komuniste të Shqipërisë.

    Në mbledhjen për themelimin e PKSH, në bazë të marrëveshjes së arritur më parë, ishin caktuar të merrnin pjesë nga pesë përfaqësues prej secilit grup komunist, d.m.th 15 vetë, përveç 2 emisarëve jugosllavë, Miladin Popoviçit dhe Dushan Mugoshes. Po, kur u hap mbledhja, të pranishëm ishin 12 vetë. Grupi Komunist i Korçës kishte caktuar për të marre pjesë: Koço Tashkon, Pilo Peristerin, Enver Hoxhën, Koçi Xoxen dhe Sotir Vullkanin. Koçi Xoxe erdhi në mbledhje me vonesë, pasi ajo kishte filluar punimet e saj, për arsye se Koçi ishte dërguar me detyrë në Korçë për organizimin e Demonstratës Antifashiste të 8 Nëntorit 1941, e cila u zhvillua në solidaritet me demonstratën e Tiranës të 28 tetorit 1941, gjatë së cilës mbeti i vrarë Koçi Bako, anëtar i Grupit Komunist të Korçës. Grupi Komunist i Shkodrës kishte caktuar: Vasil Shanton, Qemal Stafën, Kristo Themelkon, Tuk Jakovën e Sadik Bekteshin. Ky i fundit erdhi në mbledhje me disa ditë vonesë. Grupi Komunist i të Rinjve kishte caktuar: Anastas Lulon, Sadik Premten, Ramadan Çitakun, Sadik Stavilecin e Hetem Numanin. Sadik Stavileci nuk mundi të vinte në mbledhje, sepse ishte i sëmurë.

    “Sot, ndonjë intelektual ka shprehur ‘keqardhjen’ që në mbledhjen për themelimin e PKSH qenë lënë jashtë veteranet e Lëvizjes Komuniste Shqiptare. Dhe sulmi drejtohet në mënyrë specifike e me qëllim kundër Enver Hoxhës. Një paradoks i madh: Intelektualë, madje me kontribute shkencore të njohura, ndërsa pranojnë se ato që janë thënë në formë thashethemesh për Enver Hoxhën janë supozime, hamendje, sërish inati i vjetër i shtynë të thonë e rithonë gjëra të pavërteta, sikur Enver Hoxha qenka gjendur rastësisht në mbledhjen themeluese të PKSH dhe se atë e paska tërhequr me vete Koço  Tashko për të përmirësuar përbërjen e grupit Komunist të Korçës, sepse, gjoja, ky grup paraqitej në mbledhjen themeluese vetëm nga komunistë korçare dhe të krishterë! Këto sajesa pa bazë, nuk mund të hedhin aspak baltë mbi evenimentin historik, krijimin e PKSH dhe mbi Enver Hoxhën”- pohon për “Telegraf” Muharrem Xhafa, kreu i PPSH-së.

    …Si qëllim strategjik i PKSH për periudhën në të cilën ndodhej vendi ynë nën pushtimin fashist, u përcaktua lufta për pavarësinë kombëtare të popullit shqiptar dhe për qeverinë popullore demokratike, në një Shqipëri të lirë prej fashizmit, çka përbënte edhe thelbin e programit të saj. Mbledhja e Grupeve Komuniste zgjodhi Komitetin Qendror të Përkohshëm si organin udhëheqës të saj, i përbërë prej 7 vetësh, deri në thirrjen e një Konference të Partisë të Vendit, e cila do të mblidhej sapo të përfundonte strukturimi i Partisë në gjithë vendin.

    …Në Komitetin Qendror të Përkohshëm të PKSH u zgjodhën: Enver Hoxha, Qemal Stafa, Ramadan Citaku, Koçi Xoxe, Tuk Jakova, Kristo Themelko dhe Gjin Marku. Për të siguruar unitetin në Parti e në udhëheqjen e saj nuk u zgjodh asnjëri si Kryetar ose Sekretar i Komitetit Qendror të Përkohshëm të PKSH. Mbledhja e Grupeve Komuniste është vlerësuar se ka rëndësinë e një Kongresi Kushtetues të PKSH, për faktin se ajo mori vendime historike për vete dhe për fatet e atdheut e të popullit shqiptar. “Propaganda e borgjezisë ka qenë dhe është gjithnjë e egër kundër Partisë Komuniste të Shqipërisë (PPSH), po më e egër ajo bëhet sa herë që vjen nëntori, më shumë thashetheme e shpifje, lidhur me gjoja themelimin e saj nga jugosllavet dhe për rolin e Enver Hoxhës.

    Njerëzit duhet të dinë se PKSH nuk erdhi rastësisht në jetën politike e shoqërore të vendit, po lindi si një nevojë historike mbi bazën e lëvizjes komuniste e punëtore në Shqipëri, me synimin për të organizuar e udhëhequr luftën e popullit shqiptar për çlirimin e tij kombëtar e shoqëror. Pikërisht është PKSH (PPSH) ajo që udhëhoqi popullin në LANC kundër pushtuesve nazifashiste dhe, pas fitores (29 nëntor 1944) dhe vendosjes së pushtetit popullor, e futi vendin në rrugën e ndërtimit të socializmit. Sa kohë që Enver Hoxha ishte në krye të PPSH (PKSH), ajo bëri epokë, u arritën fitore të mëdha në ndërtimin e vendit, u mbrojtën liria e pavarësia e atdheut, populli la pas errësirën mesjetare, sa, edhe pas 23 vjetësh të përmbysjes së socializmit, ai e thërret “Koha e Enverit”,- shton Xhafa.

    Muharrem Xhafa i PPSH-së: Shpejt komunistët shqiptarë do bashkohen, synojmë pushtetin

     Për Muharrem Xhafën, kreun e Partisë së Punës të Shqipërisë, PD e PS, si parti borgjeze, kanë arritur të përçajnë komunistët shqiptar, aktualisht në katër parti të legalizuara. Sipas tij “Shpejt komunistët shqiptar do të bashkohen, do të shtojnë radhët dhe synojnë marrjen e pushtetit”…

    Çfarë aktivitetesh ka planifikuar Partia e Punës së Shqipërisë për përkujtimin e 72 vjetorit të krijimit të PKSH?

    -Partia e Punës e Shqipërisë, vazhduese e drejtpërdrejtë e Partisë Komuniste të Shqipërisë, do të organizojë sot më 8 nëntor 1913, ora 10:00 në Muzeun Historik Kombëtar, një veprimtari përkujtimore kushtuar kësaj ngjarje të madhe historike të komunistëve dhe të popullit shqiptar. Ne ndërrim të kësaj dite të pa harruar dhe të 7 nëntorit 1917, fitores së Revolucionit Socialist të Tetorit, do të mbahet dhe Kongresi i 15-të i Partisë së Punës të Shqipërisë. Me këtë rast, PPSH u kujton shqiptarëve se komunistët, nën udhëheqjen e Enver Hoxhës luftuan e fituan epopenë më të lavdishme të historisë së popullit shqiptar, LANC-in, çliruan vendin nga pushtuesit nazifashiste dhe tradhtarët e tij, vendosën rendin e pushtetin popullor socialist, ditën të qeverisnin për gati 50 vjet me drejtësi popullore, të ngrinin e të zhvillonin ekonominë socialiste, industrinë e bujqësinë, arsimin e kulturën kombëtare, të mbronin lirinë e pavarësinë e atdheut, të siguronin rendin, qetësinë dhe jetën e qytetarëve, të bënin zap çdo kriminel, çdo veprimtari armiqësore të brendshme e të jashtme. Pa Enver Hoxhën vendi ynë nuk do të ishte çliruar nga pushtuesit nazifashiste, nuk do të ishte vendosur pushteti popullor, nuk do të ishte ruajtur liria e pavarësia e Atdheut, tërësia territoriale e tij.. Ne shekuj, Enver Hoxha do të jetë figura më e madhe e historisë së Shqipërisë bashkë me Skënderbeun dhe Ismail Qemalin. Populli shqiptar do të gjejë qetësi vetëm kur të ketë vënë në vendin e nderit Heroin e tij, Enver Hoxhën.

    Do të jenë drejtuesit e tri partive të tjera komuniste në aktivitetin që ju do të zhvilloni sot?

    -Jo nuk do të jenë. Është një aktivitet i joni. Por ka pasur dhe aktivitete të përbashkëta. Këtu mund të përmend përkujtimin e 100 -vjetorit të lindjes së Enver Hoxhës, ku morën pjesë dhe Partia Komuniste “8 Nëntori” dhe Partia Komuniste e Rindërtuar.

    Dhe ky 8 Nëntor, dita juaj simbol, i gjen komunistët shqiptarë të përçarë?

    -Fatkeqësisht, dhe ky 8 Nëntor i gjen komunistët të ndarë në disa parti. Me pak fjalë, shkaku i vërtetë i përçarjes së komunistëve është borgjezia kapitaliste, e cila ka mundur të depërtojë thellë në lëvizjen komuniste, një fenomen ky i përgjithshëm, jo vetëm shqiptar.

    PD e PS, si parti borgjeze, kanë arritur të përçajnë komunistët shqiptar, aktualisht në katër parti të legalizuara. Por shpejt komunistët shqiptar do të bashkohen, do të shtojnë radhët dhe synojnë marrjen e pushtetit…

    Si e parashikoni bashkimin e komunistëve shqiptarë në një parti të vetme?

    -Afat të saktë tani nuk mund të them, por shpreh bindjen se do të ndodhë shpejt. Kjo gjendje e përçarjes së komunistëve nuk do të vazhdojë gjatë. Procesin e bashkimit të komunistëve në Shqipëri do ta përshpejtojë rritja e klasës punëtore industriale. Se partia komuniste është parti e klasës punëtore. Se marksizëm-leninizmi është teoria, filozofia, ideologjia e klasës punëtore. Se, pavarësisht përçarjes midis tyre, komunistët shqiptarë, të gjithë e kanë udhëheqësin e vet të pavdekshëm, Enver Hoxhën. Një ditë nëntori Enver Hoxha do të na bashkojë përsëri.