613 kg kokainë në Durrës, Ministria e Drejtësisë dorëzon kërkesën për ekstradimin e Arbër Çekajt

2490
Ministria e Drejtësisë i ka nisur autoriteteve gjermane kërkesën për ekstradim për Arbër Çekajn, administratori i kompanisë ‘Arbi Gardën’ që akuzohet si i implikuar për 613 kg kokainë që u kapën në Durrës. Çekaj kishte porositur ngarkesën me banane, ku u sekuestrua sasia më e madhe e drogës e kapur ndonjëherë në vendin tonë, e cila vinte nga Kolumbia.
Kujtojmë se Çekaj u arrestua një javë më parë në një provincë pranë Dysedorfit në Gjermani, në sajë të bashkëpunimit mes policisë gjermane dhe asaj shqiptare. Çekaj do të ekstradohet në Shqipëri, ndërsa do të përballet me akuzat që rëndojnë për trafik droge, ndërkohë që gjykata ka caktuar ndaj tij masën ‘arrest me burg’ në mungesë.
Operacioni nisi gjatë mbrëmjes së datës 27 shkurt 2018, në Portin Detar të Durrësit, në momentin që ngarkesa e ligjshme me banane, u mor në dorëzim nga firma porositëse “Arbri Garden” shpk, me pronar Arbër Çekajn. Sasia e lëndës narkotike ishte e paketuar në 528 pako, të mbështjella me letër natriban me kode të vendosura nga trafikantët dhe ishte fshehur në kontenier me dysheme të dyfishtë.
Një ditë pas operacionit ku u kap sasia rekord e kokainës, në një intervistë ekskluzive për ‘News24’ nga Gjermania, Arbër Çekaj mohoi kategorikisht akuzat se kishte lidhje me drogën. Ndërkohë, numri i të arrestuarve në lidhje me këtë operacion shkon në tre, pasi para 2 muajsh u arrestuan Donaldo Lushaj, nga Tropoja dhe Armando Pezaku nga Durrësi, të dy 25 vjeç.
Sigal