60 vjet si 60 ditë

    449
    Sigal

    Veprimtari e bukur me rastin e 60-vjetorit të martesës së shkrimtarit Naum Prifti

    Në vazhdën e  veprimtarive me rastin e 80 vjetorit të lindjes së shkrimtarit të njohur  shqiptar Naum Prifti, në Tiranë, u organizua  një mbrëmje-koktej ku merrnin pjesë miq e shokë të tregimtarit të mirënjohur, njerëz të letërsisë, artit, kulturës. Të veçantat   mbresëlënëse  të kësaj mbrëmjeje ishin se atë e organizonin dy vajzat e shkrimtarit, Julika   e Rafaela si dhe mbesa, Rea. Takimi u zhvillua pikërisht në datën e përvjetorit të gjashtëdhjetë të martesës së Naumit, djaloshit kolonjar që shihej vëngër nga shteti i kohës për arsye se një vëlla i tij, Peteri, ishte ”arratisur” në Amerikë, dhe Rinës, vajzës së bukur vlonjate që mbaronte shkollën për mjekësi. Takimi u bë i thjeshtë, me cilësi organizative të spikatura dhe tepër origjinal, sepse pasi bëri prezantimin e shkurtër e plot dinjitet Ela, përshëndeti me një këngë tekstin e së cilës e sajoi në vend Jorgo Papingji, për të vijuar  me një përshëndetje disi të veçantë nga fabulisti Gjik Kurtiqi e të tjerë më tej.

    Befas, në përpjekje për t’u lidhur me “skyp” dërgon përshëndetjen e tij nga Neë Yorku, Naum Prifti, tashmë tetëdhjetëvjeçar ku ai jeton familjarisht prej më se njëzet vjetësh.

     Letra

    Të dashur miq, shokë e dashamirë!

    Bashkëshortja ime Rina dhe unë u falënderojmë nga zemra që jeni mbledhur ditën e përvjetorit të gjashtëdhjetë të martesës sonë. Nuk janë pak, po të llogaritim se kemi dhjetë vjet që kemi festuar atë që quhet “Përvjetor Floriri”.  Sot gëzojmë bashkarisht një përvjetor edhe më të respektuar për nga jetëgjatësia “Përvjetor Platini”. U siguroj se edhe për t’i numëruar duhet durim i madh, e jo më për të jetuar vetëm me një grua për gjashtëdhetë vjet me radhë. Sa isha i ri gjithmonë mendoja se kur të  martohesha unë, do të bëja një dasmë të madhe, sa të tundej fshati dhe të mbahej mend si ngjarje e shënuar nga të rinj e të moshuar. Mirëpo u bë ashtu si qe shkruar nga Momuni, Perëndia e dasmave, dhe jo ashtu si desha unë. Jo që nuk bëra dasmë të madhe me zurna e tarnana, me orkestër e sazexhinj, me valle e së fundi me këngën tradicionale “digje o djalë digje, shaminë e beqarit-o,” por s’pata as krushq e as krushka të më shoqëronin kur mora nusen, a të më prisnin me këngë  e valle siç ishte zakoni. Një ditë përpara dasmës, unë shkova te sekretari i parë i rrethit, të cilin e kisha burrin e kushërirës, dhe iu luta të me jepte makinën sa ta shpija nusen në shtëpi, por ai nuk pranoi. Kështu e ndava mendjen ta merrja nusen  vetë dhe rrugën ta bënim më këmbë, se për fat Rehova nuk mbante as gjysmë ore nga Erseka. Pra do të dilnim një shëtitje. Nusen time e shoqëronte Dada, gjyshja e saj, se sipas zakoneve të Poliçanit, nusen e  shoqëronte një grua kur shkonte në shtëpinë e burrit. Ja pra kështu qëlloi që unë mora njëherësh dy gra, një të vjetër e një të re. Qysh nga ajo ditë që filloi me një shëtitje kanë kaluar plot gjashtëdhjetë vjet dhe udhëtimi ynë vazhdon…

    Gëzuar,! Ju faleminderit!

    Neë York 27 korrik 2012 “

     

    Naum Prifti

    I lindur në Rehovë, Kolonjë, më 7 mars 1932. Pasi mbaron Politeknikumin Mjekësor në Tiranë, punon një vit si ndihmës mjek në Sanatoriumin e Korçës. I apasionuar pas letërsisë, vazhdon studimet për Gjuhë e Letërsi Shqipe në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Gjatë viteve 1954-1960 ka shërbyer si redaktor në revistën “Hosteni”. Ndërsa nga1960-67 si redaktor në revistën “Ylli”. Më pas ka punuar si arsimtar nga 1967-70 në Divjakë të Lushnjës, inspektor arsimi, pedagog i jashtëm në Universitetin e Tiranës. Në vitin 1991, emigron në Amerikë (Neë York), ku vazhdon të japë ndihmesën e tij për komunitetin shqiptar këtu dhe për Letërsinë Shqipe. Në vitin 1995, zgjidhet sekretar i Federatës Panshqiptare Vatra, detyrë që e ka edhe sot. Me krijimin e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë e zgjedhin kryetar të saj. Ka fituar shumë çmime për veprat letrare si vëllime me tregime, novela, letërsi për fëmijë, humor dhe skenarë filmash. Krijimtaria e tij letrare me mbi 100 vepra është e larmishme dhe shtrihet në disa gjini: tregime, drama, komedi, novela, skenarë filmash, pjesë për teatrin e kukullave, skenarë për filma vizatimorë, biografi, artikuj kritikë, publicistikë, etj.