5 metër/kub shitet 100 euro për familjarët, si dru zjarri

    1027
    Piratët dhe kasapët e pyjeve duke dashur ti ruhen Policisë Pyjore, duket se kanë zgjedhur një tjetër rrugë për të mbushur xhepat e tyre me para të pista. Është fjala për drurin e ullirit, i cili po pritet me sëpata dhe mjete të tjera motorike për tu shitur si dru për ngrohje. Kjo ka vën1% në rrezik serioz ullishtat e Elbasanit, ato mijëra rrënjë me ullinj, ku më i vjetri i tyre daton para 315 vitesh kurse më i riu është ndoshta 15 vjeçar. Sipas banorëve të fshatrave ku shtrihen ullishtat e Elbasanit duke nisur nga Graceni dhe Godoleshi, Bradasheshi dhe Shijoni, dhe duke përfunduar në Labinot e Polis, “muajt e fundit prerja e ullishtave ka nisur të bëhet natën por edhe ditën, nga grupe personash” që shpesh u thonë se “jemi të shtetit”, duke ngarkuar makina dhe mjete të rënda dhe duke i shitur tek familjet që kërkojnë dru zjarri. Është një krim mjedisor i paparë, të presësh rrënjët shekullore të ullinjve dhe ti shesësh për dru zjarri. Banorët shpesh njoftojnë edhe 129 Policinë e Shtetit, apo edhe Policinë Pyjore, por duket se njoftimet e tyre shkojnë në koshin e plehrave. Asnjë polic dhe asnjë uniformë e shtetit nuk ka marrë mundimin ti ngjisë kodrat dhe malet e fshatrave të Elbasanit dhe të parandalojë prerjen e ullishtave. Edhe pronarët e këtyre ullishtave duket se janë gjendur të pafuqishëm në reagimin e tyre për të ndalur piratët e “armatosur” me sëpata dhe motosharra, mjete të rënda transporti dhe shpesh edhe me çifte (armë gjahu) në krah. Kasaphana ka disa muaj që ka nisur me ullishten e Elbasanit, zona më e gjelbëruar e gjithë Shqipërisë Mesme. Në ullishten e Elbasanit ka nisur dhe vazhdon me ritme marramendëse prerja e drunjve të ullirit, kësaj bime e cila kërkon e pakta 15 vite të rritet dhe të japë frutat e veta. Zona e Elbasanit ka mbi 420 mijë rrënjë ullinj, që datojnë qysh nga viti 1830, por sipas gojëdhënave dhe fakteve historike të dokumentuara në tapitë e vjetra, mbjellja ka nisur 300 vjet më parë. Elbasani njihet për kultivimin dhe rritjen e bimës së ullirit, ndërsa ka qenë dhe mbetet ende traditë e çdo familje elbasanase të kishte e pakta 1 mijë rrënjë ullinj. Parcelat më të mëdha me ullinj i kanë pasur bejlerët dhe familjet Domi, Vërlaci, etj. Deri para viteve ’90, ullishta e Elbasanit nuk u prekej në asnjë rrënjë të saj, përkundrazi çdo vit ajo shtohej me qindra e mijëra rrënjë të reja. Pas vitit 1992, dhe veçanërisht në vitet 1995-1996 ullishtat pasi u ndanë dhe rindanë nga pronarë të vjetër dhe të rinj, pasi u mbushën me vila dhe banesa, tani po i nënshtrohet edhe shfarosjes. Qindra rrënjë ullinj 200 dhe 300 vjeçar janë prerë dhe po priten për dru ngrohje dhe nevoja të tjera duke zhdukur nga harta e ullishtave të Elbasanit, një bimë të çmuar, e cila duhej të ishte shpallur “monopol shteti”. Specialistët e ullirit thonë se “deri sot mund të jenë prerë mbi 25 mijë rrënjë ullinj, e cila kërkon vite të zëvendësohet, por më e keqja është se prerja vazhdon madje edhe në ditët e fundit të vitit 2015”. Shpikja e cila po shfaros edhe drurin e ullirit, për ta përdorur për ngrohje, ka nisur pothuajse në gjithë zonën ku shtrihen ullishtat e Elbasanit, madje edhe në pronat e ish-pronarëve elbasanas duke sfiduar shtetin dhe ligjin. Shpesh pronarët elbasanas të ullishtave janë ankuar dhe denoncuar këtë kasaphanë që po ndodh me ullishtat, ndërkohë që Policia Pyjore e Elbasanit, vazhdon të hetojë dhe ndëshkojë vetëm ndonjë endacak që kapet me ndonjë gomar të ngarkuar. Ajo që po ndodh me ullishtat e Elbasanit, mbetet krimi më i shëmtuar që po i bëhet natyrës, mjedisit dhe pasurisë kombëtare siç janë bima e ullirit. Kasapët e kësaj bime nuk po kursejnë veç drunjve shekullorë, edhe fidanët e rinj të mbjellë vitet e fundit në qarkun e Elbasanit pas një VKM të vitit 2012. Pronarët e ullishtave të Elbasanit kërkojnë nga shteti mbrojtjen e kësaj pasurie kombëtare, ndalimin dhe penalizimin e çdo subjekti dhe personi që tenton dhe kapet duke prerë ullirin. Prerja e ullirit për ngrohje vazhdon me ritme të shpejta nga persona që po sfidojnë hapur shtetin dhe ligjin. 

    ALMA JONUZI

    Sigal