25 qershori – Ora News firmos me IPR Marketing, në 31 maj sondazhi i parë për zgjedhjet

535
Ora News dhe IPR Marketing do të sjellin përsëri sondazhet për zgjedhjet e përgjithshme të 25 qershorit 2017. Bashkëpunimi i suksesshëm me IPR Marketing do të nisë në 31 maj në studion e Tonight Ilva Tare, me sondazhin e parë kombëtar dhe të qarkut të Tiranës. Pas sondazhit të 31 majit, Ora News do të sjellë edhe dy sondazhe të tjera, në datat 7 qershor dhe 19 qershor dhe në 25 qershor do të jetë radha e Exit Pollit ku shqiptarët do të mësojnë, se cila parti do t’i fitojë zgjedhjet. Ora News dhe IPR Marketing do t’ju tregojnë përsëri, se cila parti do të fitojë zgjedhjet e përgjithshme të 25 qershorit 2017. Tradita e suksesshme që tashmë është pjesë e Ora News në bashkëpunim me kompaninë e mirënjohur italiane IPR Marketing që për zgjedhjet e përgjithshme në vitet 2009 dhe 2013 si dhe në zgjedhjet vendore të vitit 2015, do të jetë pjesë edhe e këtyre zgjedhjeve. Presidenti i RTV Ora News, Ylli Ndroqi: IPR Marketing ka bërë një traditë dhe ka vendosur një gjurmë në historinë e zgjedhjeve qofshin ato për pushtet lokal apo për parlament, duke i afruar shqiptarëve një sondazh tepër korrekt dhe një sondazh që nuk i ka shërbyer partive politike, por i ka shërbyer votuesve.

Antonio Noto: Shqipëria është shndërruar në atdheun tim të dytë, dhe ndjek Ora News edhe përmes internetit, sepse më pëlqen të ndjek evolucionin e cilësisë dhe programacionin e informacionit të Ora News.

Të mërkurën e 31 majit, në studion e Tonight Ilva Tare, do të bëhet fotografimi i parë i votës për të përcaktuar pozicionet e partive politike në nisje të fushatës elektorale

Antonio Noto: Që nga java tjetër, do të kemi një sondazh të parë në nivel kombëtar dhe në një qark të caktuar dhe do të fillojmë të kuptojmë, se cilat janë pozicionet e partive në nisjen e fushatës elektorale.

Ashtu si edhe më herët, IPR dhe Ora News do të kryejnë 3 sondazhe ku, përveç sondazhit në rang kombëtar, pjesë e skanerit të votës do të jenë edhe 3 qarqe të tjera ku gara elektorale është e nxehtë.

Serioziteti dhe profesionalizmi i Ora News dhe IPR Marketing si dhe përkushtimi i lartë në shërbim të interesave të qytetarëve shqiptarë, kanë krijuar një besim të padiskutueshëm tek votuesit shqiptarë, dhe ky është çelësi i suksesit edhe i sondazheve tona.

Antonio Noto: Qytetarët shqiptarë kanë qenë gjithmonë të sinqertë në sondazhet tona. Sondazhet tona gjithmonë kanë fotografuar realitetin, por ne shkojmë përtej sinqeritetit. Kemi statisticienë për të dhënat statistikore që bëjnë të mundur ponderimin e rezultateve që marrim përmes sondazheve. Pra, jo vetëm që mbështetemi në sinqeritetin e qytetarëve shqiptarë, por kemi edhe statisticienët tanë që që përpunojnë të dhënat në mënyrë të saktë.

Pas sondazhit të 31 majit, prirja e votës së qytetarëve do të testohet në 7 dhe 19 qershor, ku përveç sondazhit kombëtar, do të ketë edhe një sondazh për 3 qarqe të veçanta, për të dhënë një pamje më të qartë të prirjes së votës së zgjedhësve shqiptarë.

Më pas, gongu final, më 25 qershor direkt pas përfundimit të procesit të votimit, do të publikohet Exit Polli ku qytetarët do të mësojnë se kush është fituesi i zgjedhjeve me saktësi të plotë, ashtu si në çdo sondazh tjetër të kryer nga IPR Marketing dhe të transmetuar në Ora News.

Presidenti i RTV Ora News, Ylli Ndroqi: Qytetarët shqiptarë t’i referohen sondazheve tuaja dhe t’i referohen ekranit të Ora News për të marrë të vërtetën.

Antonio Noto: Ne mendojmë se do jetë një sukses për Ora News dhe për IPR Marketing, siç ka qenë gjithmonë.

IPR Marketing është kompania lider e sondazheve në Itali, ndër të paktat që parashikoi me saktësi edhe referendumin e fundit në shtetin fqinj ku fitoi alternativa Jo, që shkaktoi edhe dorëheqjen e Renzit si Kryeministër i Italisë.
Sigal