Haxhi Gjoza: “Ne, familjet e dëshmorëve të LANÇ, të harruara nga shteti”

1009
Sigal

Nga Xheladin ÇELMETA

INTERVISTA/ Rrëfen nga Poloska, vëllai i dëshmorit Nevruz Gjoza

(Vijon nga numri i kaluar)

Nevruz Gjoza mori pjesë në të gjitha aksionet. Më 20 shkurt 1943 çeta shkoi në Pojan. Dhe u rrethua. Spiunët lajmëruan italianët dhe rrethuan çetën. Komanda urdhëroi: “Nevruz Gjoza e Selman Vishotica të marrin mitralozat dhe të hipin mbi minaret dhe ta nxjerrin çetën nga rrethimi. Kështu u bë. Dhe qëlloi Nevruzi mbi armiqtë dhe vrau 2 oficerë e 5 ushtarë italianë. Çeta doli nga rrethimi dhe të dy këta, ju bashkuan asaj. Pas kësaj, ballisto-fashistët bënë masakra të mëdha: Vranë 23 fshatarë, dogjën 2 gra në furrë; Fetije Pojanin dhe Feime Pojanin. Më tej, çeta shkoi në Leskovik. Partizanët e saj çarmatosën garnizonin italian të Leskovikut. Kaluan Gorën, Oparin dhe mbërritën në Leskovik. Komanda iu tha: “Nevruzi e Ferit Sinica të shkallmojnë portat e garnizonit”. Pastaj, komanda tjetër: “Nevruz, do vëzhgosh korijet këtu”. “Si urdhëron”, thotë Nevruzi. Dhe vështroi korijet me imtësi. Dolën 3 ballistë. Iu ranë ballistëve dhe i plagosën ata. Po u plagos dhe vetë. Plaga e Nevruzit ishte në anën e majtë. Nevruzi dy ballistët i vrau; kurse një shpëtoi. Komanda i tha Nevruzit që të mos shqetësohej, se do të mjekohej në spitalin partizan. Për 5 ditë plaga iu shërua. Pas kësaj, çeta u kthye nga Leskoviku dhe erdhi në Devoll. Partizanët u ndanë nëpër shtëpia, sipas urdhrit të komandës, që të laheshin, visheshin e pastroheshin dhe për 3 ditë të ktheheshin prapë në çetë. Nevruzi erdhi në shtëpi, vari pushkën në mur, hoqi nga mezi gërshërët që prisnin telat, çantën me granata, pistoletën. Kur…na erdhi një spiun që na vështronte nga vrimat në penxheret, të cilat ishin të zëna me bajga lope. Ishim krejtësisht të varfër, mezi gjenim bukë për të ngrënë. Unë jam vëllai më i vogël në familje. Gjashtë fëmijë ishim, 2 motra vdiqën, vëllai i madh u dogj, 2 vëllezërit e tjerë vdiqën për bukë… Dhe ja, unë kam mbetur tani. U bëra 91 vjeç. …Dhe, që thua ti, flet spiuni që nga vrima e penxheres: “I thoni Nevruzit të dorëzohet”. Nëna ia kthen me zemërim: “Nevruzi nuk ka ardhur!”. “Jo, ka ardhur”, ngul këmbë spiuni, “ja ku i ka pushkën dhe pajimet të varura në mur”. Nëna këmbënguli: “Ik, të thashë se nuk është këtu djali”. …Iku spiuni. Pastaj nëna e zgjoi nga gjumi Nevruzin, dhe i tregoi ç’kish ngjarë. Nevruzi u nxeh: “Pse s’më fole moj nënë, që ta kisha vrarë në vend atë spiun të poshtër”. Pas kësaj partizanët vendosën të mblidheshin në një bazë aty afër dhe mendonin se ku mund t’i bënin aksionet kundër fashistëve. Kështu, më pas partizanët shkuan në Suç. Suçi kishte 400 ballistë. Harrova një detaj. Nevruzi më 11 shtator 1943 u plagos për së dyti në luftime, tashmë me gjermanët. Aty partizanët vranë 18 gjermanë dhe zunë 3 makina me mall e i çuan në Voskopojë, ku ishte dhe Enver Hoxha. Në këtë kohë, Nevruzi ishte emëruar komandant kompanie. Po të tregoj se si ra dëshmor vëllai im: Spitali ishte në Bradvicë. Disa fshatarë nga Bilishti e morën Nevruzin e plagosur me kalë, nga atje ku ishte dhe e shpunë në Hoçisht, e më pas në Bradvicë. Ishin 3 partizanë aty në spital, gati duke u shëruar. Më 23 shtator ’43 komandanti i Ballit Kombëtar, Emin Kadia, lidhet me gjermanët. Përmes spiunëve e ballistëve një kompani gjermane rrethoi Bradvicën ku ishte spitali partizan. Pasi bënë masakër te fshatarët, në fund ju lëshuan Bradvicës. Doktorit të spitalit Shaban Menkulasit i thanë që të dorëzonte spitalin, por ai nuk i dëgjoi. Në këtë kohë del Nevruzi në derën e spitalit me mitroloz dhe vret 4 gjermanë në oborrin e spitalit. Dy shokët e tij ishin vrarë ndërkohë. Atëherë gjermanët e goditën me flakëhedhës dhe e dogjën të gjallë. Ra si hero, dëshmori i atdheut Nevruz Gjoza. Kur mbaroi beteja, partizanët panë që në murin e spitalit, brenda, Nevruzi kishte shkruar me gjakun e plagës së tij fjalët: “Vdekje fashizmit, Liri popullit. Rroftë Shqipëria”. …Ndërsa unë sot, “familje dëshmori”, rroj kështu siç e shihni vetë. Mjerimi më ka mundur. Dhe shteti nuk na jep asgjë. As një bukë, as një kile oriz, e jo më gjë tjetër. Tani, seç kam një shpresë se mos Kryesia e Organizatës së Dëshmorëve po punon, me propozime në qeveri për një status të ri për ne familjet e dëshmorëve. Se ne shteti na ka harruar plotësisht. Mua kryeministri Rama më njeh, kryeparlamentari Gramoz Ruçi më njeh, Presidenti Ilir Meta më njeh. Kaq shumë muhabet kam me Metën sa s’ka ku të shkojë. I kam dërguar Presidentit 3 propozime për ta bërë vëllain tim “Nderi i Kombit”, por hiç gjë. Te bashkia e Bilishtit, kur shkova, ishin të tërë demokratë; shkova atje dhe propozova për t’i vënë emrin e vëllait tim një rruge në Bilisht. Dhe ja vunë. Madje, para ca vitesh më thotë Dritëroi që të bëj një libër për tim vëlla dhe unë e bëra. Thonin njerëzit, “nuk ke bërë vetë librin ti Haxhi”. Dritëroi ua kthente: “Vetëm Haxhiu nuk di të gënjejë, ai ka treguar në libër vetëm të vërtetën për vëllanë e tij, dëshmorin e lavdishëm Nevruz Gjoza”. Ja kështu,tha. Unë sot nuk kam asnjë mbështetje nga shteti. Nuk kam njeri në punë shteti. Ja bre, edhe djali i djalit që më ka vdekur, Orgesti, është 26 vjeç; e kam të martuar dhe e kam të papunë prej kohësh. Eeeh, sikur edhe roje ta vinin, do më bënin nder, se ai 8-vjeçaren ka; pa le të tjerat…!”

Të harruar, ata që nuk mund të harrohen!

“Historia shkruhet nga fitimtarët”, thoshte shpesh nëpër fjalimet e tij, Winston Çërçill. Në këtë kontekst, Haxhi Gjoza, personazhi i shkrimit të mësipërm, jo vetëm që është vëlla i dëshmorit të LANÇ, por edhe vetë ai në këtë luftë ka qenë një ndër 70 mijë partizanët, luftëtarë të UNÇSh, që së bashku me tërë popullin shqiptar, i sollën Shqipërisë lirinë e shumëdëshiruar më 29 Nëntor 1944. Edhe Haxhi Gjoza, pra, është një ndër ata, që forca madhore e arsyes kombëtare, për ta shpëtuar Shqipërinë nga nazifashizmi, e motivoi atë si gjithë të tjerët në këtë luftë legjendare. Dhe kësisoj, koha i dha legjitimisht atij titullin e “fitimtarit”. Dhe logjikisht, referuar sentencës së të madhit Winston Çërçill, Haxhi Gjoza është një ndër shkruesit e historisë. Ai, si mijëra luftëtarë të tjerë, që dolën malit për liri dhe fituan, shkroi historinë e tij prej partizani të devotshëm; shkroi historinë e familjes së tij patriote deri në gjen. E shkroi atë, me gjakun e të vëllait të tij dëshmor, Nevruzit, por dhe me gjakun e vetë plagëve të tij që mori në luftë. Ai dhe të tjerë e shkroi historinë e lavdishme të Shqipërisë, si “çlirimtar”, si “fitimtar”. Shqipëria jonë, falë heroizmit të popullit të vet, u rreshtua krah Koalicionit të madh anglo-sovjeto-amerikan, që ishin Forcat Aleate fituese të Luftës së Dytë Botërore, më 9 Maj 1945. Askush nuk ka të drejtë të fshijë me gomë historinë e Haxhi Gjozës, që është historia e 70 mijë luftëtarëve partizanë, bijë trima të popullit shqiptar. Askush nuk mund të fshijë me gomë, historinë e lavdishme të LANÇ, e shkruar me gjakun e 28 mijë dëshmorëve. Por një ndër çudirat e këtij tranzicioni shqiptar të pas ’90-s, është se në mënyra nga më të sofistikuarat, po synohet të harrohen ata që s’mund të harohen. Po synohet të harrohen dëshmorët e LANÇ, e më tej akoma, edhe familjet e dëshmorëve të LANÇ. Deri në vitin 2006, e vetmja gjë që i dallonte familjet e dëshmorëve të LANÇ nga familjet e tjera, ishte shpërblimi simbolik prej 70 mijë lekësh të vjetra, që shteti ju jepte atyre. Dhe për çfarë bëhet fjalë konkretisht? Me vendim të qeverisë shqiptare, menjëherë pas çlirimit, deri në vitin 2006, këtë shpërblim e përfitonte familja e dëshmorit të LANÇ, ku bënin pjesë sipas rastit; nëna, babai, fëmija, vëllai apo motra e dëshmorit (sa janë në jetë). Por ç’ndodhi? Pikërisht në vitin 2006, qeverisja e djathtë ua hoqi këtë shpërblim familjeve të dëshmorëve të LANÇ. Një ironi therëse, një fyerje banale, një poshtërim; kur dihet që përfituesit janë shumë pak, se nënat apo baballarët e dëshmorëve për arsye natyrale, referuar këtij viti (2006), kur u hoq ky shpërblim, nuk janë më në jetë. Kurse tek-tuk, dëshmorët e LANÇ mund të kenë gjallë vëllanë apo motrën në moshë shumë madhore (bëhet fjalë për 80-90-vjeçarë). Dhe sot ata janë aq pak, sa numërohen me gishtat e dorës. Nga konteksti financiar apo ekonomik, Qeveria nuk e ka për gjë, sikur t’ua kthente sërisht këtë shpërblim simbolik, të hequr me të padrejtë. “Një qeveri e mirë, është e tillë për popullin e vet, kur ajo di të korrigjojë gabimet e saj”, thotë një politolog i kohëve moderne. Sikur ky shpërblim t’ju rikthehej familjeve të dëshmorëve të LANÇ, kredibiliteti i qeverisë veçse do të rritej, përpara popullit e Kombit shqiptar. Ndërsa, po të flasim për shifra, na duhet të shpjegojmë për lexuesit, se efekti në buxhetin e shtetit shqiptar do të ishte gati i papërfillshëm. Familjet e dëshmorëve të LANÇ, as nuk mund të harrohen, as nuk mund të braktisen, as nuk mund të denigrohen.