24 orë nga jeta e një ish të trafikuare

    685
    Sigal

    Nuk dëgjohet shpesh që, bashkëshorti të bëhet tutor e të prostituojë nusen e vet

    Nuk ka asgjë të dukshme në portretin e saj që t’i tregojë me shenja ato që ka hequr, por shpirtin e ka blozë. Ai nuk i mban fare, sepse i kishte bërë ndryshe llogaritë me veten vite më parë…e kishte kalkuluar ndryshe jetën e saj, por gjithçka iu pre në mes pikërisht atëherë kur mendoi se ëndrrat për princin e kaltër u bënë realitet. Hoqi fustanin e nusërisë për të veshur nallanet e larta, teksa endej rrugëve me drita të kuqe të Europës.

    -Femrat nuk pyeten për moshën, megjithatë askush nuk e di kush je, ndaj ma lejo…

    Për pak javë mbush 37 vjeç, por ndjehem sikur kam jetuar 100 vjet…

    -Kaq shumë ngjarje kanë ndodhur në jetën tënde?

    Kanë ndodhur aq shumë, sa nuk di as se si shpëtova pa u vrarë vite më parë e as se si shpëtova pa vrarë veten. Nuk është se nuk e kam menduar…madje edhe e kam provuar, por nuk e kam gjetur guximin për ta bërë.

    -Kush paska pasur kaq shumë mllefe ndaj teje…po ti ndaj vetes pse i ke pasur?

    Unë i fitova më vonë inatet kundër vetes e botës, sepse edhe unë e kam pasur një jetë si gjithë të tjerët, edhe pse nuk kam për të treguar shumë për 19 vitet e para të jetës sime. Ato i kam kaluar në një familje të varfër, por të ndershme të një fshati të vogël, ku mezi mbushnim barkun me bukë. Në shkollë kam qenë deri në 8 vjeçare, pastaj u shkëputa për të ndihmuar prindërit se kisha edhe 3 vëllezër e motra më të vogla. Kur mbusha 18 vjeç erdhëm në qytet, me mendimin se mund të kishim më shumë mundësi. Në fillim më ndihmoi një kushërirë e babit, duke më rregulluar punë në një fabrikë konfeksionesh. Aty krijova një marrëdhënie shumë të ngushtë me të dhe me të dashurin e saj, sepse më ftonin shpesh për kafe, ngaqë isha edhe vetëm. Pas disa muajsh, i dashuri i kushërirës më prezantoi me një shok që me thënë të drejtën, më pëlqeu shumë, nga pamja fizike. Më vinte mirë kur ai ma shprehte simpatinë…ndjehesha e vlerësuar, sepse edhe pse isha e re, edhe pse nuk isha e shëmtuar, askush nuk kishte treguar interes ndaj meje. Më quanin fshatare. Ndoshta për të gjitha këto, u ndjeva shumë shpejt mirë me të dhe edhe ju fala shumë shpejt….

    -Një histori dashurie si gjithë të tjerat….

    Po, ashtu ishte. Ai bënte të ndjehesha princeshë dhe nuk u kam besuar veshëve kur ai më tha se donte të takonte prindërit e mi. Në fakt nuk e kisha menduar se do të krijoja familje aq shpejt, megjithatë, e dija që nuk mund të bëja më shumë gjëra për veten time. Më dukej shumë vonë të nisja gjëra nga e para, siç ishte shkolla për shembull, kështu që ideja se dikush do të kujdesej për mua, më bënte të ndjehesha shumë e lumtur. Për këtë arsye nuk jam menduar gjatë për të folur në fillim me nënën time dhe pastaj nëna foli me babain. Nuk dua t’i bie gjatë se për hir të së vërtetës, as nuk ishte një proces që zgjati. Nuk dua të fajësoj prindërit, por ata ndoshta donin edhe më shumë se unë…se normal, një gojë më pak në familje, edhe pse mua ndihmë më kishin.

    -Një histori fejese si ato që jemi mësuar të dëgjojmë shpesh…

    Po, por nuk dëgjoni shpesh që bashkëshorti të bëhet tutor e të prostituojë nusen e vet.

    ???

    Madje unë edhe jam martuar.. kam veshur edhe fustan nusërie. Në familje nuk ishte mundësia për të bërë dasmë, por motra e një shoqes sime të punës ishte parukiere dhe kishte disa fustane nusërie që i lëshonte me qira. Ajo më ndihmoi edhe duke më bërë nuse, edhe duke më dhënë fustanin që të paktën edhe pse nuk do bëja dasmë, të kisha një kujtim me njerëzit e mi të afërm. Por, magjia zgjati vetëm 6 javë pas dasmës sime modeste, kur bashkëshorti më tha se e kishte rregulluar të iknim si klandestinë në Itali, që të mblidhnim ca para dhe pastaj të ktheheshim në Shqipëri e të hapnim një biznes të vogël tonin.

    -Ti nuk pyete më gjatë?

    Jo, e para sepse me të mund të shkoja në fund të botës…e dyta, çfarë do humbisja këtu? E treta, isha mësuar me modelin që në familje, burri thotë fjalën e fundit, kështu që nga të gjitha anët, unë me veten time isha në rregull. Kemi udhëtuar në hambarin e një anije, që natës së varrit do t’ia tregoj për të gjithë peripecitë që hoqa. Kur shkuam atje, ai më tha se për të kursyer në fillim, do jetojmë në shtëpinë e disa shokëve të mi. Përsëri nuk bëra fjalë, se gjithmonë me mendimin se është burri ai që i di të gjitha…(psherëtin)

    -Po pastaj…?

    Pastaj një pasdite, erdhi njëri prej shokëve të tij dhe filloi të më vinte vërdallë…të më prekte…unë largohesha, ai afrohej, derisa m’i kapi të dyja duart, më shtrëngoi fort dhe më hodhi mbi divan. Nuk kam çfarë t’ju tregoj me detaje…përveçse përpiqesha të bërtisja dhe më vinte dorën në gojë për të ma mbyllur..pastaj erdhën edhe dy të tjerët…pastaj nuk mbaj më mend se kam humbur ndjenjat. Kur kam hapur sytë, pashë tim shoq, bashkë me shtazët që më përdhunuan dhe atë që më thoshte: “Të thashë që do bëjmë lekë? Bëhu gati se do ja fillojmë nga puna që nesër e tutje”..

    -Dmth dole në rrugë?

    Kisha zgjidhje tjetër? Nuk është se nuk tentova të tërhiqesha, por unë jam ende me shenjat e cigareve të fikura në trup e me prerjet e mishit me thika e shtiza. 17 muaj torturë kam hequr duke duruar në trup çdo çmenduri njerëzish të etur për seks. I humba një herë e përgjithmonë shpresat se do të dilja ndonjëherë nga ajo lloj jete. Mund të shkoja me 10-12 klientë në natë.

    -Po pastaj si dole?

    Kisha një klient që vinte shpesh të më kërkonte. Pas disa muajsh mësova se ishte polic. Të them të vërtetën, nuk u ofrua ai të më jepte ndihmë, por isha unë ajo që ja kërkova. Ai më ndihmoi, duke më kërkuar të rrinte tërë natën, në mënyrë që unë të kisha kohë të shkoja dhe të gjeja rajonin më të afërt, pasi në kushte të tjera, ishte e pamundur, pasi më ruanin gjatë gjithë kohës. Me shapka banjoje kam vajtur në rajon. Aty më kanë mbajtur disa ditë, ku pata mundësi të flas edhe me familjen, ku u thashë se gjërat nuk shkonin mirë, por pa ju treguar të gjithë të vërtetën. Kisha frikë edhe për ata. Me një lëvizje, ndihmova edhe veten time, edhe vajzat e tjera, pasi pas denoncimit tim, grupi i ish- burrit tim, u arrestua. Më sollën në Shqipëri, ku për disa kohë u strehova në qendrën anti trafik ku më ka asistuar një grup njerëzish me mjekë e psikologë. Frika ime më e madhe erdhi, kur mësova se ai ishte i lirë, pasi kishte goxha kredi edhe atje, por disa muaj më vonë, nuk jam lumturuar ndonjëherë më shumë për vdekjen e një njeriu, sepse e vranë, pas përfshirjes edhe në një biznes të madh droge.

    -Rifillimi i një jete të re duhet të ketë qenë i vështirë…

    Në fillim nuk shihja dot familjen  në sy…më vinte zor, por edhe për ata e di që ishte po njësoj. Dalëngadalë u mësuam me këtë ide dhe nuk flitej më kurrë në shtëpinë time. Pastaj shkova në Tiranë, ku edhe jetoj dhe mora ndihmë nga një organizatë për gratë e trafikuara, u trajnova për të punuar nëpër apartamente. Sot punoj në një familje shumë të mirë dhe jetoj aty tek ata. Plagët e trupit tim janë shëruar, por ato të shpirtit jo.

    -Çfarë ka peng në jetën tënde?

    Asgjë nga e shkuara, edhe pse nuk ka qenë e kaluar e bukur. Më mundon ideja që nuk kam një fëmijë, por fëmijët që të bëhen kanë nevojë për burra dhe unë…nuk u besoj më atyre.