2014 po mbyllet me “realizime dhe tejkalime” të ardhurash

    64

    OSHEE ka nisur aksionin e mbifaturimit të qytetarëve

    OSHEE ka nisur paralelisht me aksionin e prerjeve të paligjshme të energjisë elektrike, edhe “aksionin” e mbifaturimit të qytetarëve pa probleme. Kjo po ndodh pothuajse në çdo qytet të vendit. Shumë prej qytetarëve tregojnë se kanë marrë borxhe vetëm për të shlyer detyrimet, ndërkohë që i duhet të përballen me neglizhencën e kompanisë OSHEE. Qytetarët shqiptarë megjithëse po hyjnë në borxhe dhe po kursejnë edhe bukën për të paguar faturat e energjisë, OSHEE i shpërblen me mbifaturime dhe mosnjohje të pagesave të bëra. Duke pritur në radhë me orë të tëra, për të qenë në rregull me shtetin, ata ankohen se abuzimet kohët e fundit janë rritur ndjeshëm. Por nuk është ky i vetmi problem, pasi vetëm pak kohë më parë OSHEE u akuzua se “blinte energji me çmime të shtrenjta”. Autoriteti i Konkurrencës konstatoi se “blerja e energjisë bëhej duke favorizuar dy kompani duke i shkaktuar shtetit 7 milionë euro dëm”. Por skandali nuk përfundon këtu, pasi edhe për muajin dhjetor 2014, konstatohet se energjia vijon të blihet nga ofertuesit më të shtrenjtë duke i shkaktuar një tjetër dëm buxhetit të shtetit, ku rezulton se ka diferenca të mëdha mes çmimeve sipas kompanive të shpallura fituese dhe kjo llogaritet në 10 % më shtrenjtë. Për të mbuluar këto deficite, duket se OSHEE ka menduar dhe ka vendosur që për muajt nëntor dhe dhjetor 2014, të mbifaturojë qytetarët. Kjo ka ndodhur realisht dhe OSHEE u justifikua duke deklaruar se “po zbatojmë projektin pilot për 4 rrethe: Elbasan, Durrës Fier dhe Korçë”. Fakti është që fillimisht në këto 4 rrethe, qysh nga muaji korrik, nisi zbatimi i projektit, duke mos u faturuar qytetarëve sasinë e harxhuar të energjisë, pra, duke u dërguar në shtëpi atyre faturën me vetëm 340 lekë për atë muaj. Kjo ngjalli habi të madhe, aq sa qytetarët u dyndën në sportelet e OSHEE-së dhe Postës, duke kërkuar shpjegime. Sqarimi ishte i thatë se “do t’ju faturohet sasia e harxhuar muajt në vazhdim”. Dhe ashtu ndodhi. Gjithë sasinë e korrikut, qytetarët e kanë paguar më shtrenjtë në muajt shtator-tetor dhe nëntor, kurse për dhjetorin sërish po aplikohet mbifaturimi duke u justifikuar se “keni kilovat të prapambetura”. Pavarësisht ankimeve dhe trokitjeve në sportelet e OSHEE-së, qytetarët asnjëherë nuk janë sqaruar plotësisht dhe qartazi për të gjithë situatën e krijuar, faturat e kripura dhe arsyet e mbifaturimeve. Gjithmonë në sportele atyre u thuhet se “kaq keni harxhuar, paguaj, sepse do t’u priten dritat, kemi urdhër”. Situata e krijuar, ka futur në ankth, borxhe dhe stres qindra e mijëra abonentë të rregullt të OSHEE-së, pasi nuk po gjejnë rrugët dhe mundësitë për të sqaruar dhe zgjidhur problemin, mbifaturimin e energjisë që po rëndon xhepat e tyre.

    Nga ARTUR AJAZI