200 farmacistë kundër statutit të ri të UFSH

    338
    Një grup prej më shumë se 200 farmacistësh, të cilët kanë mbushur moshën e pensionit, por kanë zgjedhur të vijojnë të punojnë, i janë drejtuar nëpërmjet një letre institucioneve më të rëndësishme në vend duke kërkuar mbështetjen e mbrojtjen e tyre, ndaj vendimit të Urdhrit të Farmacistëve, të datës 29 maj 2015, i cili u heq të drejtën e ushtrimit të profesionit si drejtues teknikë. Nëpërmjet kësaj letre farmacistët sqarojnë se ky vendim është arbitrar, antiligjor, antiprofesional dhe diskriminues. Farmacistët akuzojnë për këtë vendim presidenten e Urdhrit të Farmacistëve, Diana Toma, e cila e propozoi atë që në dhjetor të 2014-ës në Ministrinë e Shëndetësisë, por kjo e fundit nuk e mori në konsideratë. Por, sipas tyre, ky projekt-vendim është shqyrtuar në mënyrë të fshehtë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar. “Ajo e ka bërë këtë në mënyrë të kamufluar, kur disa nga anëtarët e rajoneve nuk ishin prezentë. Kjo mbledhje për më tepër është thirrur në kundërshtim me sa është parashikuar në kuadrin rregullator, pasi anëtarët që përfaqësojnë Ministrinë e Shëndetësisë, Fondin e Sigurimeve Shëndetësore dhe Fakultetin e Farmacisë nuk janë thirrur në mbledhje. Ndërsa të tjerëve njoftimi nuk u është bërë konform parashikimeve në statut e rregullore”, theksohet në letër. Farmacistët e konsiderojnë diskriminues statutin e të vetmit organ që ata pretendonin se mbronte interesat e tyre, por që, sipas tyre, po i përçan dhe po u shkel të drejtat që ua njeh ligji.
    “Në momentin kur ne kemi nevojë për mbështetje, presidentja na përgjigjet më ligësi. Në kohën kur ne kemi nevojë për vlerësim dhe besojmë se e meritojmë atë, ajo na përgjigjet me diskriminim. Kur ne paraqitemi me dinjitet, ajo na përgjigjet me depersonalitetin e saj. Kur ne kemi nevojë për mbrojtje sipas ligjit, ajo na kundërvihet me vendime antiligjore. Kur ne kemi nevojë për promovim mes profesionistëve të tjerë të shëndetësisë, mjekë, stomatologë, për të cilët Urdhri i tyre është mbrojtës i palëkundur, ajo na turpëron para tyre. Së fundi, kur ne kemi nevojë edhe për të ardhura financiare të ligjshme, ajo na i privon” theksohet në letër duke vënë në dijeni të gjithë autoritetet e vendit. Sipas tyre ndryshimet e bëra në statut janë antiligjore. “Me këto ndryshime shkelen njëherësh: 1. Kushtetuta e RSH; 2. Ligji për barnat; 3.Ligji për profesionet e rregulluara; 4. Kodi i Punës; 5. Ligji për të drejtën e informimit; 6. Ligji për Urdhrin e Farmacistëve”, theksohet në letrën e farmacistëve. Në apelin e tyre, nëpërmjet së cilit kërkojnë mbështetje, ata akuzojnë se UFSH është shndërruar në një organizëm të interesave personale. “Një pjesë e drejtuesve të këtij enti po e çojnë atë në greminë, thjesht dhe vetëm për interesa personale dhe klanesh të brendshme për të ruajtur e ndarë përfitime me një grup të vogël njerëzish mes tyre”, theksohet në letër. 
    Sigal