150 fëmijë mbeten rrugëve

    351
    Sigal

    Gdhihen e ngrysen pa asnjë mundësi jetese

    Fëmijët e mbetur pa asnjë përkrahje apo siç quhen ndryshe sot “fëmijët e rrugës”, janë kthyer në klientë të përditshëm të koshave dhe kazanëve të mbeturinave që ndodhen buzë akseve rrugore dhe pallateve në qytetin e Durrësit. Të mbetur në udhëkryq, jo vetëm nga problemet e shumta familjare por edhe nga shteti, fëmijët e rrugës, janë bërë shpesh objekti i synimeve për përfitim nga rrjete trafikantësh, apo grupimesh të tjera që veprojnë brenda vendit, duke i konsideruar ata si kontingjentin perfekt për të mbledhur para duke lypur. Në Durrës kjo kategori është lënë pas dore dhe në harresë totale. Prej 23 vitesh asnjë pushtetar vendor apo shoqatë nuk e di saktë sa është numri i tyre, vetëm zhurma fillon kur policia arreston ndonjë çift trafikantësh, apo denoncohet me celular fare rastësisht ndonjë akt i tillë nga grupime rivale. Të ndarë në grupe dy-tre vetash, me një thes të hedhur në krah, fëmijët e rrugës do t’i ndeshësh çdo orë të ditës mbi kazanë mbeturinash, apo të ulur në bordura duke qëruar “produktin” e gjetur për të mbajtur frymën gjallë. Pak ditë më parë tek shëtitorja buzë detit  ata u bënë objekt edhe i kamerave të një grupi turistësh të huaj, të cilët tek filmonin objektivin e drejtuan edhe nga grupi i fëmijëve të rrugës që po “eksploronin” tek kazanët e pallateve aty pranë. Pasi filmuan gjatë, turistët e huaj ju afruan dhe i gostitën fëmijët e rrugës me diçka që u ndodhej atyre në xhepa, por këtë nuk e ka bërë deri sot asnjë pushtetar apo biznesmen vendas, ku ngritja e një qendre rehabilituese për këtë kontingjent do të ishte vepra më e mirë dhe një shenjë humanizmi. Vetëm 10 për qind të parave që ata japin për fushata dhe dreka e darka, t’i derdhin për një qendër ku të mblidhen fëmijët e rrugës, ata që mbledhin dhe mbajnë jetën e tyre me mbeturina  apo ndonjë lëmoshë turisti, qytetet tona nuk do të ishin bërë turpi i botës. Nuk ka rrugë të qytetit bregdetar ku mos takosh dhe shikosh fëmijë të rrugës, të zbathur dhe të rreckosur, ata i bien Durrësit kryq e tërthorë, duke mbushur thesin me ç’të gjejnë për të mbajtur frymën gjallë. Një ndër pikat e rendit të ditës në fushata elektorale parlamentare dhe vendore, mbetet edhe kujdesi për këtë kategori, por edhe pse është premtuar shumë, deri sot nuk është bërë asgjë. Ata janë të vetmuar dhe pa përkrahje, shpesh objektiv i trafikut dhe grupeve kriminale. Sipas statistikave policore, ka shumë persona që akuzohen për vjedhje, grabitje dhe tentativë vrasje, dhe që janë  nga mosha 14 deri 16 vjeç, dikur të braktisur, me një të kaluar të vështirë, por që grupimet kriminale i kanë “strehuar” dhe stërvitur duke i shtyrë me pagesë në krime ordinere. Padyshim kjo e “ardhme” i pret edhe ata që sot mbajnë thesin në krah dhe të rreckosur dimër-verë, zhyten në kazanë mbeturinash. Nuk mbahet mend qoftë edhe njëherë që një këshilltar bashkiak (blu ose rozë) të  jetë  ngritur dhe të ketë propozuar qoftë edhe formalisht për të bërë diçka  dhe për t’i ardhur në ndihmë  fëmijëve të rrugës. Propozime për rritje pagash për këshilltarët janë bërë, apo heqjen dhe shkurtimin e listës së  atyre që marrin ndihmë ekonomike, por propozime dhe rend dite me synimin e ndihmës dhe ngritjes së një qendre ditore për ata nuk ka ndërmend të bëhet. Madje qytetarët shprehen se “ata siç i kanë lënë turpërojnë qytetin dhe Këshill Bashkiak”, kurse ndonjë zyrtar vendor shprehet se  “edhe kazanët duhen pastruar”. Organet e pushtetit vendor duhet të jenë të parët institucione që duhet të dinë numrin e saktë të tyre, duhet të dinë vendbanimet e tyre të cilat janë padyshim edhe vagonët e braktisur të trenave, dhe të ndërhyjnë me fonde për ngritjen e një qendre rehabilituese qoftë edhe ditore. Kjo do të ishte një shenjë humanizmi dhe akt qytetarie, si dhe  mundësi që ata ti kthehen një jete normale.