15 mijë viza studimi për shtetasit shqiptarë, që duan të vijnë në Itali për të marrë një zanat

    467
    Sigal

    ITALI/ Hyrje të reja për ndjekje kurse formimi profesional apo për të përmbyllur në Itali me një praktikë pune një formim të nisur në vendlindje

    Përfituesit e këtij dekreti fluksesh do të mund të ndjekin një kurs formimi apo të kryejnë një praktikë punë në Itali. Për të parën herë dekreti është trevjeçar, 2014-2016

    15 mijë viza për studime për shtetas të rinj të huaj që duan të vijnë në Itali për të marrë një zanat. Këtyre të huajve u hapen dyert falë një dekreti të ministrisë së Punës të miratuar bashkë me ministrinë e Brendshme dhe të Jashtme, që autorizon hyrje të reja për ndjekje kurse formimi profesional apo për të përmbyllur në Itali me një praktikë pune një formim të nisur në vendlindje.  E për të parën herë dekreti nuk është vjetor por trevjeçar, pra kuotat e tij mund të përdoren nga viti 2014 deri në 2016-n. Në një kohë, kur flukset për punë janë praktikisht të bllokuara për shkak të krizës ekonomike, pikërisht formimi profesional mbetet një ndër të paktat kanale akoma të hapura për të hyrë në Itali. E ndoshta edhe për të qëndruar: në fund të këtij rrugëtimi formimi profesional, kush gjen një ndërmarrje që e punëson, mund të konvertojë lejen e tij për studime në nj lejeqëndrim për punë të varur. Dekreti, i nënshkruar më 25 qershor dhe i botuar në Gazetën Zyrtare më 1 nëntor, i ndan kuotat e hyrjeve si më poshtë:

    – 7.500 mijë hyrje do të jenë për ata që marrin pjesë në kurse formimi, të organizuara nga ente të akredituara, që mund të zgjasin 2 vjet e që duhet të parashikojnë lëshimin e një kualifikimi apo të një dëshmie mbi kompetencat e fituara.

    – 7.500 mijë hyrjet e tjera do të jenë për ata që duan të bëjnë praktika pune, që duhet të zhvillohen sipas një projekti të miratuar nga autoritetet kompetente, të ndryshme nga Krahina në Krahinë, nga ente të përcaktuara me ligj si për shembull, Qendrat e Punësimit, shkolla, universitete, apo organizma pa qëllim fitimi.

    Të huajt që duan të përfitojnë nga ky dekret fluksesh duhet të paraqiten në konsullatën italiane në vendlindje ku, bashkë me kërkesën e vizës, të dorëzojnë edhe dokumentacionin lidhur me kursin apo praktikën e punës që do të ndjekin në Itali, që duhet të jetë i aprovuar nga zyra kompetente krahinore.

    Kush vjen në Itali përmes këtij kanali ka të drejtën e një lejeje qëndrimi për studime.

    GREQI/ Nga këto programe kanë përfituar mjaft emigrantë shqiptarë që kanë qenë gjithnjë të punësuar me kontratë të rregullt pune

    Emigrantët e siguruar, kredi pa interes për blerjen e shtëpisë së parë

    Rreth 97 mijë familje do përfitojnë nga reforma ligjore për kreditë e strehimit nga OEK

    Organizata e Strehës së Punëtorit, që tashmë ka ndaluar jo vetëm kreditë, por edhe funksionimin, ka ofruar ndihmë bazë në të kaluarën, me subvencionime për qiranë apo kredi pa interes për blerjen e shtëpisë së parë. Nga këto programe kanë përfituar mjaft emigrantë shqiptarë që kanë qenë gjithnjë të punësuar me kontratë të rregullt pune-e jo vetëm minoritarë grekë siç ndodh në përgjithësi. E megjithatë edhe kreditë e OEK kanë patur probleme në shlyerjen, përderisa përfituesit janë shtresa punëtore kryesisht, që në vijim kanë mbetur pa punë e pa të ardhura. Me reformën e re ligjore për kreditë “e kuqe” lejohet ulja e këstit mujor nga 40% deri në 90%, sipas rastit. Reforma e re është miratuar në parlamentin grek, neni 55 i ligjit 4053/2014 dhe do të zbatohet urgjentisht, kështu që të interesuarit që kanë marrë kredi për strehim nga OEK duhet të drejtohen në bankën e kredisë së tyre, për të bërë kontratën e re të kohëzgjatjes së shlyerjes.

    Reforma e favorshme do të ofrojë mundësinë tek kreditorët të ulin shumën e shlyerjes për momentin, duke mos humbur shtëpinë nga sekuestrimet e detyrueshme që zakonisht bëjnë bankat në raste ekstreme. Kujtojmë se kreditë e fundit nga OEK janë dhënë në vitin 2011, para se institucioni të përfshihej në kupolën e OAED.  Kreditë kanë afat 15-vjeçarë, janë dhënë nga bankat bashkëpunuese me OEK me subvencionim të interesit nga OEK për 9 vitet e para. Kreditë janë të lidhura me interesin e Bankës Qendrore Europiane që sot është 0,5% dhe nuk tejkalojnë dot 3%, ndërsa interesi është subvencionuar nga 40% deri në 100%, për 9 vite nga 15 të kredisë.

    *****************

    GREQI/ Ministria e Kulturës dhe ministria e Ekonomisë ofrojnë mundësinë tek të ligjshmit

    Hyrje FALAS në muzeumet greke, për emigrantët e papunë

    Keni kartë papunësie nga OAED? Keni hyrje falas në çdo muze të Greqisë, apo ambiente kulturore –muzeume, natyrisht në zonat e mbrojtura të lashtësisë greke. Ministria e Kulturës dhe ministria e Ekonomisë ofrojnë mundësinë tek vendasit (dhe banorët e ligjshëm të vendit) të vizitojnë falas ambientet historike e kulturore të vendit, nëse kanë kartë papunësie të rinovuar nga OAED. Vendimi është i përbashkët ministror, publikuar në Fletoren Zyrtare (FEK) me nr. 1318/23-05/14.  I. Londo