1400 naftëtarë sërish sot në protestë: Nuk do të ndalemi derisa të ndryshojë situata!

    409
    Sigal

    Skandal, drejtuesit e ARMO-s dhunojnë protestuesit, 100 forca policie bëhen palë me ta

    Punonjës të kompanisë ARMO në uzinën e përpunimit të naftës në Fier dhe në Ballsh, ashtu sikurse u paralajmërua, kanë dalë sërish dje në protestë, për pushimet nga puna mosshlyerjen e pagave, respektimin e kontratës kolektive tre vjeçare, si dhe shkrirjen e repartit zjarrfikës. Ata nuk kanë vijuar si zakonisht punën, duke kundërshtuar mos likuidimin e tyre në kohë. Prej 6 muajsh, punëtorët e rafinerisë së naftës, vijojnë punën pa marrë as një rrogë. Ndërkohë, kjo nuk është hera e parë që punonjësit e naftës hidhen në protestë, për shkak të trajtimit të tyre me kushtet e pagës dhe vonesave. Sipas protestuesve, protesta u zhvillua konform ligjit. Burime për “Telegraf” bëjnë me dije se, dje është marrë sërish një leje policisë për të protestuar jashtë ambienteve të uzinës, e cila do të jetë protestë pa afat. Është dorëzuar një kopje e lejes në drejtori, por ende nuk ka patur një reagim zyrtar. Protestuesit paralajmërojnë se, kjo nuk do të jetë protesta e fundit, por do vazhdojnë deri në grevë urie. Kryetari i Sindikatës së Përpunimit të Naftës së Shqipërisë, Kamber Iliazi, i cili mbështeti këtë protestë, u shpreh se, edhe pse janë organizuar disa takime edhe me zyrtarë të qeverisë, zëri i tyre nuk është dëgjuar ende. Ai shtonë se, ka patur edhe kontakte me kreun e Grupit Parlamentar të PS-së, z. Gramoz Ruçi, i cili ka marrë përsipër çështjen, dhe pritet të dërgoj njerëz, ndërkohë që, sot pritet një përgjigje përfundimtare. Këtë protestë e ka mbështetur dhe kryetari i Konfederatës së Naftës në qarkun e Fierit, Tafil Gjolena. “E mbështet këtë protestë, pasi është konform ligjit, pasi ka në thelb problemet ekonomike. Nuk ka pasur asnjë shkak për largimin e tyre nga puna, ndaj për këtë duhet të pyetet pronari”,- ka thënë Tafil Gjolena për mediat. “Nuk na janë shlyer pagesat e prapambetura. Kemi 6 muaj pa marrë rrogë. Ka administrata që nuk kanë marrë as pagën e shkurtit. Qeveria të ndërhyjë të zgjidhë këtë ngërç mes pronarit dhe ARMO-s. Ne jemi të vendosur të shkojmë deri në grevë urie. Kjo uzinë është pasuri kombëtare, pavarësisht se ka një administrator”,-  thonë protestuesit. Protesta e punonjësve ka nisur që në orët e para te mëngjesit, ku punonjësit nuk kanë lejuar mjetet autobote të hyjnë dhe të dalin nga uzina për gati dy orë. Mësohet se, protesta në rafinerinë e Ballshit ka vijuar normalisht, ndërsa në atë të Fierit janë shënuar dhe incidente dhe përplasje ndërmjet protestuesve, drejtuesve të ARMO-s dhe policisë. Në situatën e krijuar ka patur ndërhyrje edhe nga forcat e rendit të komisariatit të Fierit. Bëhet me dije se, mbi 60 veta forca policore dhe 40 të sigurimit privat, ishin të pranishëm gjatë protestës. Sipas protestuesve, më shumë ishin uniforma blu se sa protestues, dhe kjo gjë, behej për ta shtypu këtë grevë, që të mos dëgjohet zëri i tyre. Burime konfidenciale bëjnë me dije se, gjatë protestës është ushtruar presion i madh nga policia e shtetit dhe ajo private. “Greva filloi qetësisht, si nga punëtorët brenda ambienteve të uzinës dhe ata të pushuarit jashtë, por u ushtrua presion i madh nga shefja e kuadrit, Arta.B, e cila me laps në dorë, shënonte kush rrinte në grevë, që më pas ta largonte nga puna. Na provokuan me sherr, me dhunë. U provokua nga ana e ndërmarrjes, sepse bllokuam punë, greva ishte e ligjshme nga policia. Nga shefat e reparteve u provokua që të vinin dy autobot që të bllokohej rruga dhe të lajmërohej policia. Për dy orë e bllokuam rrugën, erdhi policia e rendit vet shefi i policisë, dhe pyetën se kush janë organizator të grevës. U hap rruga, u lajmërua ndërhyrja e shpejtë”,-shton ndër të tjera një prej protestuesve. Ai shton se, pas kësaj kanë arritur të sensibilizojnë punëtorët. Gjatë protestës së Fier ishte i pranishëm dhe kryetari i sindikatës, por nuk u lejua të futet në uzinë. Protestuesit e pushuar nga puna kanë protestuar jashtë ambienteve të uzinës, duke mos u lejuar të futen brenda. “Nuk u lejova të futem brenda, pse folëm në median, pse kërkuam pagat e prapambetura, kushtet ekonomike më të mira, të punojmë 40 orë siç e parashikon kodi i punës dhe jo 48 orë, etj.”,-tha një prej protestuesve të pushuar.

    Pse hesht ministri Damian Gjiknuri?!

     Pas protestës së paralajmëruar dje nga gazeta “Telegraf” dhe botimit të fakteve dhe e-mail-it të dërguar qeverisë dhe Ministrisë së Energjetikës, sërish vazhdon të mos ketë ende një reagim zyrtar. Mesa duket, zëri i naftëtarëve që enden dyerve të uzinave për të siguruar bukën e gojës ka rënë në vesh të shurdhër. Ministria e Energjetikës nuk i ka kushtuar vëmendje kësaj ngjarje që pritet të marrë përmasa tragjike, duke u bërë palë me drejtuesit e kompanive të huaja dhe duke i suportuar, me sa duket kjo për interesa personale. Ministri i Energjetikës nuk i përkrahë dhe nuk ju del në mbrojtje votuesve të Ballshit, Fierit, apo zonave përreth, duke i lënë në mëshirë të fatit, pa bukë, pa rroga, pa ilaçe, në kushte mizerable. Kushte, të cilat njihen mirë, jo vetëm nga drejtuesit e kompanisë, por edhe nga pushtetarët. Ata lihen të punojnë pa minimumin e sigurisë, nën rrezikun e lëndëve djegëse, duke rrezikuar çdo ditë dhe duke bërë hapa drejt vdekjes. Edhe pas bërjes publike të vendimit për shkurtimin e vendeve të punës, ende nuk ka patur një reagim. Por çfarë po ndodhë kështu, pse gjithë kjo moskokëçarje nga strukturat përgjegjëse? Çfarë po presin ende për të reaguar? Apo nuk duan që të prishin pazaret dhe interesat e tyre, interesa që rëndojnë në xhepat e naftëtarëve fukarenj, që nuk ju mjaftojnë kushtet mizerable dhe puna tejet e vështirë, por duhet të mbajnë me djersën e tyre dhe pushtetarët. Mos ndoshta ministri Gjiknuri po pretë një tragjedi të radhës, një tjetër vetëflijim, siç ndodhi me punëtoren që tentoi disa ditë më parë pas pushimit nga puna, apo si ka ndodhur në rastet e ish të përndjekurve politik. A ndoshta pretë ndonjë tragjedi akoma më të madhe, një Gërdec të dytë?!

    Skandal/ Naftëtarëve u mohohet e drejta e fjalës, punonjësja tenton vetëflijim

     Edhe pse kanë kaluar vetëm disa ditë që nga dita e fjalës së lirë dhe e lirisë në media, dy ditë më parë, ish-punëtorja e rafinerisë se naftës në Fier, tentoi vetëvrasje, për shkak të presionit të ushtruar nga strukturat e ARMO-s. Bëhet fjalë për znj. Luljeta Vangjeli, rreth të 50-tave, e cila u shpreh për mediat në protestën e kaluar rreth gjendjes së krijuar dhe pagave të pa marra. Nuk vonoj shumë dhe ajo u ndëshkua me pushim nga puna. Burime konfidenciale pohojnë se, znj.Vangjeli është telefonuar nga shefi i burimeve njerëzore i ARMO-s, z. Rexhep Shkalla, i cili e akuzuar për prishje të imazhit të kompanisë. Pas kësaj, shefja e kuadrit të uzinës, ka marrë vendim, duke i sjellë shkresë dhe e pushuar nga puna. E gjendur mes katër rrugëve, pa një të ardhur minimale për të siguruar jetesën, ajo tentoi të bënte flijim, duke tentuar vetëvrasje.