140 pacientët e Spitalit të Librazhdit pa ngrohje e ilaçe

    392
    Sigal

    Spitali drejt mbylljes, urgjencat drejt Elbasanit

    Mbi 140 pacientët e rrethit të Librazhdi prej 2 javësh kanë mbetur pa ngrohje dhe ilaçe, ndërkohë që rastet urgjente në këto ditë të ftohta dimri po nisen drejt Elbasanit, apo edhe Tiranës. Mjekët dhe drejtuesit e Spitalit të Librazhdit, shprehen se “jemi në prag mbylljes së këtij institucioni, pasi nuk po shërben për asgjë. Rrethi ynë, me një popullsi prej afro 40 mijë banorësh, me raste urgjente pothuajse çdo ditë, nuk ka një shërbim shëndetësor normal, pasi në të gjitha pavionet mungon ngrohja, dhe ilaçet elementare”. Pacientët dhe familjarët e tyre kanë telefonuar dhe deklaruar për “Telegraf” se, “kemi mbi 2 javë që nuk kemi ngrohje, nuk kemi madje edhe energji elektrike, mjekët na thonë ikni në Elbasan, ose mjekimet i bënë në shtëpitë tuaja, sepse këtu do të sëmureni më keq, kurse drejtori Kujtim Albrahimi, nuk jep asnjë shpjegim, por rri mbyllur në zyrë, telefonon Ministrinë e Shëndetësisë, por pa asnjë rezultat, këtu gjithçka është si në mesjetë”. Duke parë gjendjen e rënduar, mungesën e energjisë elektrike, ngrohjes, ilaçeve, familjarët e pacientëve trokasin dhe kërkojnë nga drejtoria e Spitalit marrjen e masave urgjente, futjen madje të sobave me dru, pasi temperaturat janë nën zero, dhe gjendja e të sëmurëve sa vjen e keqësohet. Në Urgjencën e Spitalit të Librazhdit, çdo ditë vijnë e paraqiten 50 deri 70 raste kritike, nga zona të thella malore të këtij rrethi, por ato menjëherë përballen me mungesën e shërbimit, duke rrezikuar shpesh jetën e pacientëve. Urgjencës i mungon mjeku specialist (pasi janë punësuar në Elbasan, apo Tiranë)  i mungon uji aksigjene, jodi, pambuku, shiringat, dhe prej muajsh edhe antibiotikët. Në gjendje të mjerueshme ndodhen edhe reparti  kirurgjisë, infektivi  dhe pediatria, të cilat janë katandisur pa mjekun e tyre specialist, pa sistemin e ngrohjes dhe ilaçe. Çdo ditë nisen drejt  Spitalit të Elbasanit dhe Tiranës mbi 40 deri 50 raste, duke nisur nga mjekimet e aksidenteve të lehta dhe të rënda e deri tek bërja e një tetanozi apo antibiotiku. Situata në këtë spital, duhet ta ndalë seriozisht Ministrinë e Shëndetsisë, dhe ta detyrojë atë të marrë masa urgjente për ti siguruar me të gjitha mënyrat pacientëve ngrohje, si dhe furnizimin me ilaçe. Librazhdi është një rreth jo i vogël, dhe ndodhet në kryqëzimin e rrugëve nacionale që lidhin qendrën e vendit me jugun e tij, ndaj në  këtë spital rastet urgjente  janë të shpeshta, ndërkohë që mungesa e ngrohjes dhe ilaçeve rrezikon seriozisht jetën e pacientëve. Në gjendje kritike paraqitet edhe Materniteti i Librazhdit. Mbi 90 për qind e grave të këtij rrethi lindin, ose në Elbasan ose në Tiranë, pasi edhe atje mungojnë kushtet, ngrohja, pajisjet  dhe  ilaçet.

    Ben Delimeta