10 mijë shqiptarë do të mund të vijnë për të marrë një zanat në Itali

    498
    Sigal

    ITALI/ Kurse formimi profesionale dhe stazhe për të huajt. Në konsullata, kërkesat për viza

    Edhe këtë vit 10 mijë të huaj do të mund të vijnë për të marrë një zanat në Itali, e më pas për të qëndruar këtu nëse mundësia e formimit transformohet në një vend të mirëfilltë pune.

    E thotë këtë dekreti i nënshkruar nga ministri i Punës, Enrico Giovannini, i botuar më 26 gusht në Gazetën Zyrtare, që përcakton një numër maksimal hyrjesh të njëjtë me vitin e shkuar.

    Dekreti dallon dy kategori hyrjesh:

    – 5 000 hyrje do të jenë për ata që marrin pjesë në kurse formimi, të organizuara nga ente të akredituara, që mund të zgjasin 2 vjet e që duhet të parashikojnë lëshimin e një kualifikimi apo të një dëshmie mbi kompetencat e fituara.

    – 5 000 hyrjet e tjera (të ndara sipas Krahinave e provincave autonome) do të jenë për ata që duan të bëjnë stazhe, që duhet të zhvillohen sipas një projekti të miratuar nga autoritetet kompetente, të ndryshme nga Krahina në Krahinë.

    Të huajt që duan të përfitojnë nga ky dekret fluksesh duhet të paraqiten në konsullatën italiane në vendlindje, ku bashkë me kërkesën e vizës, të dorëzojnë edhe dokumentacionin lidhur me kursin apo stazhin që do të ndjekin në Itali, që duhet të jetë i aprovuar nga zyra kompetente krahinore.

    Kush vjen në Itali përmes këtij kanali, ka të drejtën e një lejeje qëndrimi për studime që mund të konvertohet në leje për punë vetëm nga ata, që në fund të kursit apo të stazhit do të gjejnë një punëdhënës të gatshëm për ta punësuar.

    Programimi i këtij tipi hyrjesh po ndryshon. Këtej e tutje, siç parashikohet nga Dekreti i Punës i miratuar nga qeveria italiane në qershor, numri maksimal i vizave që mund të lëshohen do të përcaktohet çdo tre vjet.

    MINISTERO DEL LAVORO E DELLE POLITICHE SOCIALI
    DECRETO 16 luglio 2013. Determinazione del contingente annuale 2013, relativo all’ingresso di cittadini stranieri per la partecipazione a corsi di formazione professionale e tirocini formativi. (13A07121) (GU Serie Generale n.199 del 26-8-2013)

    Ndarja sipas Krahinave e provincave autonome e kuotave të hyrjes të shtetasve të huaj për të bërë një stazh formimi e orientimi

    Krahina Kuota

    ABRUZZO 50

    BASILICATA 30

    CALABRIA 50

    CAMPANIA 70

    EMILIA ROMAGNA 800

    FRIULI VENEZIA-GIULIA 400

    LAZIO 300

    LIGURIA 300

    LOMBARDIA 800

    MARCHE 300

    MOLISE 30

    PIEMONTE 400

    PUGLIA 50

    SARDEGNA 50

    SICILIA 50

    TOSCANA 400

    UMBRIA 30

    VALLE D’AOSTA 30

    VENETO 800

    Provinca Autonome BOLZANO 30

    Provinca Autonome TRENTO 30

    Gjithsej 5.000

    Shteti dhe Krahinat bien dakord për kriteret dhe procedurat. Cilat janë dokumentet

    Si kryhen praktikat e punës profesionale pranë ndërmarrjeve italiane

      – Qeveria italiane autorizon një numër të caktuar hyrjesh në Itali për praktika puneVitin e shkuar ishin 5 mijë, tani pritet programimi i ri trevjeçar i hyrjeve.

    Është fjala për një kanal që u lejon qytetarëve të huaj të përfundojnë në Itali rrugëtime formimi profesional të nisura në vendlindje. Praktikat e punës pranë ndërmarrjeve italiane mundësohen falë marrëveshjeve që këto ndërmarrje lidhin me entet promovuese të përcaktuara me ligj si, për shembull, Qendra për punësimin, shkolla, universitete ose organizata pa qëllim fitimi të autorizuara.

    Fakti që formimi profesional është kompetencë e krahinave ndërsa imigracioni është kompetencë shtetërore, ka krijuar jo pak konfuzion e mënyra të ndryshme të aplikimit të ligjit në krahina të ndryshme. Për t’u dhënë fund këtyre gjërave, më 5 gusht Konferenca Shtet, Krahina dhe Provinca Autonome kanë miratuar Udhëzime të përgjithshme lidhur me praktikën e punës për persona të huaj rezidentë jashtë Italisë.

    Në dokument përcaktohen llojet, kohëzgjatja (nga tre deri në dymbëdhjetë muaj) dhe ata që mund të bëjnë praktikë pune, si edhe entet promovuese dhe subjektet pritëse, me detyrimet përkatëse. Përcaktohen gjithashtu edhe kriteret për pranueshmërinë e projekteve, përfshirë lëndët e detyrueshme kushtuar mësimit të italishtes, sigurisë në punë e të drejtave dhe detyrimeve të punonjësve dhe ndërmarrjeve.

    Projektet e praktikave të punës duhet t’i nënshtrohen një kontrolli të posaçëm të Krahinave. Vetëm nëse kontrolli jep rezultat pozitiv, i huaji mund të kërkojë në konsullatë një vizë hyrjeje për në Itali, që duhet t’i lëshohet brenda 90 ditëve. Kur mbërrin, i huaji mund të kërkojë një leje qëndrimi “për motive praktike pune”.

     Albert Z. ZHOLI