Xhaxho Plaku: Më jep pak forcë

693
Sigal

(Nuk këshillohet të lexohet nga tifozat e lubive)

Më jep pak forcë dhimbjen ta mund.
Dhe grushtin përpara lirshëm ta shkund.
Më mirë fund të tmerrshëm dhe jo tmerr pa fund.
Themelet të ligës si tërmet t’ia tund.

Po forca ime ç’u bë, ku është futur.
Pse rri e strukur e fshehur në skut.
I ndarë në dysh vetveten unë lus.
Njëri më trim e tjetri frikacak e makut.

Po forcën ç’e do, më thotë gjysma ime?
E kërkon i bindur a janë thjeshtë vegime?
E thyen dot shkëmbin ta ndash në thërrime?
O shpirt i mësuar të bësh veç lëshime.

Ç’të duhet, i them, ti veç më ndihmo!
Më hiq pak frikën e forcën ma shto!
Mos thuaj fjalën vrasëse rri e duro!
Më zgjo nga gjumi, më thuaj lufto!

Mos duhet të bredh, të gjej perënditë.
T’i pyes pse duhen krijuar tiranitë?
Ato që më shtypin, më shkelin për ditë.
Që me eshtrat e mia kanë mbushur bulçitë.

Më shtypin, më vjedhin e flenë në bunker.
Ma mbushën gjakun në vena zeher.
Po s’i shporrëm të gjithë do pjellin të tjerë.
Të mjerë më lindën mos vdeksha i mjerë.

Volejboll dy lubi po lozin fatin tim.
Më pinë gjithë gjakun më falin mjerim.
Më falin frikë, më vjedhin guxim.
E unë pa takat nuk them dot mallkim.

Nga të kaloj as rrugën s’gjëj dot.
Nuk shoh nga sytë verbuar në lot.
Rrugëkryqe pa fund e labirinte plot.
E unë që vazhdoj shpresoj të ketë Zot.

Kumarxhinjtë ma trajtojnë jetën si zar.
Një topth me kocka që shpirtin ma kanë vrarë.
Vëlla me vëlla komplet të përçarë.
Nuk vlen kjo mut jete asnjë cent për kumar.

Po kur kjo lavë vullkani do çohet.
Vëllai me vëllanë kur do bashkohet.
Migjen çohu bëzai e zgjo vegjëlinë.
Ta shkulin me rrënjë gjithë tiraninë.

Kupa do derdhet se tejet është mbush.
Forcë mbase s’kam po s’më gënjen dot askush.
Të njëjtat lubi thjesht ndryshojnë nga ngjyra.
Më premtojnë mjaltë e më mbytin lëtyra.