TI QË PUTH KËMBËN QË TË SHTYP!

614
Sigal

Isha vigani sypatrembur,

Si shkëmb i malit i fuqishëm,

Kryerebeli i përmendur,

Kryepoeti i magjishëm!

Kam dhënë gjithçka në këtë jetë,

Veç për lirinë dhe dashurinë,

E desha unë në të vërtetë,

Zot fuqiplotë këtu njerinë!

Por asnjë gjë nuk ndryshova dot,

Shkoi kot fare mundimi im,

Shkoi fare kot ndaj edhe sot,

Veç vdekjen mora si shpërblim!

Po e mësova të vërtetën,

Ndaj dhe po shkoj me të në gojë,

Atë që do të flerë gjithë jetën,

As zoti vetë nuk mund ta zgjojë!

Një burrë të vetëm s’më pa syri,

Një burrë si lisi i përpjetë,

Dhe qentë e zgjidhur nga zinxhiri

Nga njerëzit kanë më dinjitet!

Njeriu nis duke u zvarritur,

Nga mundi veten ha me dhëmbë,

Në vendin tim për t’u çuditur,

Njerëzit s’u ngritën kurrë në këmbë!

Dhe un shpesh ju kam vërvitur,

Vargje për trima e kreshnikë,

Porse këtu gjithmonë janë rritur,

Me miliona zvarranikë!

Do thotë dikush kam shkarë vërtetë,

U bë Arbeni tekahyt,

Thuaj ç’të duash o i shkretë,

Ti që puth këmbën që të shtyp!

Do thonë u bëra zemërak,

Ngaqë një dyshkë s’kam në xhep,

Thuaj ç’të duash o sheprak,

Ti që puth dorën që të rrjep!

Do thotë ai u bë Arbeni,

Kurioziteti i doktorëve,

Thuaj ç’të duash kokërr legeni,

Që u puth prapanicën diktatorëve!

Pse s’hidhni sytë rreth e rrotull,

Ku çdo njeri është një fortesë,

Me këtë xhins, me këtë popull,

Atdheu sot s’ka asnjë shpresë!

Unë që u tunda e u përkunda,

Në djep lisi të kreshnikëve,

Dhe meqë vdekjen time munda,

U uroj vdekjen zvarranikëve!

Uroj të shuhet sa më parë,

Kjo farë e keqe dhe e ndyrë,

Dhe sa të shuhet ajo farë,

Do lindë njeriu i parë i lirë!

Dhe mund ta bëjë Shqipërinë,

Ai që nesër lind i lirë,

Që s’bën pazare me lirinë,

Dhe s’e lidh veten më zinxhirë!