Qeveria e shezlongeve

505
Sigal

Rilindja (ri)kthehet në Vlorë, pas …101 vjetësh, informalisht, në hotelin që ka betonizuar gjysmën e detit e gjysmën e tokës

Haberi se, rilindësit ishin kthyer në Vlorën e Pavarësisë, pas 101 vjetësh kishte marrë dhenë. Ndaj edhe unë vrapin e ndala te Shtëpia e Pavarësisë. Mirëpo, këmbë njeriu nuk gjeta në Shtëpinë e Pavarësisë. Një komshi, madje, më tha se, unë jam i pari vizitor që shkel këtu, në Shtëpinë e Pavarësisë, që nga 28 Nëntori i 2012-s.

– Që të më besosh, se nuk ka shkelur më këmbë njeriu, këtu, në Shtëpinë e Pavarësisë, që atëherë, shiko, edhe këto bimë e lule të mbjella si janë tharë se as ata të Bashkisë nuk kujtohen më për t’i ujitur”, – më tha komshia.

– Po ku xhanëm, ka vajtur qeveria e re e rilindjes?- pyeta komshinë e Shtëpisë të Pavarësisë.

– Aha, këta rilindës kërkon ti, o xhan? Po këta qeveritarë i ke te plazhi, se për banjë kanë ardhur në Vlorë në këto ditë vapëgushti.

– Jo, e ke kuptuar gabimisht, – i thashë komshisë së Shtëpisë së Pavarësisë.- Qeveria e Rilindjes e nis qeverisjen e saj nga Vlora, për të ecur në gjurmët e qeverisjes së Ismail Qemalit.

– Ti e di, qoftë e bërë kështu. Zyra ku Ismail Qemalë mblodhi qeverinë e tij, vërtet mund të jetë e vogël e nuk i nxë gjithë ministrat e Rilindjes së tanishme, po ama, ata le të vinin vetëm për një vizitë këtu, sa për të marrë bekimin e Ismail Qemalit, pa mbledhjet le t’i bënin pastaj, në sallat e mëdha.

U nisa bregut të plazhit, për të gjetur qeverinë e rilindjes. Diku, përtej molit, në gjirin e detit, ku nuk lejohej këmbë njeriu, pashë, si për çudi, ca milet që laheshin qetë-qetë. Kjo kureshtje më shtyu andej, se mos këta plazhistë ishin ministrat e qeverisë së rilindjes. U zhgënjeva kur pashë ca parulla në breg. “Protestojmë për pushtimin e plazhit publik nga privatët. Shoqëria Civile”. U çudita! Vlora vërtet në historinë e saj ka parë lloj e sorollop pushtues, të armatosur gjer në dhëmbë me shpata e gjyle, me tanke, vaporë e aeroplanë, po pushtues me çadër e brekë plazhi, këtë për herë të parë e shikoja.

– Zotërinj, ju jeni plazhistë apo protestues, pyeta banjëbërësit.

– Ne jemi këtu, jo plazhistë, por protestues. Bëjmë banjë këtu, në këtë vend të pushtuar nga privati, për t’i demonstruar qeverisë së re, që është atje, te pishina e hotelit luksoz, që të na lirojë plazhet e popullit nga pushtuesit privatë.

– Ju faleminderit për infon që më dhatë, për qeverinë e rilindjes. Ju shkoftë e mbarë edhe protesta e banjës në det.

Më në fund, e gjeta edhe qeverinë e rilindjes, – i pohova vetes me gëzim, derisa protestuesit më thanë që janë te hoteli luksoz. Mirëpo, sa më shumë i afrohesha hotelit, i cili ishte gjysmë në shkëmb e gjysmë në det, thashë me vete: “Nuk është e mundur që qeveria e rilindjes të mblidhet në këtë hotel? Ky hotel, patjetër, do të jetë ndërtuar pa leje, meqë ka pushtuar edhe tokën edhe detin njëherësh! Kryeministri i ri është zotuar se do të prishë gjithë ndërtimet që betonojnë  bregun e detit”.

Kur u futa në ambientet e jashtme të hotelit, nuk më zuri asnjë njeri me kostum e kollare dhe as makina luksoze në parkim. “Nuk e ha atë kokërr ulliri kryeministri i ri, që të mbledhë për herë të parë, qeverinë e tij në një hotel që ka çimentuar bregun e detit”- i pohova vetes, dhe u drejtova të hidhesha një herë në pishinë, për të hequr djersën e vapës së ditëgushtit.

Kur, syri më kapi një plazhist dy metro të gjatë, të shtrirë në një shezlong, shpinëkryer pishinës. Përballë tij, ishin shtrirë në shezlonge të tjerë plazhistë, secili kishte një çadër mbi kokë. Ngaqë mbanin edhe kapele e syze të errëta, nuk i njoha plazhistët, ndaj edhe u afrova. U çudita, ndaj fërkova sytë që të besoja këto që shikoja. Plazhistët e shtrirë në shezlonge ishin …qeveria e Rilindjes. Po, po, po! Dymetroshi, që ishte i shtrirë në shezlongun shpinëkthyer nga pishina, është vetë kryeministri i zgjedhur. Plazhistët të shtrirë në shezlonget përballa tij, janë ministrat e kabinetit të tij qeveritar. Kureshtja për gazetarin, është si hosteni i qerrexhiut, ndaj mora guxim dhe pyeta Kryeministrin e ri.

– Zoti Kryeministër, kur do ta filloni mbledhjen e parë të qeverisë së parë në Vlorë? Ju presin të gjithë te Shtëpia e Pavarësisë, që të merrni bekimin e Ismail Qemalit.

– Po, ty kush të la të vije deri këtu?

– Me leje, hyra, zoti Kryeministër!

– Ore, Tahir, unë kam dhënë urdhër që as mushkonja të mos hyjë ilegalisht në mbledhjen time. Kështu, me këtë shpartallim të rendit, do bëjmë ligjin ne.

Sa hap e mbyll sytë, më rrethuan gardistë dhe më ngritën përpjetë, në ajër. Kryeministri Rama tundi kokë dhe ata më lëshuan të lira nga lartësia e ajrit.

Blum-blum rashë në pishinë. Kur dola, Kryeministri më thirri t’i shkoja pranë.

Ministrat e rinj qeshnin me mua, ngaqë më hodhën me rroba në pishinë.

– E pe çdo të thotë, reagim të shpejtë ndaj krimit?

– Kë reagim, të shikoj, zoti Kryeministër? Unë ujin e pishinës provova në gojë, ngaqë not nuk di, e mezi shpëtova gjallë.

–  Ja kështu, sa hap e mbyll sytë, do veprojmë edhe ndaj krimit, qeveria ime. Po kriminelët nuk do shpëtojnë, siç shpëtove ti nga pishina, se do t’i godasim fort. Ja kaq fort sa t’i shkatërrojmë të gjithë me një të goditur- tha kryeministri dhe i ra fort, me grushtin e tij, tavolinës që kishte krah shezlongut, sa bëri copë-copë, tavolinën dhe gotat e  shishet uiskit.

– Zoti Kryeministër, deri më sot, askush nuk ka mbledhë qeverinë rreth pishinës. Derisa akoma nuk keni votëbesimin e parlamentit, ju do të jeni qeveria e shezlongut?

– Ore, kokëbosh. Po si nuk ke kuptuar, fare filozofinë time të Rilindjes? Po, a nuk ju kam premtuar unë shqiptarëve, që qeveria ime do të jetë Rilindje? Që do jetë krejt ndryshe.

– Cila është ajo krejt ndryshe, zoti Kryeministër? Që në vend të tavolinës së madhe, ku mblidhen rreth saj burrat e rëndë, do të jetë pishina, ku theken në diell, burrat me brekë?

– Kjo është fatkeqësia e injorantëve, që nuk më kuptojnë fare, por  fare, fare. Unë, do të mbledh jo vetëm në këto ditë gushti, por gjithë ditët e vitit, qeverinë time në hotele e pishina.

– Po kur të jetë dimër, zoti Kryeministër, a nuk do ftoheni në Ujin e Ftohtë të pishinës?

– Ore kokërr injoranti. A nuk e ke mësuar akoma, që ka edhe pishina brenda hoteleve, me ujë të ngrohtë?

– Po përse, qeverinë do ta mbledhësh, këtej e tutje, nëpër hotele? Mos vallë, Kryeministri në ikje, e privatizoi edhe godinën e kryeministrisë?

– Jo, atë mendoj unë ta privatizoj, për hakmarrje, meqë Saliu privatizoi shtëpitë e pensionistëve ushtarakë. Meqë në krah  të kryeministrisë do të ndërtohet Kuvendi i ri, mendojmë që të ndërtojmë një qendër të madhe argëtimi për deputetët, kopje, si ato të Las Vegas. Kështu, unë u krijoj të gjitha mundësitë ministrave të qeverisë time, që të shfrytëzojnë kohën në maksimum, në shërbim të popullit. Ndaj e them nga kjo mbledhje e qeverisë time, rreth kësaj pishine të Ujit të Ftohtë. Detyrat janë tonat, pushteti është i popullit. Ministrat e mi, duke jetuar 24 orë, nëpër hotele, do t’i kenë të gjitha. Kohën e punës, kohën e argëtimit, kohën e plazhit të përqendruar në një të vetme. Nuk do humbasin asnjë minutë bosh, në sorollatje, ece-jake, zyrë- shtëpi- hotele qejfi.

–  Këto janë detyrat tuaja. Po pushteti i popullit, ku është, derisa ju, zoti Kryeministër, do të jeni qeveri nëpër hotele, 24 orë, në 366 ditë të vitit?

– Po ne për të mirën e popullit mendojmë e punojmë 24 orë.

– Zoti Kryeministër, derisa jeni mbledhur si qeveri, qoftë edhe këtu rreth pishinës, mos vallë aksionin për prishjen e ndërtimeve që kanë betonizuar bregun dhe detin do ta filloni pikërisht, nga ky hotel, që ka betonizuar gjysmën e  detit  e gjysmën e tokës?

– Ore, zabërhan, Saliu të ka dërguar të më provokosh? Unë, u kam thënë juve të medias,  që  do të prishin të gjitha ndërtimet pa leje, por njerëzve të mi, u kam përcaktuar të gjitha objektivat. Asnjë godinë pa leje, që e kanë  ndërtuar armiqtë tanë.

– Po ju, zoti kryeministër, kë legalizimin falas do bëni? Për ato që janë ndërtuar me leje? Se ato pa leje, ju bëni fushatën e gremisjes.

–  Qartë e prerë ua thashë militantëve të mi, që u jam mirënjohës, që më votuan. Do legalizoj falas, të gjitha ndërtimet pa leje që kanë bërë ata që më votuan mua. Të tjerat, do t’i hedh në det, si  në ’20 – tën,  Selam Musai italianët. Që, ata që nuk na duan e ata që nuk na votojnë, ta provojnë konkretisht ata forcën e Rilindjes tonë. Se forca e Rilindjes tonë buron nga këto gremisje të armiqve tanë. Kështu do ta trembim edhe më shumë armikun, e ne do të qeverisim më të qetë sa më gjatë të jetë e mundur.