Për të gjetur adresat, postierët pyesin… picerët!

945
Çudirat shqiptare nuk kanë fund dhe po vazhdojnë pa fund. Një javë më parë në Rruga e “Kavajës”, më ndali një shpërndarës i “Postës”, me motor. Pasi më tregoi një zarf, më pyeti:
– Më falni, a e dini se ku gjendet kjo adresa tek rruga “Xhorxh Bush”, se kam këtë zarfin për sektorin e Biznesit “VIP”të Tatimeve dhe nuk e di se ku ndodhet? 
Ia shpjegova, që ndodhej përballë Akademisë së Shkencave, por ai më pyeti përsëri:
– Po Akademia e Shkencave, ku ndodhet? 
Në moment, pranë nesh ndali një shpërndarës picash me motor, që çonte një porosi tek Ministria e Punës. Për të mos vazhduar më tej më postierin, i thashë: 
– Pyet këtë picerin, se ai ndoshta e di. 
Shpërndarësi i picave, u tregua i gatshëm dhe ia sqaroi me detaje, se ku gjendej Drejtoria e Tatimeve të Bizneseve “VIP”, duke i dhënë edhe disa adresa të tjera si pika orientimi. 
Ky është episodi, i cili na nxiti të trajtojmë sot problemin e sikletit të gjetjes së adresave në Shqipëri. Është një shqetësim real dhe problematik çështja e gjetjes së adresave në qytetet e Shqipërisë, sidomos në Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë, Fier, Shkodër, Vlorë etj. Është stres i madh deri në lodhje torturuese, që të kërkosh e të arrish të gjesh një adresë lagjeje, pallati, familjeje, banese, blloku, zyre, shkolle, çerdheje, kopshti fëmijësh, klinike, mini-bashkie, prefekture, apo biznesi. Jemi i vetmi vend në Evropë, pa “adresar” publik zyrtar të kompletuar. Ose më saktë, kemi një ish-sistem adresash të dalë jashtë funksioni për shkak të ndryshimit të sistemit politik, të zgjerimit të shërbimeve publike, institucionale, të qendrave të banuara e infrastrukturës, por edhe të emërtesave të reja që kanë bërë e vazhdojnë të bëjnë bashkitë, qarqet, prefekturat, shteti, institucionet zyrtare dhe vetë bizneset. Psh janë emërtuar rrugë me emra individësh nga Dibra, Tepelena, Kukësi, Korça, Dibra, Lezha etj. Ose janë emërtuar rrugë me emra ngjarjesh historike, figurash, qytetesh, aktorësh, shkrimtarësh e shtetesh. Drejtues pushteti lokal, ministra, deputetë e politikanë, me fuqinë e pushtetit lokal e qendror në Tiranë e në rrethet kryesore kanë emetuar rrugë, lagje, rrugica, blloqe e madje deri shkolla dhe spitale me emrat e familjarëve dhe fshatrave të tyre. le të vendosen. Ajo që shqetëson është fakti, që këto ndryshime nuk pasqyrohen në adresarin e Postës, nuk bëhen publike nëpërmjet guidave. Psh një minibashki i heq një rruge emrin “Mustafa Matohiti”, “Abaz Shehu”, “Jordan Misja”, “Mustafa Kaçaci”, “Baba Abedini i Gllavës”, “Padre Nikoll Bajraktari”, “Pilo Samarxhiu” e “Nona e Kullës së Hasit” dhe i vendosin emrat “Gjon Hate Griba”, “Preng Cub Mark Ded Pula”, “Abaz Azbi Trebeshina”, “Kroji i Thatë”, “Lufta e Çorrës”, “Gjeneral Mustaqeziu” etj. Nuk themi, që të mos vendosen këto emërtesa, por kur vendosen duhen publikuar që të ketë informacion, me qëllim që adresa të dihet se ku gjendet. Sepse ndodh, që adresat nuk i dinë as postierët e postës shtetërore, siç ndodhi në rastin konkret, që postieri na pyeti për gjetjen e një adrese që ai e ka për detyrë ta dije, madje që nëse do më duhej, duhej ta pyesja unë e ai të më ndihmonte. Dhe puna bëhet aq komike, sa postierët dalin rrugëve dhe pyesin picerët për të gjetur adresat! Skandali shkon deri aty, sa kur pyetëm disa postierë se çfarë adrese kishin lagjet, rrugët dhe banesat e tyre, ata nuk i dinin!
Projekti i adresave ka kushtuar 63.5 milionë dollarë dhe adresat nuk i gjejnë dot as… postierët
Pas episodit me postierin që na kërkonte të gjente një adresë ku të çonte zarfin, gazeta “Telegraf” nisi një investigim lidhur me problemin e adresave në Shqipëri, se sa investime janë bërë, sa projekte janë financuar dhe se sa janë nën kontroll adresat në Shqipëri, sidomos në 12 qendrat e qarqeve. Sipas investigimit tonë, rezultoi, se në vitet 2006-2010 janë akorduar 57 milion dollarë fonde nga institucionet BE-OSBE-BB dhe 6.5 milionë dollarë nga buxheti i shtetit, për të ndërtuar dhe futur në funksionim sistemin e adresave në Tiranë e në rrethe, kjo gjë nuk është realizuar. Madje, janë bërë edhe përurime shtetërore të realizimit të adresarit dixhital e fizik me tabela emërtesash, zyra informacioni e guida orientuese në qendra publike, lidhur me gjetjen e adresave. Por në Shqipëri, adresat nuk gjenden lehtë. Në këtë katrahurë adresash, ku nuk dihet nga të shkosh për të arritur në destinacion, përveç se nuk ka adresa, në 70% të qendrave të banimit e shërbimit nuk ka as zyra adresash, për të marrë ndihmën e duhur. Kështu, jo vetëm të huajt, por dhe shqiptarët, madje edhe vetë postierët që kërkojnë të gjejnë adresa për të realizuar shërbimet me institucionet, shkollat, spitalet, rrugët, lagjet, blloqet e banimit, apartamentet, hotelet etj, etj, vazhdojnë të vijnë vërdallë. Një fakt: Në depot e “Postës Shqiptare” janë peng 30% letrave e kolive postare, sepse nuk i kanë adresat në manualin e tyre, për shkak se nuk ekzistojnë si tabela, ose si përcaktime zyrtare. Kujtojmë, që kjo punë duhej të kishte përfunduar brenda vitit 2007, por nuk u realizua. Kujtojmë gjithashtu, që në janar 2008, Ministria e Brendshme, shpalli datën 30 shtator 2008, si afatin e fundit për kompletimin e adresave në 30 mars 2009, nuk do kishte asnjë rrugicë, as në komuna… pa adresë. Realisht adresat mungojnë në 40% të mjediseve publike, ndërkohë që nuk i dinë as postierët, paçka se ky projekt ka gëlltitur gjithsej 63.5 milionë dollarëve.
Si gjenden adresat në Shqipëri, ja “modeli” që përdoret
– Të lutem, ku është Pallati me “Shigjeta”?
– Tek kryqëzimi midis Unazës së Re dhe shkollës së Turizmit?
– Po ky kryqëzimi tek Unaza e Re, ku është?
– Te Fabrika e Miellit?
– Po fabrika e Miellit ku është?
– Atje ku ndalon autobusi që shkon në Kombinat?
– Po autobusit të Kombinatit, ku duhet t’i hip?
– Tek Banka?
– Po për të shkuar tek Banka, nga duhet të ec?
Fakt zyrtar
Projekti adresave i organizuar në tërësinë e tij, ishte planifikuar të përfundonte në 3 faza, konkretisht në 20 dhjetor 2011. “Adresari për qytetin e Tiranës” ka pasur 2 komponentë të rëndësishëm: Krijimin e Sistemit të adresave, që nënkupton se çdo rruge, sheshi, parku etj, i vendoset një emërtesë dhe çdo godine, hyrje dhe apartamenti një numër identifikues unik, që përbën kështu adresën për çdo qytetar të Tiranës.
Sigal