Pëllumb Kulla/ Efekte gazmore

1034
Jo kushdo mund të tregojë barcaleta. Shumë njerëz kur i dëgjojnë ato, u zilepsen njerëzve që i tregojnë, por vetë nuk arrijnë të bëhen si ata e të kenë suksesin e tyre.
Në një seminar dy ditor të njerëzve të kishës, priftërinj, studiues, predikues, peshkopë e tjerë, njëri nga folësit iu afrua mikrofonit dhe iu drejtua sallës me 3000 pjesëmarrës:
“Në daçi besoni në daçi mos besoni, por unë ju them se vitet më të bukur të jetës sime unë i kam kaluar në krahët e një gruaje që nuk ishte ime shoqe!”
Salla e mbushur me njerëz të llojit që përmenda më lart, u shokua nga kjo deklaratë. U pataks! U skandalizua!
Folësi vazhdoi menjëherë pas pak: “Ajo grua, ishte nëna ime!”
Që të gjithë sa qenë aty shpërthyen në të qeshura të bujshme, në duartrokitje të zjarrta dhe efekti ishte i madh.
Një javë më vonë, një prifti që u ndodh në atë histori treguar aq bukur, i lindi dëshira t’i befasonte besimtarët e tij. Bëri disa prova me veten. Herë kënaqur dhe herë i pakënaqur kur u ndodh para mikrofonit dhe kishën e kishte plot, rregulloi mikrofonin dhe tha:
“Në daçi besoni në daçi mos besoni, por unë ju them se vitet më të bukur të jetës sime, vitet më të ëmbël, më të lumtur, unë i kam kaluar në krahët e një femre që nuk ishte ime shoqe!”
E tërë salla e kishës ngriu me deklaratën e priftit të tyre. U skandalizua me këtë paturpësi. Prifti e pa që gjithçka u përsërit si atë ditë, por tani për të vazhduar iu krijua një ngërç dhe mbeti. E vërtiti nëpër mend vazhdimin por heshtja skandaloze që pushtoi tërë kishën nuk e ndihmonte të kujtonte atë vazhdim. Dhe prifti i gjorë që tregonte një barcaletë për herë të parë, ëë u detyrua të dorëzohej duke thënë:
“Por tani… mua nuk më kujtohet si thuhet… Nuk e mbaj mend kush qe ajo femër!”
**********
2-Hunda e Konicës (pjesa 2 dhe fundi)
– Dëgjoni, – u thashë punëtorëve. – Mos shkruani gjë njëherë, sa ta zgjidh këtë çorape! Ato fjalë që po gdhendni, i kam thënë unë!
– Do të qërohesh që këtej? – më tha njëri nga maja e piedestalit, – apo do të hash donjë bythë sqepari! 
Dhe i dolli përpara Faikut, sikur unë të paskësha nxjerrë kallashnikovë. U duk sëkur Konica i dha një të shtyrë me hundën pe mermeri dhe ustaj u gjend në mes të llaçit. U bë helaq. E tërë inatnë ma nxuarë mua. M’u sulnë, më vunë poshtë e më rrahnë mu përpara Beut të Konicës. Ata paguheshin me orë pune e më mbajtnë shtrirë gjer sa u mbarovi dita.
Ay, klasiku pe mermeri as e prishi terezinë. Sikur nuk ish fare aty, ay! 
I zura pritë ministrit të Kulturës. Dy ditë, rresht! Të tretën, e zura kur po hipte në veturë. Nuku kishnja takuarë donjë ministër më parë. Zemra: bap-bap! 
Pasi dëgjovi shpegimet e mia dhe të nëpunësit që i rrinte pas, m’u këthye:
– Me se merreni? 
Unë u gjenda ngushtë. Do t’i thosha tashi që vinja pe Amerike, ku punonja shofer në një kompani taksish. Por ai, burrë i mirë, më ndihmovi: 
– Merreni me punë mendore, keni donjë biznes tuajin? 
Unë bëra “s’kam” me kokë.
– Ku banoni? Keni shtëpi? Familje, prona …
Pyeti për tërë të tundshmet e të patundshmet. Mua m’u këput koka së bëri “s’kam”. Zotëria nuk e humbi durimnë. 
– Merreni me shkrime? Keni donjë lloj vepre në qarkullim?
– Ja vetëm atë kam unë, – i thashë, – atë të nënave, që… qumështin e nënës po më nxjerin! Këtë kam unë në qarkullim e kjo po qarkullon ca si shumë.
Ministri ngrysi vetullat. Badigardët dhe shoferi avash avash e afruanë nga një dorë te të çarat e xhepave të djathtë. Zyrtari i lartë u buzëqeshi për t’i qetësuarë.
– Kjo, në fakt, është shprehje tipike e Konicës, – tha ministri. – Kjo thënie e tij gjeniale, nuk mund të gjente eko më të mirë, se në ditët e sotme! Në një konferencë shtypi, këtë shprehje, e citovi Presidenti… Në Parlament, e zuri në gojë Kryetari i Opozitës. E duhet ta ruajmë këtë mjaltë të mënçurisë kombëtare… Jo kushdo, mund të thotë gjëra që gdhenden në mermer!
Dëgjova badigardët që me radio njoftonin qendrën: – Po nisemi. Ministri e sqarovi qytetarë! – Njëri pe tyre më futi krahnë, ashtu si miqësisht, shoferi i hapi derën ministrit e vetura mori udhë.
Në darkë, te përmendorja e Konicës, unë isha tapë nga rakia. Nuku mbaj mënd se ç‘kam nxjerë nga goja, veç në një çast, qita një çekan dhe i theva hundën Beut. 
Po Konica, sado pe mermeri, paskej patur edhe ai badigardë. Kalova dy netë në polici. Aty pashë në televizor, një nga ato buzëkuqkat e informacionit, e cila qe vendosur para bustit pa hundë dhe jepte çdo orë lajmnë: 
– … Në policinë e krimeve mendojnë të jetë i sëmurë psiqik ay taksisti i ardhur nga Amerika, që i ka thyerë hundën Konicës, duke u qarë se rilindasi i ka përvetësuarë thënien njohur, lidhur me nënat tona burrëresha të bjeshkëve, stërmbesa të suljoteve që lindin kumandantë… 
E buzëkuqka e informacionit nuk mbahej po gërrr:
– Në Akademi të Shkencave na thanë, që as mund të diskutohet autorësia mbi të, e personalitetit tonë të shquarë. Akademikët vërtet nuk e gjejnë dot me saktësi se kur dhe ku e ka thënë, por po e kërkojnë dhe do ta gjejnë atë, pasi dihet që regjimi i egër komunist, për pesëdhjetë vjet, u mundua ta fshehë dhe ta asgjësojë trashëgiminë e Konicës. Akti vandal i goditjes me çekan në hundë, është tipik për mitomanët… 
Dhe buzëkuqka lidhej herë me spitalë psikiatrik, herë me
maternitetnë, ku mbaheshin ca bebe të shëmtuara me hundë të rrjepura, si pyperka të kuqe. Po t’i vinje re nga shalkat dhe bibilushkat mes shalkave, të porsalindurit ishnë zgjedhur apostafat meshkuj, që mendja të të shkonte jo te ushtarët e thjeshtë, po te komandantët, strategët e ardhshmë të fitoreve.
Pamjet me bustnë e Faikut nuku rreshtnin. Shiu që binte dukej si çurg pe lotësh mbi faqet e bashkuara pa hundë. Hallemadhi dukej sëkur qante, i penduarë që erdhi në mëmëdhe, sëkur në çast do të zbriste pe piedestalit, do të merrte në një torbë koskat e tij e do t’ia mbathte për Rinas e që andej drejt e në Boston, prapë.
Më shtruanë në psikiatri. Më tundnë e më shkundnë ato terapitë me rrymë elektrike, që, mos pyet! Tetë doktora hijerëndë shëkonin një kokëmushkë që perpelitej nën korrent e ta vrisje nuku hiqtë dorë nga avazi i tij: “ … më-ë-ë-ë shu-u-u-më-më-më-më ko-o-o-ma-ma-ma-ma-ndantë se ushta-ta-ta-tarë-rë-rë!” 
Nuku arrinja dot t’i telefononja Rezit e t’i thoshnja që kisha paguarë groshnë e valles e tashi jepnja njëqind e pe valles nuku dilnja dot. Ç’ishnë dru e korrente, tërë mbi mua po provoshin!
Dolla pe spitali, po nuku kisha dërmend t’i rreshtnja përpjekjet. 
– Hajde bre në shoqatën tonë, – më tha njëri kur i qava hallë. – Ne po luftojmë për këthimnë e pronave, të zotërve legjitimë. 
Më shpuri në një zyrë dhe u tha të më regjistronin.
– Ke shtëpi këtu? – më pyeti një burrë me regjistër të hapur.
– Nuku kam patur kurrë!
– Po toka për të marë?
– Asnjë pëllëmbë!
– Ke patur fabrika, punishte, hotele? 
– Ncë,ncë,ncë! – unë.
– Po çfarë të kanë marrë ty? – u habit ay.
– Një frazë, – i thashë. – Është si është, është temja! Kam thënë që “nënat shqiptare….”
– Le ta kesh thënë si të duash, vëlla! Ajo është prona jote! – Unji sytë te formulari që mbante përpara, lexovi aty e tha: – Dy pyetje të fundit… A pranon kompensim të një natyre tjetër, të përafërt, qoftë kjo në bregdet apo zonë malore?
– Jo mo, ç’malore?!..
– Kështu e ka formulari këtu!.. Pranon shpërblim në të holla, sipas tarifave shtetërore në fuqi? 
– Kurrë!
– Bukur! Firmos këtu ku thuhet, se për të marrë pronat, ne nuku do përdorim dhunë dhe futu në mbledhje! 
Atë ditë edhe ata do të zgjidhnin kryetarë, dhe mbledhja m’u duk si ajo e Bostonit, si tëra mbledhjet, ku duhet zgjedhur në krye vetëm një njeri. Një dhe një i vetmë! Mbledhja zgjati tetë orë dhe para votimit ma dhanë fjalën edhe mua, duke më prezantuarë si përfaqësues të mërgatës nga Amerika.
Isha i lodhur e drobitur po e nisa dhe vazhdova fjalimnë që u dëgjua me veshë të mprehur. Po salla u ngrit me ulërima miratimi e me duartrokitje, kur u thashë:
– Nënat shqiptare janë më të mirat në botë! Por kanë veç një të
metë: pjellën më shumë kumandantë se ushtarë! Këto fjalë të arta të … Faikut të Madh, t’i vemë vëth në vesh!
Të nesmen ia mbatha për Nju Jork.
Sigal