Mitro ÇELA/ Mish ngjale e seks…

715
Sigal

Pasi qëndruam një natë në Përmet, morëm rrugën drejt Leskovikut…Esmerka ime, ngiste makinën. Unë nakatosja mendimet:

-Këtej do të kenë kaluar, vallë, 40 kolonjarët pasi rrëmbyen çupën e Veli Beut me nishan në ballë, këtu e një shekull më parë, siç thotë legjenda? Unë dyshoj. Të të rrëmbejnë çupën, duke pasur një takëm sarajesh të “gozhduara” në Grykën e Këlcyrës, është e barabartë me një japonez që bën harakirin?!
-Si nuk e zbrazi një herë patllaken, të paktën Veli Beu pa dihet puna e qehajait: Ishin si bodigardët e qeverisë socialiste: Kur kërcet kallashi ja mbathin përpara shefave!…
-E mo, se gojëdhëna thotë se çupa na qenka vetëgrabitur, sepse çalonte në një krah. Derën ja paska hapur vetë beu…
Nuk e ha atë koqe ulliri unë! Populli vetë ka thënë, pa ja vënë njeri në bark maliherë: Mish ngjale e seks çale? Pse të mos pranojmë tezën se kolonjarët e rrëmbyen çupën, jo për nishanin që kishte në ballë, por për nishankën që kishte atje ku nuk shkruhet, por që është bërë mollë sherri midis politikanëve ! Pallavra?… Jo I nderuari këndonjës: Të vërteta të botuara në shtypin e pavarur, që anon nga e mëngjra! E harruat seksgein në Ministrinë e Mbrojtjes ( dhe të zbathurat e sekretarkës mbi një nga tavolinat e Kontrollit edhe të Lartë edhe të Shtetit?
Pasi bëmë nja pesë a gjashtë kilometra, makina mori më të mëngjër. Rruga më shkëputi nga mendimet historike. Qortova veten. Partia Demokratike, ka hall të analizojë humbjen më 23 qershorit 2013, mendja ime bën pallë me histori të mbushura me kalorës, bejlerë, grabitës, seks primitiv e modern! Jazëk!… Kur thashë këtë fjalë, makina ndaloi. Karshi nesh një përrua. Buzë përroit kishte hedhur shtat një pyll shekullor. Nën më të madhin dhe më të lartin rrap, një përmetar babaxhan kishte ngritur një “bujtinë” të kolme. Po të kishte qenë bujtinë e lashtë, do të quhej han, dhe në atë han do të kishin qëndruar kolonjarët, për të sajdisur kuajt dhe për të “kullotur” dhëndri çupën e Veli Beut!
Zumë vend në tavolinë. Afrohet e zonja e konakut…Kemi mish nga të egërsirave! Mishi I sorkadhes u sos! Por kanë mbetur disa lepuj të egër!…A janë me shije? Pyesni futbollistët e “Partizanit” që hëngrën këtu së bashku me presidentin e kllabit!
Kur lepuri sa një karçin (kec i rritur) zbukuronte tavën, mua më lindën dyshime. Thashë:
-Nuk ma do mendja të jetë lepur i egër i anëve tona! Kam këtë argument: Në qoftë se ka ngrënë një ekip I tërë futbolli, pse nuk u sosën lepujt e egër?…Unë dyshoj se janë lepuj të importuar. Po të jenë italianë, i ha. Po të jenë nga të grekut, unë nuk I ha. Tani që Rusia pushtoi Krimenë, më pëlqen të jep pak nacionalist, domethënë të ëndërroj për Çamërinë…
Kuvendin e bërë lesh arapi me lepuj të egër, import, politikë dhe nacionalizëm, e “krehu” zonja e bujtinës:
-Zoti Mitro! Mos luajte nga fiqiri! Kurrë nuk do të guxoja t’u gostitja me egërsira të grekut, sidomos juve që e pranoni si burrat dështimin në politikë! Sa për kulturë, fshatarët e këtyre anëve, tani që është rritur çmimi I naftës, në vend që të punojnë tokën, kapin lepuj. Me leqe, d.m.th. me mjete rrethanore dhe pa shpenzime materiale. Hanë për vete. Furnizojnë bujtinën tonë. Kusurin e eksportojnë në Greqi, duke vënë në jetë direktivën e FMN-së: Pa eksport nuk ka import të energjisë elektrike!
Kur qetësuam shpirtin politikisht, nisëm të hamë gjithë lezet, duke i rrëmbyer thelat me dorë, sipas përvojës amerikane.