Mitro ÇELA/ Kali në vend të gomarit

534
Sigal

Pranverë 1986. Sekretari i parë i Komitetit të Partisë në Lushnjë po shkonte në zyrë. Skandal! Në lulishte kullosnin tre gomarë, u ngjit në zyrë, thirri kuadrot e qytetit. Në mëri e sipër, iu drejtua drejtorit të Uzinës së Plastikës, që e mori për drejtorin e komunales:

-“I ke parë zotrote, gomarët që livadhisin në qytet? Sigurisht që jo. Duhet t’i shohim ne, udhëheqja. Turp! Që nesër të mos shoh këmbë hajvani në qarkullim”!

Kthehet drejtori në Uzinën e Plastikës. Mbledh shefat. – Sekretari i parë më dha ultimatum: Të qërojmë gomarët nga uzina! – “Ne nuk kemi gomarë”, – tha kryeinxhinieri. – Sekretari ka folur me metafora, domethënë të qërojmë shefat e financës, planit dhe organizimit. Janë të paaftë! – Jo, – tha drejtori, – fjalën nuk e kishte për hajvanë me fytyrë njeriu! Po halli? Blejmë tre gomarë, i pushkatojmë dhe i raportojmë në parti. Të nesërmen, sekretari i parë, pinte kafe me Filip Çakulin, në atë kohë banor i Lushnjës, sepse gruan e kishte zgjedhur nga Divjaka. Në kafene hyri drejtori i uzinës. I thotë sekretari i Parë i Partisë: -“Më fal, mbrëmë të ngatërrova me drejtorin e komunales”.

Kur iku sekretari i Partisë, drejtori i tregon proçkën: Blerjen dhe pushkatimin e tre gomarëve?

Vjeshtë e parë 1987.

Me këtë bëmë, Filipi shkroi një skeç. Ia dërgoi Fadil Hasës në Durrës dhe u përgatit numri i ri i estradës. Sipas zakonit, para se ta shikonte publiku shfaqen, erdhi në prova sekretari i kulturës në Komitetin e Partisë të Durrësit. Ai foli i menduar: -“Më pëlqen skeçi me gomarë. E paska qarë Filipi! Kam një ide Fadil: Skeçi del më i bukur po të bëjmë dy riparime të vogla. Së pari, vendin e gomarëve ta zënë kuajt, së dyti, sekretari i parë të këmbehet me sekretarin e dytë. Nuk mund të bëjë gafa një udhëheqës kaq i lartë! Me sa di unë, sekretari i Parë i Lushnjës është edhe me përgjegjësi të tjera partie, do na talli partinë mileti”! Normale. Kështu u bë, edhe pse Filipi hodhi ndonjë shkelm, kur mori vesh haberin nga Fadil Hasa. E zbuti zonja, kur mori honorarin nga estrada