Mbajti fjalim qeratai, sipas humoristit Koço Qendro

766
Për gati dy muaj, ditë për ditë, në mëngjes dhe në darkë, madje edhe në gjumë, kudo që të ishe e ngado që të shkoje, dëgjoje vetëm fjalime. Edhe sikur të doje të fshiheshe, ku të fshiheshe? Ata të gjenin! Ikja, arratisja në një vend tjetër më të qetë ishte e pamundur. Por, ishte kënaqësi e madhe vërtet. Që të gjitha fjalimet ishin të bukura, të përkryera, me fjalë të zgjedhura si diamante, me humor e shakara për të na tërhequr vemendjen, me fjalë të mëdha që të kuptonim se ata ishin dhe të mençur. Nuk kishte më bukur. Që të gjithë oratorët flisnin për të ardhmen tonë. Ata nuk flinin, mendonin vetëm si ta bënin jetën tonë më të mirë e më të ndritshme, si një perlë; ata as hanin dhe as pinin sepse jeta jonë ishte më e rëndësishme se argëtimet e tyre; ata ishin gati t’i binin në gjunjë popullit, të qanin para tij, t’i përgjëroheshin, t’i qanin hallin për jetën e varfër e të mjerë që kishin berë deri atë ditë. Ata nuk nguronin të bëheshin fli (kuptohet në rast nevoje), vetëm e vetëm që populli të bënte një jetë më të gëzuar, më të qetë, më të lumtur e më të rehatshme. Sepse ata janë në shërbim të popullit. Ata bëjnë çfarë u kërkon populli dhe asgjë më shumë. Megjithatë, njerëzit, të lodhur nga fjalimet e përditshme e të përnatshme, ndodhte dhe që i zinte gjumi, por oratorët nuk i ndalnin fjalimet e tyre. Ata e kishin seriozisht, nuk bënin shaka. Populli le të flinte, nuk duhej shqetësuar. Të pagjumë duhej të ishin vetëm oratorët. Në raste të tilla më kujtoheshin poezitë e bukura të aktorit të humorit Koço Qendro, ku thotë:
Mbajti fjalim qeratai,
Një fjalim si prej ustai.
Bukur foli oratori,
U shastis auditori.
Jo bukur, por bukur shumë,
Ç’qe në sale, i vuri në gjumë.
Drejtësa dhe këmbët e dhisë
Oratorët premtuan drejtësi. Dhe këtë gjë e thanë në rrugë dhe në sheshe, herë mbi tribuna dhe herë pa tribuna, herë më këmbë dhe herë këmbëkryq, por ama e thanë kudo që shkuanë. Që ta merrnin vesh të gjithë, ata trokitën portë me portë dhe nuk u lodhën. Ata nuk kishin të lodhur. Dy muaj ishin ato të shkretat mitingje, pastaj do të kishin kohë për t’u çlodhur. Oratorët ishin të vendosur: populli nuk do të nëpërkëmbej më nëpër prokurori-ra dhe gjykata, nuk do të prisinin më prapa dyerve të drejtësisë, nuk do të nxirrnin më lekë nga xhepi për të blerë drejtësinë. Jo, kjo nuk kishte për të ndodhur më. Populli është zot i këtij vendi. Kur ai troket në dyert e drejtësisë, gjyqtarë, prokurorë hetues, policë që të gjithë duhet t’i ngrihen në këmbë. Po vjen populli! Mund të ndodhë që të mos i jepet e drejta ndonjë ministri, ndonjë zyrtari të lartë, ndonjë politikani, ndonjë deputeti, por jo popullit sepse ai është i pari i vendit. Të zgjedhurit janë shërbëtorët e tij. Siç e thamë edhe më lart, pati raste që popullin e zuri gjumi, por pati raste edhe kur populli shpërtheu në duartrokitje dhe hovacione. Oratorët kanë fuqi magjike, ata të rrëmbëjnë me fuqinë e fjalës së tyre. Sigurisht, nuk gënjejnë. Ato që premtojnë i mbajnë. Por edhe në këtë rast, na vjen në ndihmë një poezi e humoristit Koço Qendro:
Kur bën faje njerëzia,
Hazër stapin drejtësia,
Po ky stap ka detyra:
Të vegjëlve u futet rëndë,
Parisë, lehtë si me pendë.
Të gjithë jemi të Perëndisë;
Por jo ama si këmbët e dhisë.
Pse kështu, gjeçi belanë
E çfarë nuk thanë për dy muaj me radhë oratorët-politikanë. Xhevahirë nxorën nga goja. U treguan fjalëmbël dhe të vetëpërmbajtur. Edhe populli mbeti i kënaqur. Ata nuk dëshironin ta fusnin popullin në sherre dhe në grindje me njëri-tjetrin. Jo, ata ishin për paqen, për mirëkuptimin, për tolerancën, për sinqeritetin, për komunikimin e për të tjera gjëra si këto, që quhen të mira e të virtytshme. Grindjet nuk do t’i interesonin askujt. Ata nuk do të silleshin si Tomi me Xherin, sepse kjo nuk do të sillte asgjë të mirë dhe mesazhi që do të merrte populli do të ishte i pavlerë. Oratorët e politikës janë njerëz me vlera. Por edhe të hiqeshin si kaponjë (këndeza) nuk do të ishte gjë mirë sepse përshtypja në popull do të ishte e keqe. Ndaj kishin zgjedhur të ishin më të ngjashëm me dhelprën, por hera-herës edhe me tigrin, që mbështetësit e tyre të kuptonin që përveç se ishin të zotë e të mençuar, në të njëjtën kohë ishin edhe të fortë si luani, ndaj fitorja do të ishte e tyre. Mirëpo, sapo filloj numurimi i votave, u shkulën të gjithë me vrap drejt kutive të votimit. Kur besojnë se po u vidhet ndonjë votë, janë gati ta ngrejnë gjithë popullin në këmbë. Kuptohet, për të mirën e popullit, sepse është populli ai që vendos. Ja si e përshkruan humoristi ynë, Koço Qendro:
Ç’keni o politikanë,
Që s’merreni vesh, gjeçi belanë,
Grindi si macja me minë.
Kacafytu si këndezë,
Premtoni të bëni vezë.
Po zotimet me bujë,
Na kthehen vrimë në ujë.
Or, përleshuni si gjela deti,
Po kusuret pse t’i heq mileti?
Deputeti i Xhiko-zezës
Vite më parë, (saktësisht nuk e dimë) edhe Korça kishte patur një politikan të mençur e të dëgjuar. I përkushtuar ditë e natë pas politikës dhe halleve të popullit.Lëndohej kur e kuptonte që populli vuante. Ulej dhe qante me lot, e lotët nuk i shternin kurrë Thuhet se vdiq nga meraku që kishte për popullin. Donte ta bënte të lumtur, por nuk e bëri dot. Ndoshta i duhej edhe ndonjë mandate tjetër, por nuk pati fat. Vdiq para kohe. Nuk e dimë sa e vërtetë është, sepse këta poltikanët tanë dëshirojnë të jetojnë mes të vërtetave dhe legjendave. Ketë tip e gjetëm të shkruar në një nga poezitë e humoristi Koço Qendro. Ndoshta emrin e tij Korça nuk e mban mend, por Korça mban mend emrin e gruas së politikanit. Atë e quanin Xhiko. Shpesh e thërrisnin Xhiko-zeza. Dhe Xhikoja i shkonte në varr të shoqit çdo ditë, nuk lajthiste (harronte) kurrë që të mos i shkonte ndonjëherë. E dinte që burri i saj kishte qenë politikani më i zot i vendit, më i famshmi ndoshta, dhe donte t’i vinte në ndihmë edhe tani që ishte i vdekur. Më konkretisht ja si e përshkruan humoristi Koço Qendro
Si çdo ditë, Xhiko-zeza,
Që s’lajthiste kurrë,
Shkoi në varreza,
Tek i ziu burrë.
Si zakonisht, e shkreta,
Mbi varr i lëshoi,
Një vandak gazeta.
I tha: “O burrë lexoi”
Se e di mirë, o burrë,
Politikani im i thekur,
Politikës si ndahesh kurrë,
Si i gjallë dhe i vdekur.
Sigal