Luan Laze/Një jetë okazion

509
Sigal

Tregim Humoristik

U takuam rastësisht me Turin tek tregu i fruta- perimeve. Prej një muaji nuk ishim parë asgjëkund. Pasi mbaruam më shumë soditjet se sa blerjet, u nisëm drejt të njëjtës rrugë. Ia mora qesen nga dora dhe i vura nga krahu i djathtë i timonit të biçikletës time. Të miat i vura nga krahu i majtë. Pesha pothuajse ishte e njëllojtë.

-Patëllxhanët i bleva tek ai djali që bërtiste, hajde patëllxhanë 100 lekë. Okazion! Nuk e dija se edhe këto bolla të zeza futen tek okazioni!

-Çfarë nuk na dëgjojnë veshët, -ia ktheva. –Po makinën, nuk e ke marrë sot?

-Makinën ka një muaj që familjarisht po e hamë pjesë- pjesë.

-Si po e hani?

-Pasi na hëngri ajo mirë e mirë, tani iu kthyem ne asaj. E shita 2 milionë e 300 mijë lekë. Që atë ditë kemi nisur ta hamë sipas radhës. Një herë i hëngrëm testaton, këmishën dhe fashot e motorit. Pastaj kaluam tek cilindri, motorino e grupi i timonit. Pasi mbaruam ato, u hodhëm tek gomat e disqet. Marmita, kollodoku, fenerët, sarbatori. Këtë qese me patëllxhanë e mbusha me lekët e xhamit të krahut të shoferit. Por kemi akoma, për fat! Na ka mbetur parakolpi dhe mbrapakolbi. Pastaj… harrova edhe krikun, se e shita edhe atë. Ca ditë do t’i shtyjmë me sediljet dhe kasetofonin. Me mbulesat e sediljeve do të pimë nga një makiato. Kjo është makina që po hamë pjesë- pjesë.

Nuk e pyeta më gjatë, po pas disa çastesh ai vazhdoi vetë.

-Pastaj do të hamë atë për të cilën e shitëm këtë makinë.

Nuk e kuptova dhe e pashë i habitur.

-Pse çuditesh? A e shita makinën për të ngrënë, se jemi të dy burrë e grua, pa punë? Këto patëllxhanë, çfarë do t’i bëjmë? Jashtëqitje. Pastaj do i kthehemi asaj. Është okazion të jetosh kështu, apo jo? Na rëntë pika ne që duam makinë! Nuk kemi bukë për të ngrënë dhe do të shëtisim me makinë! E bleva 5 milion dhe për dy vite e shita më pak se gjysma. Jemi racë e zgjuar shumë!

-Megjithatë, paske ende pjesë për të konsumuar,- e ngushëllova.

-Edhe disa ditë. Po ti je më i zgjuar se unë sepse nuk përdor makinë. Edhe qesen tënde me ato që ke blerë, e ke vendosur nga krahu i majtë i timonit, ndërsa timen këtu, në krahun e djathtë. Ajo peshon më shumë se kjo.

-Nuk ka lidhje me krahun pesha e saj. Ka lidhje me faktin se nuk pranoj që të jetoj sipas parimit një herë të më hajë mua makina, pastaj të ha unë makinën. Dhe në fund të përfundoj tek jashtëqitja.

-Ashtu siç përfundova unë,- tha ai.