Ismail H. Xhaferri: Udhëve të mallit…

560
Sigal

Udhëve të mallit

Eh, sa herë kam rendur!

Si një vjeshtë e lodhur,

Si një vjeshtë e djegur.

 

Udhëve të mallit,

Si vegim rrufeje,

Renda pas një shprese,

Renda pas një reje…

Renda si fëmijë,

Rashë, e prap’ u ngrita,

Renda pas një vajze,

Po kurrë s’e arita.

 

Nëpër udhë të mallit,

Shumë herë u përlota,

Por tek varri nënos,

Me të qarë s’u ngopa.

Renda, more renda,

Bregut përmbi lumë,

Që të kapja hënën,

Kur ulej mbi kum.

 

 

Renda të ndal hënën,

Lodhur e bërë shkumë,

Kisha frikë se hëna,

Më mbytej në lumë.

Renda t’i shikoja

Bukurinë një zonje,

Siç rend një fëmijë,

Pas një xixëllonje.

 

Renda pas një gjurme,

Të erdha te dera,

Siç rend erë e prillit,

Nëpër luleshqera.

Udhëve të mallit,

Renda pas një ëndre,

Pas një pike loti,

Përmbi faqen tënde.

 

Dhe faqen e lagur,

Ta fshija në heshtje,

Ndaj dhe pikë e lotit,

U bë buzëqeshje….

 

Renda pa marrë frymë

Si shumë herë të tjera,

Pas një fije floku

Që ta mori era…