Ismail H. Xhaferri: Një thirrje për Naim Frashërin…

549
Sigal

Ngrehu poeti ynë i madh,

Biri i Frashërllinjve!

Ngrehu se të do atdheu,

Të bësh prapë Rilindje!

Ngrehu se ka ardhur ora,

Vendi si të mban?!

Sot hiqen të gjithë rilindës,

Por Rilindje s’ka.

 

S’ka Rilindje, po ka fjalë,

Koha është e errët,

Shqipëria jonë nuk është

Siç janë gjithë të tjerët.

 

Shqipëria është e lodhur

Edhe shumë e varfër,

Brezi i ri ka shumë kohë,

Librin e ka flakur.

 

Shumë të rinj s’e duan shkollën,

S’duan diturinë,

Të gjithë kanë një ideal,

Vetëm pasurinë.

 

Shumë nga politikanët,

Janë të pashkolluar,

Edhe nga veprat e tua,

Një rresht s’kanë lexuar.

 

Shumë nga politikanët,

Plot e kanë bërë thesin,

Ndërsa Himnit Kombëtar,

Nuk i dinë as tekstin.

 

Prandaj, o poeti ynë,

Ngrehu si pishtar!

Se ndërgjegjen kombëtare,

E kemi të vrarë.

 

Ngrehu poet, kemi nevojë,

Shpirti po na dhemb,

Shqipëria ka nevojë,

Për kushtrimin tënd!

 

Ngrehu se duhet prapë Rilindje,

(Vallë si të mban dheu?!)

Po s’u tretëm si qiriri

Nuk bëhet atdheu,

 

Gjithë politikanët sot,

Hakun mos t’ua hamë,

Nënë babë nuk kanë atdheun,

Kanë vetëm paranë.

 

Kanë para sa s’ta pret mendja,

Madje dhe avionë,

Venë e vinë në gjithë globin,

Në kurrizin tonë.

 

Për të shtuar pasurinë

Të gjithë në llogore,

Më plakushi midis tyre,

Ka dy-tre dashnore.

 

Është një lukuni e tërë,

Që na çoroditin,

Nuk i japin gjë atdheut,

Vetëm e grabitin.

 

Kemi me dhjetëra parti

Si gozhda në dërrasa,

Po nuk kemi një si Mjeda,

As si Pashko Vasa.

 

Kemi lukuni me ujqër,

Na u shpik veremi,

S’kemi një si Andon Zakua,

As De Radë nuk kemi…

 

Ngrehu Naim, nga tokë e shenjtë,

Si mali me dëborë!

Vendi ynë ka humbur rrugën,

Duhen ca shenjtorë.

 

Duhet ngjallur krenaria,

Në çdo prag e derë,

Ngrehu poet e ndizna shpresën,

Digju dhe një herë!

 

Ngrehu Naim, poet i dashur

Nuk jemi të qetë!

“Manushaqja” që këndove,

S’ka kryet përpjetë.

 

Ngrehu, poeti ynë i shquar,

Ndërgjegjen na zgjo!

Kemi lloj-lloj matrapazësh,

Por Frashërllinj, jo.

 

Ngrehu poet e frymëzona,

Se na plase buzën,

Ndize prapë qiririn tënd,

Të na ndriçosh udhën…!