Ismail H. Xhaferri: Nëse ti shkollohesh…

586
Sigal

Nëse ti shkollohesh,
Duhet ta dish mirë,
E gjithë jeta jote,
Bëhet e vështirë.

 

Thjesht sa për ta ditur,
Nuk e ke të lehtë,
Nëse do bësh shkollë,
S’të bëjnë deputet,

 

Sa për deputet,
Që të të shkojë mbarë,
Bëj arsim të mesëm,
Ose 9-vjeçar.

 

Sa për deputet,
Asgjë nuk ndryshon,
Mjafton një patentë,
Që ti nget kamion.

 

Nëse ti studion,
Mundi të shkon kot,
Në administratë,
Kurrë nuk punon dot.

 

Edhe si jurist,
S’do puthësh gjëkund,
Nga “Plepat e Durrësit”
Ka juristë pa fund.

 

Nëse ti bën shkollë,
O i mjeri ti!
Dogana, tatime,
Shikoji me dylbi.

 

Nëse ti bën shkollë
Fatit vuri pikë!
Nuk bën dot biznes,
Nuk bën dot trafik.

Nëse ti bën shkollë,
Edhe tharton trutë
Vetëm kamerier,
E ke të sigurt.

 

Nëse ti bën shkollë,
Jeta të vë mur,
S’bëhesh dot doktor,
S’bën dot plagjiaturë.

 

Shiko deputetët,
Sa të fortë që dolën,
Profesorë doktorë,
Me temat që vodhën!

 

Shiko deputetët,
Të rinjtë e të vjetrit,
Profesorë doktorë,
Me punën e tjetrit!

 

Pra, nëse bën shkollë,
Dije që tani,
S’bëhesh dot hajdut,
Pra, s’bën pasuri.

 

S’ka ç’të duhet shkolla,
Nga unë këtë dije,
Më mirë shko e merr,
Një teserë partie!

 

Një teserë partie,
Që shpesh e ndërron,
Të shërben më shumë
Sesa një diplomë.

 

Nëse diplomohesh,
Ta dish mirë nga unë,
Piji lëngun diplomës
S’të hyn kurrë në punë.