Fakte skandaloze nga kolltuku ministror “Beqja”

103

Shëndetësia e ministrit Beqja, si e “doktor” xha Beqos tek filmi “Kapedani”

 Shtetasi shqiptar Ilir Beqja, prej 1 viti i “graduar” prej Kryeministrit Edi Rama në detyrën “Ministër Shëndetësie”, mendoi se arriti “sukses” në sektorin e shërbimit shëndetësor shqiptar, duke larguar disa kioska, duke mbyllur disa kafene, duke mbjellë disa lule që lulëzuan 3 ditë, duke lyer disa trungje pemësh e parmakë shkallësh tualetesh brenda QSUT dhe duke bërë nja 1 javë si “nevrik” përpara infermierëve, pastrueseve e punonjësve të kaldajave. Ajo ç’ka ministri Ilir Beqja, nuk ka realizuar në këtë 1 vit ministror në shëndetësinë shqiptare dhe siç po duket, nuk ka as plan, as mend dhe as aftësi drejtuese për t’i realizuar edhe sikur të qëndroj 1000 vjet ministër, janë problemet e shumta që po vazhdojnë ta mbajnë në “reanimacion” sistemin e shëndetësisë, mangësitë dhe praktikat shqetësuese të shërbimit shëndetësor ndaj popullatës. Por edhe pa asnjë “arritje”, nuk mund të thuhet se është bilanci i ministrit Beqja. Po përmendim 3 fakte absurde me përmbajtje skandalesh.

  Urdhri: Rimbursohet ilaçi i gjuhës, por jo i buzës! Nëse sëmureni nga buza, blini ilaçin e gjuhës dhe me të lyeni buzën….

Skema e re “shkencore” për rimbursimin e ilaçeve, përgatitur sipas “formulës humane” të ministrit Ilir Beqja, nuk krijoji asnjë lehtësim financiar për pacientët, përkundrazi, ka krijuar kaos e abuzime prej farmacive, duke rritur edhe pagesat e pacienteve për medikamentet, në krahasim me ish-skemën ekzistuese. Sipas skemës “Beqja”, në recetat e ilaçeve të rimbursuara që detyrohen të lëshojnë mjekët, ndesh një absurd në lidhje me listën e medikamenteve, të cilat ke të drejtë t’i tërheqësh falas, ose me 25-30 % ulje çmimi e me 10% ulje taksë TVSH. Ja absurdi që ndeshet. Në listën e rimbursimit ekziston ilaçi i mëlçisë, por jo i zemrës. Rimbursohet ilaçi veshit, por jo i veshkës. Rimbursohet ilaçi hundës, por jo i syrit! Pavarësisht se sëmuresh nga mushkëritë, nuk mund të përfitosh ilaçe të rimbursuara, sepse në listën zyrtare është ilaçi i shpretkës. Po u sëmure nga dhëmballa, nuk përfiton rimbursim, mbasi sipas ligjit, në listë është ilaçi i buzëve. Po u sëmure nga thundrat e këmbëve nuk përfiton sepse në listë figuron ilaçi i mykut të thonjve. Po u sëmure nga prostata nuk përfiton rimbursim, sepse në listë është ilaçi i zorrës së trashë. Sëmuresh nga gishtat e këmbës, por nuk përfiton, mbasi në listën e rimbursimit janë ilaçet për gishtat e duarve. Farmacistët shprehen, se për ilaçet e planifikuara për rimbursim, kanë nevojë vetëm 10% e pacientëve. Sipas logjikës së ministrit Beqja, që të përfitosh rimbursim, duhet të sëmuresh patjetër vetëm nga ato sëmundje që trajtojnë ilaçet që ka futur në listë ministri Beqja. Sipas kësaj “skeme” edhe qytetari paguan siguracion të rregullt, të detyrueshëm nuk rimbursohet për ilaçet që kërkon mjekimi i tij e për rrjedhojë i rroftë pagesa e sigurimeve, kur ilaçet i blen me çmim tregu! I vetmi rimbursim i plotë është “Depon” për… veteranët e luftës dhe pagesa e plotë nga shpenzimet e shtetit, për ilaçet e çdo sëmundjeje për qeveritarët dhe familjarët e tyre!

Fakti/ Shqiptarët e papunë, vizita mjekësore “falas” me çmim… 20 mijë lekë “copa”

Në ditën e parë të punës si Ministër Shëndetësie, Ilir Beqja gjithë kapardisje e buzëqeshje “vesh më vesh” prej delirit të postit ministror që i dhuroi Edi Rama, deklaroi kështu: – Shqiptarët e papunë e të pasiguruar, nuk do të paguajnë më për vizitat në ambulancat e lagjeve, siç kanë paguar gjatë pushtetit të Saliut! Si çdo deklarim i bërë në këtë 1 vit prej ministrit, “OJF”-istit dhe biznesmenit Ilir Beqja edhe ky deklarim i tij ishte një mashtrim. Është fjala, për një absurd që po vazhdon dhunshëm prej Ministrisë së Shëndetësisë, lidhur me vizitat mjekësore që duhet të kryejnë qytetarët në klinikat, ambulancat dhe mjekët e familjeve. Liria e këtyre vizitave është e mohuar. Ja çfarë ndodh. Kur sëmuresh, drejtohesh për vizitë tek mjeku i zonës, i lagjes e familjes (siç i thonë). Por mjeku nuk të pranon për vizitë, nëse nuk ke me vete librezë shëndetësore. Pse? Sepse kështu është urdhri i lëshuar nga ministri Beqja. mirëpo këtë librezë shëndetësore nuk e kanë afro 1 milion shqiptarë të papunë. Sipas deklarimit të ministrit Ilir Beqja, shqiptarët e papunë duhet të vizitohen falas, ndërsa sipas urdhrit “Beqja” po vizitohen “falas” duke paguar nga 2000 mijë lekë të reja për një “copë” vizitë mjekësore! Që nxirret urdhër bëhet mirë, por ky urdhër bie nesh me realitetin shqiptar, mbasi sipas tij, që të vizitohesh duhet të kesh librezë shëndetësore personale. Por ka një ligj tjetër të nxjerr po nga ministri Beqja, sipas të cilit, që të pajisesh me këtë librezë, duhet të jesh patjetër në marrëdhënie pune, të jesh nxënës shkolle, student, ose pensionit e invalid. Që në Shqipëri të futesh në marrëdhënie pune, kjo është e vështirë. Që të sëmuresh është e lehtë. Dhe kështu, 1 milion të papunët që Beqja u kërkonte votën edhe duke u premtuar shëndetësi falas, sipas urdhrit “Beqja” nuk kanë të drejtë të trajtohen as me vizita mjekësore nga mjekët e lagjes, as me rimbursim ilaçesh, as me shërbim spitalor. Sipas kësaj logjike, mund të vdesësh për një vizitë mjekësore, ose që të bësh një vizitë mjekësore, duhet të paguash sa vlera e ndihmës ekonomike mujore, sa 10% e pagës mujore zyrtare….

Për sëmundjet e bagëtive bëhet vaksinim me urdhër të ministrit Panariti, për njerëzit bllokohet me urdhër të ministrit Beqja!

 Një tjetër urdhër absurd i lëshuar prej ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqja, ka lidhje me vaksinimet e njerëzve. Muajt e fundit, në sektorin blegtoral shqiptar ka shpërthyer sëmundja e “Gjuha blu” e cila prek dhe “vret” kryesisht bagëtitë e imëta. Sipas informacioneve, Ministria e Bujqësisë, nën monitorimin e plotë të përditshëm të ministrit Edmond Panariti, ka nisur “operacionin” e përballimit të kësaj sëmundjeje, duke trajtuar me vaksinime bagëtitë në krejt territorin e vendit. e ndërsa ministri i Bujqësisë Edmond Panariti, ka nxjerr urdhër për të trajtuar me vaksinim çdo “kokë bagëti” për t’i mbrojtur prej sëmundjes, çuditërisht ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja ka nxjerr një urdhër skandaloz, që të mos trajtohen me vaksinime blegtorët dhe banorët e zonave ku ka rënë sëmundja, paçka se mjekët e këtyre zonave në Korçë, Devoll, Ersekë, Maliq, Pogradec, Elbasan, Berat, Skrapar, Përmet, Gjirokastër, Tepelenë, kanë kërkuar që ashtu si bagëtitë, të trajtohen edhe blegtorët e banorët e zonave ku ka rënë kjo sëmundje! Nuk është vetëm ky rast. Me urdhër të ministrit Beqja, jashtë skemës së vaksinimeve lihen banorët e zonave blegtorale dhe krejt popullata konsumatore e produkteve blegtorale edhe kur tek delet shpërthen sëmundja “Bluçeroza”. Ditët e fundit, në zonën e jugut, u shfaq sëmundja e bluçerozës, ose “militenca” siç quhet në gjuhën popullore dhe që shkencërisht është infeksion në qumështin e bagëtive të imëta (deleve) Ministri i Bujqësisë, zoti Panariti nxori urdhër urgjent që të nisin vaksinimet për bagëtitë, ndërsa Ministri i Shëndetësisë ka nxjerr urdhër të kundërt, sipas të cilit “Nuk ka rrezik për blegtorët dhe banorët, të mos bëhen vaksinime”. Në fakt, sëmundja e “Bluçerozës” (Militenca) përbën rrezik serioz për jetën deri vdekjeprurës dhe nga bagëtitë, përcillet nëpërmjet qumështit e produkteve të tij tek njerëzit që i konsumojnë! Nuk e dimë nëse ministri Beqja konsumon produkte qumështi, por nuk besojmë të ketë familje shqiptare që të mos konsumojë këto produkte.