Berisha: “Pas SHQUP-it dhe Akademisë së Policisë, do privatizoj dhe Kovalishencën”

458
Sigal

Kryeministri i mundur zbardh axhendën e tij politike, edhe të ditëve të fundit në pushtet

 nga Nuri Dauti

 Shqipëria kishte investuar dhe shpenzuar 45 vjet  me radhë çdo pasuri të saj, vetëm e vetëm për t’u armatosur me të gjitha llojet e armëve që kishte shpikur mendja e dora e njeriut, që nga pushka e lidhur me gjalmë, e deri të raketat bërthamore. I duhej të mbrohej nga armiqtë e shumtë. Shqiptarët, ishin kaq të entuziazmuar, që po armatoseshin deri në dhëmbë e dhëmballë, sa pranonin me vetëmohim, që të hanin edhe bar, për të kursyer edhe kafshatën e bukës, për të blerë tanke e topa, me të cilat do të mundnim bajlozin e detit, që do vinte me nëndetëse bërthamore dhe me avionë superelektronikë.

Shembja e komunizmit fillon nga …privatizimi i ushtrisë

Dhe, Presidenti Sali, e kuptoi që,  kur nuk ka më ndriçim nga fanari socialist, nuk është më as nevoja që të trembemi nga armiku kapitalist e borgjez. Ndaj, Presidenti Sali i vuri objektiv politik qeverisjes së tij, që të privatizonte çdo relike të veprave të shokut Enver.

E filloi me ushtrinë.  Tani, që u bëmë miq me të tërë, tani që Shqipëria nuk ruan më kufij, sepse nuk ka më armiq, ushtria u bë e tepërt, sikurse edhe librat e veprave të shokut Enver. Dhe këta oficerë, që më shumë kishin grada gjeneralë se kolonelë e asnjë majorë, nuk mund të përlyenin duart e tyre e të kapnin më me dorë asnjë pushkë e asnjë mitraloz. Ndaj, shit ditë e shit natën, në të gjitha shtetet e botës, ku kish luftë, nuk ia doli dot t’i shiste në vitet e arta që ish President. Ndaj, kërkoi me ngulm, që të nga President Sali të bëhej Kryeministër Berishë, për ta çuar deri në fund misionin e vet politik. Të privatizonte gjithë ushtrinë e Enverit.

Enveri uzinë për prodhimin e armëve, Saliu uzinë për çmontimin e barutit

Kishte me mijëra e mijëra  tonelata të tëra baruti që duhej privatizuar, kur tani, asnjë nga shqiptarët nuk e ka më qejfin të luftojë. Ndaj edhe uzinë montoi qeveria e kryeministrit Berisha në Gërdec, që të privatizonte mijërat e tonelatave të barutit, që kishte shpëtuar pa u lagur nga dallgët e detit.  U erdhi pastaj radha dhe avionëve. Kryeministri Berisha firmosi fermanin, që të gjitha avionët, pa përjashtim, të shkonin drejt e në furrën e Metalurgjikut.

Ushtri e zyrave, ndaj duhen të privatizohen  terrenet ushtarake

U shitën të gjitha armët, u boshatisën  të gjithë fishekët nga baruti, avionët i bëmë hekur për të ndërtuar pallatet shumëkatëshe, por prapë ushtria qëndronte në këmbë. Si ai ushtari, që edhe pse ka marrë pesë plumba në trup, sërish nuk rrëzohet, por përpiqet të qëllojë me plumb armikun e tij. Ndaj Kryeministrit Berisha, më pas i ra barra e madhe, të fshinte nga harta gjeografike luftarake e ushtrisë, të gjitha pronat që mbanin vulë ushtarake. Me tenderim dhe pa tenderim. Por, halli ishte i madh. Ushtria e Enverit kishte në pronën e saj gjithë territorin e Shqipërisë. Në mal, e në fushë, në qytet e në bregdet. Jep e privatizo, ditë e natë, e prapë nuk ka të sosur  së pronësuari ky territor i ushtrisë.

Novatorizmi i Kryeministrit Berisha: Ushtri pa asnjë zyrë

Me të gjitha këto që thamë,  edhe pse u sosën edhe ditët e qeverisë “Berisha”, Kryeministrit Berisha, iu ndriçua mendja nga shpikja më e fundit. Të privatizojë edhe zyrat e ushtrisë, edhe ato që kanë mbetur deri tani. E përse të ketë më godina ushtria jonë, e cila është katandisur ushtri pa ushtarë e ushtri pa armë? Dhe Kryeministri Berisha firmosi fermanin e fundit në ditëfundin e qeverisjes  së tij: “ Pas privatizimit të SHQUP-it, pas privatizimit të Akademisë së Policisë, nesër do të privatizojë edhe Kovalishencën e pushimeve të ushtrisë”.